Përfaqësuesit e Shteteve Anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në takimin e tyre vjetor për dialogun rreth politikave ekonomike diskutuan mbi Programin e Reformave Ekonomike (PRE) 2021-2023. Takimi u organizua nën Presidencën sllovene të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Takimi u përqendrua tek sfidat e mbetura në fushat e shëndetit publik, ekonomike dhe sociale, të sjella nga shpërthimi i pandemisë Covid-19 në Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe Shtetet Anëtare të BE-së. Pjesëmarrësit vlerësuan solidaritetin e palëkundur mes BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, i cili brenda afateve të kërkuara ka siguruar ndihmë mjekësore dhe financiare për luftimin e pandemisë COVID-19 dhe kontribuon për adresimin e ndikimit socio-ekonomik të pandemisë në rajon. Palët u dakorduan që këtë vit dialogu për politika ekonomike të fokusohet në mbështetjen e rimëkëmbjes afatmesme ekonomike dhe qëndrueshmërinë e rajonit, teksa përkohësisht, përmes masave transparente fiskale dhe financiare, vazhdohet puna për zbutjen e ndikimit të pandemisë mbi rritjen, punësimin dhe kohezionin social. BE-ja do të vazhdojë t’i mbështesë partnerët e zgjerimit për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit ekonomik në përputhje me Metodologjinë e rishikuar të Zgjerimit të BE-së. Sa i përket situatës ekonomike të Kosovës për vitin 2020, rritja ekonomike u thye në recesion të konsiderueshëm për shkak të mbylljeve të lidhura me pandeminë dhe kufizimeve të udhëtimeve. Në të njëjtën kohë, pengesat madhore strukturore vazhdojnë të jenë sfiduese ndaj rritjes dhe konkurrueshmërisë.
Takimi i këtij viti shqyrtoi Programin për Reforma Ekonomike të Kosovës, duke u fokusuar në zbatimin efektiv të reformave strukturore që do të kontribuojnë për zbutjen e ndikimit të pandemisë dhe përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike pas krizës, teksa është e domosdoshme të mbështetet politika e qëndrueshme makroekonomike dhe fiskale dhe të rivendosen gradualisht rregullat fiskale. Sa i përket rritjes së konkurrueshmërisë dhe rritjes afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse, Kosova duhet që veçanërisht të trajtojë formalizimin e ekonomisë dhe konkurrueshmërinë e ulët të sektorit privat; të shfrytëzojë potencialet për energji të ripërtërishme dhe për kursim të energjisë dhe ta hapë plotësisht tregun e energjisë; si dhe të përmirësojë cilësinë dhe relevancën e sistemit arsimor për rritjen e punësimit dhe për zbutjen e mospërputhjeve të shkathtësive.
Tomash Sunjog (Tomáš Szunyog), Udhëheqësi i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, tha:
“Gjatë pandemisë, BE-ja e ka demonstruar mbështetjen e saj për Kosovën duke siguruar mbështetjen aq shumë të nevojshme mjekësore dhe financiare për luftimin e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe për adresimin e ndikimit të saj socio-ekonomik. Tashmë ka nevojë për reformë strukturore dhe udhëzim të dakorduar të politikave, në mënyrë që të ngushtohet hendeku socio-ekonomik mes Kosovës dhe BE-së.”
Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Koordinator i Programit për Reforma Ekonomike të Kosovës, duke e mirëpritur miratimin e Konkluzioneve të Përbashkëta për Dialogun Ekonomik dhe Financiar tha: “Qeveria e miratoi Rishikimin e Buxhetit për vitin 2021, sipas të cilit shkalla e rritjes nominale u rishikua me ngritje deri në 7.9%, dhe të ardhurat e buxhetit u rishikuan me ngritje për rreth 150 milionë euro. Në Rishikimin e Buxhetit për vitin 2021 është parashikuar një Pako për Ringjallje Ekonomike në shumën prej 420 milionë eurosh (rreth 6% e BPV-së). Qëllimi themelor i pakos është ringjallja ekonomike dhe përmirësimi i mirëqenies sociale”.
Programi i Reformave Ekonomike është një dialog mbi qeverisjen ekonomike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. PRE synon ta përgatisë rajonin për pjesëmarrje të ardhshme në sistemin e koordinimit të politikave ekonomike të BE-së, i njohur si Semestri Evropian.
