Uji i pijshëm sigurisht që është esencial për jetën, e sidomos në kohëra të tilla pandemish, përveç pijes, është shumë i nevojshëm edhe për mbajtjen e higjienës, e cila ka qenë këshillla kryesore e institucioneve për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Por përkundër nevojës së madhe për ujë, keqpërdorimi i tij mbetet ende një problem, me të cilin po përballen kompanitë e ujësjellësit dhe jo vetëm.
Mosvetëdijësimi i qytetarëve për shfrytëzimin e drejtë të ujit të pijshëm që vjen nga rezervat shtetërore shkakton pastaj probleme dhe reduktime të ujit.
Sipas KRU “Prishtina”, keqpërdorimet më të mëdha janë në zonat sub-urbane dhe rurale ku ka më së shumti kyçje ilegale, përmes të cilave keqpërdoret uji i pijshëm në ujitje, në prodhim e në gastronomi.
Siç thonë zyrtarët e kësaj kompanie, keqpërdorimi i ujit ndikon në pabarazi në furnizim, sidomos te banorët që banojnë në zonat e larta të qytetit, si Veterniku, Mati e Bregu i Diellit.
“Ne trajtojmë ujin me kapacitetet tona maksimale, mirëpo keqpërdorimi i pikave të ulëta ndikon që sasia e ujit të shpenzohet, respektivisht të ulët presioni në sistem dhe kjo pastaj ndikon që në disa zona të mos kenë ujë, sidomos gjatë ditës kur konsumi është në vlerat e pikut maksimal ”, thonë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
Edhe kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Hidromorava” në Gjilan, Muhamed Suliqi, e pohon se banorët që jetojnë në pikat më të larta janë më të prekurit nga keqpërdorimi i ujit të pijshëm, ndërsa thekson se rritja e përqindjes së humbjes së ujit ndikon edhe në përformancën e kompanisë.
Ai tregon se janë duke punuar vazhdimisht në zvogëlimin e humbjeve, derisa kanë hartuar edhe Strategjinë për Zvogëlimin e humbjeve të ujit në bashkëpunim me Qeverinë.
Suliqi tregon se gjatë vitit të kaluar kanë zbuluar 498 kyçje ilegale dhe 76 forma tjera të keqpërdorimit, ndërsa në këtë vit deri në fund të muajit gusht kanë identifikuar 185 kyçje ilegale dhe 30 keqpërdorime të llojeve tjera.
Vjedhja e shërbimeve të ujit dënohet me Kodin Penal të Kosovës. Sipas nenit 314 – Vjedhja e shërbimeve, të këtij Kodi, të gjithë ata që me anë të lajthimit, largimit ose mënyrave tjera sigurojnë shërbime, për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit dhe shmangin pagesën për shërbime të tilla, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Keqpërdoruesit e ujit dënohen nga inspektorët komunal, për çdo tentim manipulimi apo kyçje ilegale, dëmtim i nyjeve- valvolave dhe operim të paautorizuar me to.
V.K. nga Prizreni, e pranon se ujin e pijshëm nuk e përdorë vetëm për pije. Ai tregon se të njëjtin ujë e shfrytëzon edhe për ujitjen e kopshtit, e ndonjëherë edhe për të larë makinën.
“Ujin e përdori përveç për me pi, edhe për bahçe, për me e la kerrin e qishtu…”, thotë V.K.
Ai e di se po e keqpërdorë ujin e pijes, por sipas tij, nuk ka burim tjetër uji për ta shfrytëzuar nevojat tjera.
KRU “Prishtina” sh. a. tregon se këtë vit ka dorëzuar 16 kallëzime penale, por meqë gjykata gjatë këtij viti punon vetëm në raste urgjente, ende nuk është marrë ndonjë vendim për këto kallëzime.
Ndërsa nga KRU “Hidromorava” thonë se dënimet për keqpërdorimet e ujit aplikohen nga Gjykata Themelore.
“…Pas inicimit të rastit për keqpërodrim të ujit, kompania merr masa konform Ligjit Nr 05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, respektivisht Neni 28- Bazat për ndërprerje, po ashtu edhe Rregulloreve të ARRU-së”, tregon kryeshefi Suliqi.
Ligji për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, konkretisht neni 28 – Bazat për ndërprerje, i jep konsumatorit të drejtën për të shkëputur kontratën me ofertuesin e shërbimeve të ujësjellësit.
Ofertuesi i këtyre shërbimeve mund t’i ndërpresë shërbimet e ujësjellësit për konsumatorin nëse ky i fundit e ka shkelur kontratën, nëse nuk paguan faturën ose edhe nëse objekti është kyçur ilegalisht, në mënyrë të paautorizuar.
Sa i përket gjendjes së furnizimit me ujë nga KRU “Prishtina” konsiderojnë se kanë arritur një nivel të kënaqshëm të furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm, pavarësisht që janë përballur me pandeminë dhe me thatësi.
Ata tregojnë se deri më 15 gusht ka pasur 24 orë furnizim me ujë, ndërsa pas kësaj date kanë aplikuar disa reduktime të lehta, kryesisht gjatë natës.
“Nga data 15.08.2020 kemi aplikuar reduktime te lehta për zonat urbane vetëm gjatë natës prej orës 24:00-04:00 dhe atë në disa zona, jo në komplet qytetin e Prishtinës. Janë furnizuar pa ndërprerë dhe me përkushtim të veçantë QKUK-ja, të gjitha QKMF-të, të gjitha institucionet shtetërore duke kontrolluar gjithmonë edhe kualitetin e ujit”, thonë nga kjo kompani.
Gjithsesi, reduktimet ata i arsyetojnë me infrastrukturën, që sipas tyre është më e vjetër se 50-60 vjet, ndërsa tregojnë se çdo vit realizojnë mbi 4 milionë euro investime kapitale për përmirësimin e shërbimeve.
Ndërsa, nga KRU “Hidromorava” Gjilan, tregojnë se këtë vit është gjendje me e mirë sa i përket rezervave të ujit, krahasuar me vitin 2019, kur kjo kompani ishte përballur me thatësi dhe mungesë të ujit në burimet e saj, veçanërisht në Liqenin akumules në Përlepnicë.
Kryeshefi Ekzekutiv, Suliqi tregon edhe se janë duke u munduar të gjejnë një zgjidhje për furnizim për pesë vitet e ardhshme.
“Hidromorava” është duke punuar me Banken Botërore dhe me BERZH, që të bëjë zgjidhje të problemit të furnizimit me ujë deri në vitin 2025”, përfundon ai.
Diellza Kabashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.