Build Skills with our trainings

Sign up now!

Skena politike në Kosovë u ofron pak mundësi të rinjëve apolitik

Dhj 8, 2020

Politika konsiderohet si përgjigje ndaj problemeve të shoqërisë dhe rrjedhimisht është edhe sfera më e diskutuar.

Ndër çështjet më të ndjeshme, sigurisht janë ato që lidhen me të rinjtë, punësimin dhe mirëqënien e tyre. E këto politika të qeverive shpesh janë determinuese për përfshirjen e të rinjëve në politikë.

Sipas një artikulli të “ABC Life”, të rinjtë nuk kanë besim kur vie puna te pjesëmarrja në proceset demokratike dhe kjo do të thotë se disa të rinj në të vërtetë nuk dinë si të vendosin se cila parti politike pasqyron më mirë pikëpamjet e tyre.

Një studim tjetër i “ Youth United Nations” tregon pjesëmarrjen e vogël të të rinjëve në pozita udhëheqëse. Ky studim ka gjetur se vetëm 1.65% e parlamentarëve përreth botës janë në të 20-tat, ndërsa 11.87% janë në të 30-tat. Ndërsa i njëjti tregon se të rinjtë midis 15 dhe 25 vjeç përbëjnë një të pestën e popullsisë së botës.

Blerina Ukshini nga Demokracia për Zhvillim, thotë se të jesh i ri e apolitik në Kosovë dhe të ndikosh në bërjen e politikave është sfidë e madhe. Ajo mendon se potenciali i të rinjve nuk vihet shumë në pah për shkak të mungesës së hapësirave për të kontribuar, e sidomos në çështjet e mëdha ku pozitat dhe meritat subjektet politike synojnë t’i mbajnë për vete.

“Kontributi në këto procese është shumë vështirë i realizueshëm nëse nuk janë pjesë e strukturave të partive politike, përveç rasteve kur janë pjesë e iniciativave, aleancave apo organizatave të ndryshme që me anë të avokimit mundohen të ndikojnë”, thotë Ukshini.

Zëvendës drejtori i Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Valon Kurhasani, thotë se të rinjtë, që përbëjnë gjysmën e popullsisë së Kosovës dhe kanë aspiratë ta shohin vendin të integruar në Bashkimin Europian, po luftojnë çdo ditë që të kenë një zë në proceset demokratike. Por, ai konsideron se të rinjëve po u humb durimi.

Sipas tij, përpjekjet për pjesëmarrje më të madhe të të rinjëve në proceset politike duhet të synojnë mësimin e të rinjëve se si të avokojnë për veten e tyre.

Kurhasani tregon se NDI ka mbështetur pjesëmarrjen politike të të rinjëve për tashmë 20 vjet, duke u ofruar asistencë shoqërisë civile, partive politike dhe Kuvendit të Kosovës.

Ai vlerëson se ndryshimet demografike, përhapja teknologjike dhe mediat e reja për këto vite kanë ndikuar mënyrën se si të rinjtë komunikojnë sot, si e perceptojnë dhe si ndërveprojnë me qeverinë e tyre.

Prandaj, politika kosovare dhe partitë politike nuk kanë arritur të mbajnë ritmin me ndryshime të tilla dhe kanë dështuar t’iu përgjigjen dhe krijojnë hapësirë të mjaftueshme të rinjëve që të kyçen në proceset politike”, thotë Kurhasani.

Ukshini nga D4D konsideron se kultura politike në vend vazhdon të jetë e ulët dhe se sipas  saj, çdo gjë tentohet të politizohet, madje edhe atëherë kur qëllimi i personave të caktuar nuk është i tillë .

Ajo mendon se në skenën tonë politike ka gjithmonë rezerva për paanshmërinë e njerëzve dhe kjo sipas saj mund të ndikojë negativisht te të rinjtë apolitik, me tërheqje graduale ose anim nga njëri subjekt politik.

Gjithmonë shikohen personat me rezerva se mos ndoshta është i ndikuar dhe mundohen që të zbulojnë lidhjet e tyre”, thotë Blerina Ukshini.