Këtë vit u dakorduan gjashtë masa specifike dhe të targetuara të reformave:
- Për amvisëritë e cenueshme dhe bizneset të sigurohet mbështetje fiskale e targetuar mirë dhe e përkohshme në lidhje me pandeminë; me kusht që rimëkëmbja ekonomike të jetë në rrugë të mbarë, në buxhetin e vitit 2022 dhe kornizën afatmesme të shpenzimeve duhet të parashikohet kthimi gradual tek tavani i deficitit prej 2%, siç e përcakton rregulla fiskale, deri në vitin 2023. Me qëllim të sigurimit të shpenzimeve publike efikase, të drejta dhe të qëndrueshme, të rishikohet ligji për pagat publike dhe të përgatitet një shqyrtim i sistemit të sigurimeve shoqërore, përfshirë pensionet për veteranët e luftës. Të ndërmerret një shqyrtim i shpenzimeve tatimore duke kuantifikuar përmasën e të ardhurave të humbura nga përjashtimet dhe normat e reduktuara.
- Të përmirësohet ekzekutimi i shpenzimeve kapitale duke zbatuar udhëzimet administrative për planifikimin, përzgjedhjen, ekzekutimin dhe monitorimin e projekteve kapitale, si dhe duke e avancuar planifikimin e projekteve shumëvjeçare. Në mënyrë që të zvogëlohet risku i detyrimeve kontigjente, të përmirësohen mbikëqyrja financiare dhe llogaridhënia e ndërmarrjeve publike, duke përfshirë raportimin e tyre të rregullt tremujor. Të ndërmerren hapat e ardhshëm drejt krijimit të një organi të pavarur për mbikëqyrjen fiskale, bazuar në rekomandimet e një dokumenti për opsionet.
- Të mbahet një kornizë e fortë rregullative e sektorit financiar në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të BE-së, të sigurohen menaxhim i shëndoshë i riskut të kredive, paraqitje transparente e cilësisë së aseteve, provizione të përshtatshme, si dhe të zhvillohet një kornizë më e integruar për matjen e borxhit të amvisërive. Të reduktohen më tej pengesat e mbetura institucionale dhe ligjore për zgjidhjen e shpejtë dhe efektive të KJP-ve. Të sigurohet funksionimi efektiv i bankës qendrore duke ndërmarrë një analizë të thelluar të kërkesave për personel në fushat kyçe të politikave të bankës, veçanërisht për stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar, si dhe të plotësohen vendet e lira në bord që duhen për rivendosjen e kuorumit të bordit.
- Të miratohet një strategji koherente dhe afatgjatë për energjinë dhe klimën për uljen e emetimeve të karbonit, duke përfshirë planet për ndërprerjen me faza të subvencioneve për thëngjillin dhe lëndët djegëse fosile, sipas zotimit të dhënë në Deklaratën e Sofjes. Në përputhje me zotimet e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor: të rriten stimujt për efiçiencë të energjisë për sektorin privat dhe amvisëritë dhe të përmirësohen skemat e mbështetjes për projektet e energjisë së ripërtërishme duke vendosur procese të ofertave konkurruese/ankandeve; të miratohet një plan veprimi për rregullimin gradual të tarifave të energjisë që pasqyrojnë kostot reale, si dhe të sigurohen masa zbutëse për konsumatorët e cenueshëm.
- Të përditësohet plani i veprimit i Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2019-2020, dhe të sigurohet zbatimi i saj. Të zbatohen masa nxitëse me qëllim formalizimin e punësimit dhe bizneseve informale, dhe të adresohet evazioni fiskal në sektorë të identifikuar me risk të lartë në përputhje me strategjinë dhe planin e veprimit. Duke synuar parandalimin e shmangies nga tatimi në pronë, të përmirësohet transparenca duke i publikuar të gjitha çmimet e shitjes së patundshmërive.
- Të zbatohen plotësisht mekanizmat ekzistues të sigurimit të cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit përmes inspektimeve në shkolla dhe efektshmërisë së koordinatorëve të cilësisë, si dhe të monitorohen nga Agjencia e Akreditimit programet e studimeve. Të zhvillohet një sistem për monitorim dhe parashikim të nevojave për shkathtësi në tregun e punës për të lehtësuar përafrimin e sistemeve të arsimit dhe trajnimit dhe sigurimin e rikualifikimeve dhe kualifikimeve për shkathtësi më të larta sipas nevojave të tregut të punës. Të krijohet një task forcë ndër-ministrore që përfshin ministritë relevante, agjencitë e tyre dhe palët e interesit, për të zhvilluar një Plan të Zbatimit të Garancive për Rininë, thuhet në komunikatën për media e BE në Prishtinë.