Partia Socialdemokrate ka bërë të ditur se gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së.
Policia, nën urdhërat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton shefin e tyre. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kalojë heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit, thuhet në postimin në Facebook të PSD-së.
“Policia e Kosovës, nën urdhërat e Kurtit, ndërhyri dhunshëm duke rrahur e e lënduar brutalisht aktivistet e aktivistët e PSD-së në mënyrë që të ndalin aksionin kundër zhvatjes ndaj qytetarëve.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të arrestuar brutalisht e padrejtësisht nga policia!
Kërkojmë urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë”.

