Build Skills with our trainings

Sign up now!

Lajmet satirike – ende koncept i ri për shoqërinë kosovare

Nën 8, 2020

Nuk rekomandohet në asnjë formë për persona që e marrin veten shumë seriozisht, për persona mbi 65 vjeç dhe për ata që nuk besuan që ka virus” është përshkrimi i edicionit satirik të lajmeve “Zëri i Amelikës” një podukt medial i T7-shit, në faqen zyrtare në Facebook.

Autori i këtij emisioni, Shkodran Hoti ka konsideruar se krijimi i një emisioni të tillë është forma më e përshtatshme për të prekur më shumë fenomene në një mënyrë më atraktive.

Sipas tij, vendit tonë i ka munguar një emision i karakterit të tillë dhe kjo është një nga arsyet prapa krijimit të “Zërit të Amelikës”.

Për të, satira është forma më e mprehtë e humorit, mjet që nxit mendimin kritik e shpesh edhe revoltë ndaj fenomeneve të ndryshme shoqërore. Kjo është edhe arsyeja kryesore e krijimit të edicionit më të ri të lajmeve.

“…për satirën si një mjet që provokon, që emancipon, që vë në pah të metat e shoqërisë dhe që thyen mitet që shpesh herë ngulfasin atë që është progresive për shoqërinë”, fillon renditjen e arsyeve, Hoti.

Autori tregon se qëllimi i tij ishte të përdorte një emër që me të dëgjuar ngulitet në mendjen e shikuesve.

“’Zëri i Amelikës’ të sjellë në vëmendje që në krye të herës një edicion lajmesh, dhe brenda tij gjendet një fjalë, e cila vazhdimisht ka qenë ndër më të përdorurat në vendin tonë”. shpjegon ai.

Satira në thelb është një qendrim që ka për qëllim të “fshikullojë” të metat, veset e anët e tjera të dobëta të njerëzve e të shoqërisë me anë të një ironie të thellë, therëse.

Por lajmet satirike jo gjithmonë kuptohen nga njerëzit, madje ato shpesh grupohen me lajmet e rreme dhe shumë njerëz i konsiderojnë si të tilla.

Disa studiues të Universitetit të Maryland-it publikuan një hulumtim në të cilin shpjegojnë dallimin midis lajmeve satirike dhe atyre të rreme. Ata lajmet e rreme i përkufizojnë si “informacione, të paraqitura si lajme  që në fakt janë të pasakta dhe të krijuara për të mashtruar konsumatorin duke e shitur si të vërtetë”, ndërsa satira prezantohet si lajm që faktikisht është i pavërtetë, por qëllimi i saj nuk është të mashtrojë publikun, por më tepër për të përqeshur, ekspozuar sjelljet e turpshme, korruptive apo me një fjalë dukuritë e dëmshme për shoqërinë.

Përderisa lajmet e rreme janë sfida kryesore e viteve të fundit, sidomos për Mark Zuckerberg-un, lajmet satirike nuk gëzojnë ndonjë audiencë të madhe. Gjithsesi, efekti i tyre shihet të jetë i madh.

Studimet e fundit të Universiteti të Ohio-s, tregojnë se njerëzit që janë më pak të interesuar në politikë janë të prirur të zgjedhin lajmet satirike para atyre serioze. Sipas këtij studimi, shikimi i lajmeve satirike rrit besimin e njerëzve se ata mund të ndikojnë në proceset politike.

Lajmet satirike kanë të njëjtin ndikim si lajmet serioze, ato përforcojnë qëndrimet politike të njerëzve. Mund të jenë qesharake, por kanë efekte serioze”, citohet të ketë thënë autorja e studimit dhe profesoresha e komunikimit në kët universitet, Silvia Knobloch-Westerwick.

Edhe në Kosovë “konsumuesit” e satirës nuk janë të shumtë, ndonëse viteve të fundit janë servuar mjaft përmbajtje satirike.

Hoti mendon se shoqëria kosovare nuk e pranon lehtë satirën dhe e ka të vështirë ta kuptojë, kjo për shkak të nivelit ende të ulët të arsimimit dhe nivelit kulturor.

Sipas tij, publiku kosovar është mësuar me një humor të cilit i mungon krejtësisht karakteri emancipues, i cili nuk prek tema të thella e nuk provokon.

Me një humor i cili rezulton më shumë si tallje e përbuzje sesa si kritikë thumbuese. Me një humor që nuk i vë në pah dobësisë e shoqërisë, por i mirëmban sterotipet e llojllojshme të trashëguara ndër vite midis nesh, të cilat janë pjellë e prambeturisë kolektive. Me një humor që e përqesh kryesisht të dobëtin dhe nuk prek të fortin”, vazhdon ai.

Ndryshe nga Hoti, mendon gazetari dhe themeluesi i portalit satirik “Kukunews”, Vullnet Krasniqi. Ai thotë se shoqëria kosovare e kupton satirën, por nuk u pëlqen ajo që thuhet në lajmet satirike.

Për ta argumentuar mendimin e tij ai kthehet pas në kohë kur kujton “meselet” që tregoheshin nëpër odat e burrave, të cilat e bëjnë të arrijë në përfundim se shoqëria kosovare njihet për mënyrën cinike dhe satirike të të thënit të gjërat.

Krasniqi vlerëson se ne kemi anekdotat më të mira në letërsinë tradicionale, gjë që sipas tij tregon për nivelin e emancipimit të shoqërisë, por problem i kësaj shoqërie mund të jetë kalimi shumë i shpejtë siç thotë ai nga anekdotat tek globalizimi.

“Kukunews” është portal më i njohur satirik në Kosovë, i themeluar më 2016 nga ish-gazetari i “Koha Ditore” dhe gazetarit korrospodent në Beograd, Idro Seferi, me qëllim të shpërfaqjes së vijës së hollë mes të vërtetës dhe të pavërtetës në mediat shqip.

Ky qëllim, sipas Krasniqit, është arritur.

Ndonëse media satirike, portali “Kukunews” shpesh është cituar edhe nga mediat serioze në Kosovë, duke i transmetuar lajmet satirike si të vërteta. Dy nga rastet më të njohura i përmend edhe Vullneti.

Për shembull, lajmi i parë ‘Lind fëmija i parë në kampet hungareze – quhet Migrim’ ishte marrë nga të gjitha mediat në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Më pas lajmi sikur ‘Atifete Jahjaga takon ish-të dashurin e studimeve – por nuk i gjen punë’ ishte marrë gjithashtu i vërtetë”, kujton tash autori edhe i emisonit “Review”.

Arsyeja se pse këto lajme merren si të vërteta duket të jetë sepse lajmet e portalit në fjalë kanë për bazë disa detaje të vërteta.

Dhe kjo, sipas Krasniqit është tregues se ka një satirë të mirëndërtuar dhe jo domosdoshmërisht është problemi te shoqëria.

Gazetari i RTV Dukagjinit, Drin Gashi thotë se shoqëria kosovare ka nis të njoftohet me satirën vetëm në dekadën e fundit dhe se nuk është shumë e shpërndarë si formë e humorit. Gjithsesi, ai beson se me krijimin e emisioneve satirike njerëzit do të adaptohen dhe do të mësohen dhe ta kuptojnë më shumë.

Drini, si autor i emisionit të tij satirik “me Drin Gashin” mendon se Kosova është mjedis mjaft i përshtashëm për emisionet si ai i tiji.

Duke pasur parasysh gabimet, lëshimet që bëjnë politikanët dhe skandalet në të cilat pëfshihen, Gashi beson se kjo është koha më e përshtatshme se kurrë për emisionet e tilla që të ironizojnë me siç i quan ai “deklaratat iluzioniste dhe shpeshherë të pavërteta”.

Sipas tij, shoqëria jonë di ta dallojë satirën nga e vërteta, por ka problem me deshifrimin e saj pasi nuk ka pasur emisione të tilla më herët.

Kjo nuk është shpikje e jona, është adaptim i formateve egzistuese nëpër botë. Sa më shumë kohe që kalon, njerëzit do ta kuptojnë esencën e transmetimit të tillë të lajmeve”, thotë Gashi.

Ndonëse mund të jetë kohë e përshtatshme të ironizosh me figurat publike e sidomos ato politike mund të jetë edhe e rrezikshme dhe sigurisht që do guxim. Shumë prej gazetarëve që merren me këtë lloj gazetarie janë shpesh cak i kërcënimeve e besa edhe sulmeve fizike.

Shkodran Hoti e rendit guximin në katër komponentet kryesore që sipas tij duhet pasur parasysh për një satirë produktive dhe të mirëfilltë, bashkë me dijen, informacionin dhe kreativitetin.

Ndërsa sa i përket rrezikut, ai thotë se kjo vjen kryesisht kur thumbohen figurat publike, jo vetëm politike, që kanë autoritet të madh në shoqëri.

Sepse prapa tyre ka tifozë që më shumë besojnë sesa mendojnë. Besojnë verbërisht e mendojnë sipërfaqësisht. Flasim për njerëz fanatikë, dogmatikë, të pagdhendur, të mjerë e të poshtëruar. Për njerëz injorantë, mendjengushtë, shpirtkazmë e të rrezikuar nga dehumanizimi”, vashdon ai.

Gazetari i “Le Monde Diplomatique”, tregon se trajtimi i temave të ndryshme “të ndijshme” për shoqërinë, ka pasuar edhe me fyerje, kërcënime e linçime. Madje për shkak të ironizimit me një deklaratë të hoxhës së njohur nga Shqipëria, Elvis Naçi, në emisionin satirik paraprak “Shtet Hajgare” ka marrë edhe kërcënime me jetë.

Satira merr kuptim më së miri kur goditen njerëzit e fuqishëm dhe me autoritet në shoqëri, prandaj Hoti thotë se këto kërcënime nuk i bëjnë përshtypje.

Për Vullnet Krasniqin, kërcënimet janë “e keqja më e vogël”. Ai është përballur edhe me sulme fizike e kibernetike. Madje, siç tregon ai, deri tani ka katër raste të paraqitura në polici.

Sajti sot e asaj dite nuk ekziston sepse është sulmuar. Tri faqe të ‘Kukunews’ në Facebook me mbi 1 milion ‘reach’ janë sulmuar”, thotë ai.

Ndryshe prej tyre, Drini tregon se nuk ka marrë “ende” kërcënime pasi komentet për emisionin kanë qenë kryesisht pozitive. “Por pritet”, përfundon ai duke qeshur, pasi ka parasysh se shoqëria kosovare ka tendencë të mishërohet me një figurë, kryesisht politike dhe çdokush që është kundër asaj figure shpallet “tradhtar”.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM