Hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Për institucionet tona çështja e të pagjeturve do të jetë gjithmonë prioritet, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasi bëri homazhe dhe vendosi lule te pllaka përkujtimore për të pagjeturit në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Në aktivitetin e organizuar nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës në koordinim më Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ishin të pranishëm edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, familjarët e të pagjeturve dhe Andin Hoti, Kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, njëherësh kryesues i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur.
Kryeministri tha se në këtë ditë, në të cilën sigurisht që ka më shumë ankth sesa pikëllim, meqenëse 1632 persona nga Kosova vazhdojnë që të jenë të pagjetur, ne vazhdojmë të mos e kemi të zbardhur fatin e tyre.
“Siç e tha edhe presidentja e Republikës, në raportet tona me Serbinë, çështja e të zhdukurve me dhunë është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme e të sigurt nëse nuk adresojmë çështjet e së kaluarës nëse nuk e trajtojmë dhe nuk e sqarojmë të kaluarën. Por Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën”, tha kryeministri Kurti.
Ai bëri thirrje që në të gjitha tryezat e ndryshme që organizohen në arenën ndërkombëtare t’i kërkohet Serbisë hapja e arkivave.
Kryeministri rikujtoi se vrasja e shqiptarëve në pranverën e vitit ’99, por edhe më herët në vitin ’98 e kështu me radhë, pastaj varrosja e tyre, zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e kufomave nëpër varreza masive në Serbi dhe zhvarrimi prej atje, nuk është bërë nga qytetarët e thjeshtë e të zakonshëm, por nga aparati shtetëror. Andaj, siç tha ai, hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.
“Ne si krerë të institucioneve do të jemi pranë familjarëve dhe gjithmonë do ta kemi prioritet këtë çështje”, veçoi kryeministri Kurti.
Më pas, kryeministri Kurti vizitoi ekspozitën me fotografitë e të zhdukurve dhe të aktiviteteve që kanë ndërmarrë përgjatë viteve Asociacionet që angazhohen për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.