Valon Kurhasani e cilëson shumë cinike qasjen dhe qëndrimin e të rinjëve ndaj proceseve politike.

Ai thotë se ata kanë pranuar që korrupsioni dhe nepotizmi janë mënyrë e të jetuarit dhe kjo, sipas tij duhet të ndryshojë. Dhe, zëvendësdrejtori i NDI propozon që kjo të bëhet duke fuqizuar të rinjtë të zhvillojnë, vendosin dhe propozojnë veprime që prekin qeverisjen dhe politikën.

Duhet të krijohet hapësira nga udhëheqësit e partive politike, zyrtarët e zgjedhur dhe institucionet qeverisëse që të rinjët të ndikojnë me nismat e tyre avokuese në procese vendim-marrëse dhe të propozojnë politika që ndikojnë tek vetë ata”, propozon Kurhasani.

Sipas tij, është e zakonshme për udhëheqësit partiak dhe institucional që të thonë se të rinjtë nuk e kanë përvojën e mjaftueshme, apo që gratë dhe vajzat nuk e kanë përvojën që të konkurrojnë me burrat dhe djemtë.

Duke ju referuar hulumtimeve të Institutit Kombëtar Demokratik, Kurhasani tregon se shumica e qytetarëve besojnë që zyrtarët e zgjedhur dhe ata të emëruar në pozita udhëheqëse kanë neglizhuar politikat dhe çështjet që lidhen me të rinjtë.

Ai vazhdon duke e cilësuar si të domosdoshme të pasurit mundësi të barabarta, qoftë në pozita të zgjedhura apo të emëruara.

Kurhasani konsideron se ofrimi i këtyre mundësive rezulton pastaj edhe me njohjen e vlerave dhe kontributit të të rinjëve në politikbërje dhe vendimmarrje.

Sipas tij, është pikërisht, njoftimi me platformat inovative të komunikimit, përdorimit të mediave të reja në procesin e politikbërjes si dhe transparenca në ndërveprimin e politikanëve dhe të rinjëve, që duhet të jetë rregull obligative.

Në plotësim të këtyre kushteve nevoja për paanshmëri politike bëhet jo relevante”, përfundon mendimin Kurhasani.

Flamur Kabashi, një i ri nga Suhareka, që është i përfshirë në politikë, konsideron se partitë politike u japin hapësirë të rinjëve që janë të aftë dhe konkurrues të jenë pjesë e tyre.

Ai mendon se të qenit pjesë e një subjekti politik të jep më shumë mundësi për të kontribuar në politikë, ndërsa vlerëson se kontributi pa qenë pjesë e partive është më i vogël.

Mendoj se mundesh me dhanë kontribut edhe pa qenë pjesë e partive politke, por më shumë impakt ke nëse je në parti politike”, thotë studenti i juridikut.

Ai e vlerëson edhe faktin se partitë politke kanë nis të emancipohen dhe të lejojnë edhe mendimet ndryshe brenda partisë.

Edhe Dren Mehmeti, student i shkencave politike, mendon se nëse je i aftë profesionalisht, dyert janë të hapura të kontribuosh qoftë në politikë qoftë në sfera tjera.

Ai gjithashtu konsideron se të qenët apolitik nuk pengon në arritjen e synimeve, por që marrja me politikë “është rrugë më e lehtë drejt punësimit, sidomos në sektorin publik”.

Por gjithsesi, Mehmeti mendon se jo domosdoshmërisht duhet të jesh aktivisht i kyçur në parti politike për të kontribuar në politikë.

Unë personalisht mendoj që po, ka mundësi kyçjeje në shoqëri civile nëpër OJQ, institute, grupe studimore, që do të kontribuonin në një jete më të mirë në Kosovë”, thekson studenti nga Gjakova.

Ai nuk përjashton idenë se mund të bëhet pjesë e ndonjë subjekti politik, edhe pse mendon se partitë politike u japin më shumë hapësirë njerëzve që kanë kontribuar për një kohë më të gjatë.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM