Një ditë para 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Kryesinë e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur të Kosovës: kryetarin Ahmet Grajçevci dhe anëtarët Haki Kasumi, Xhemile Morina, znj. Kumrije Karaqica dhe Salih Muhaxheri.
Kryetari Grajçevci e njoftoi kryeministrin Kurti për aktivitetet dhe punën që ka bërë Këshilli për të ndihmuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën çlirimtare.
Grajçevci ia shprehu gjithë përkrahjen kryeministrit Kurti për angazhimin dhe priroritetin që ia ka dhënë çështjes së personave të zhdukur në takimet që ka patur me presidentin e Serbisë në Bruksel. Ai tha se e konsiderojnë shumë të drejtë kërkesën e kryeministrit Kurti për hapjen e arkivave të Serbisë sepse, siç tha ai, krimet që kanë kryer forcat serbe të sigurisë në Kosovë, janë bërë me urdhër komandues dhe bartja e fshehja e kufomave është administruar nga shteti serb.
Kryesia e Këshillit tha se e përkrahin plotësisht kërkesën e kryeministrit Kurti për largimin e Veljko Odalloviqit nga udhëheqja e Komisionit Qeveritar të Serbisë për të Zhdukurit. Sipas tyre, Odalloviqi si ish-zyrtar i lartë i Serbisë në Kosovë ka njohuri për vendndodhjen e varrezave, por nuk është treguar konstruktiv në bashkëpunim. Kryesia e Këshillit e njoftoi kryeministrin edhe për përgatitjet që i kanë bërë organizatat dhe asociacionet për shënimin e Ditës Ndërkomëbtare për Personat e Zhdukur.
Kryeministri Kurti e njoftoi Kryesinë e Këshillit për insistimin e tij të vazhdueshëm në çdo takim me zyrtarë ndërkombëtarë dhe në takimet me zyrtarët e lartë të Serbisë për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për vendvarrezat e tjera në Serbi, ku dyshohen se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ai tha se tashmë ka filluar procedura e amandmentimit te Ligjit për personat e zhdukur dhe se pritet të shkojë në Kuvend brenda vitit.
Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Komisionit Qevevritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, Furtuna Sheremeti dhe këshilltarja ligjore e kryeministrit,Tea Blakaj, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.