Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shëndeti mendor po atakohet nga pasojat përcjellëse të COVID-19

Gus 12, 2020

Përhapja e COVID-19 ka bërë që njerëzit dhe mediat të jenë më shumë të fokusuar në rrjedhën e virusit dhe në pasojat ekonomike të tij, ndërsa më pak në pasojat psikologjike.

“Shëndeti mendor në kohë të tilla është esenca”, thotë psikiatri Naim Fanaj.

Duke iu referuar studimeve të ndryshme, ai thotë se simptomat e ankthit, depresionit dhe stresit janë reagime të zakonshme psikologjike ndaj pandemisë COVID-19 në botë, ndërsa efektet e izolimit, sipas tij, mund të jenë çrregullimet e shëndetit mendor si ankthi dhe depresioni.

Ankthi dhe frika, brengosjet, mërzitjet, frustimi, pasiguria janë ndër elementet psikologjike, të cilat do të rriten dhe bëhen më ndikuese tek njerëzit. Një intensitet i shtuar dhe një prezencë afatgjate e tyre mund të sjell edhe shfaqjen e çrregullimeve të shëndetit mendor, si të ankthit, depresionit e të tjera”, thekson Fanaj.

Në një publikim të Shoqatës Psikologjike Amerikane, psikologët kanë gjetur se izolimi mund të rrit mundësinë e paraqitjes së efekteve psikologjike negative duke përfshirë simptomat e stresit post-traumatik, të hutimit dhe zemërimit.

Lidhur me atë se sa po i kushtojnë rëndësi institucionet kësaj pjese të shëndetit, Fanaj që njëkohësisht është edhe drejtor i Qendrës për Shëndet Mendor në Prizren, tregon se kjo qendër është duke ofruar ndihmë të vazhdueshme për individët dhe grupet në nevojë. 

…Jemi duke ofruar shërbime psikiatrike dhe psikologjike edhe përmes vizitave shtëpiake, përcjelljes së personave me sëmundje serioze mendore, konsultave telefonike. Një lehtësim ka qenë vazhdimi i ofrimit të mbështetjes psikologjike përmes platformës online UNË E LUFTOJ DEPRESIONIN, që është duke u implementuar qe 4 vite në këtë qendër përmes një projekti të BE-së”, shprehet Naim Fanaj. 

Sipas tij, në këtë platformë psikoterapeutike për depresionin e butë dhe të mesëm kanë pasur qasje rreth 250 persona.

Që nga shfaqja e koronavirusit në Kosovë, mediat kanë raportuar për disa raste të vetëvrasjeve, më i njohuri ai i Agon Musliut, që ishte hedhur nga kati i shtatë i njërit prej konvikteve ku ishte i karantinuar.

Policia e Kosovës njofton se për pesë muaj kanë ndodhur 12 vetëvrasje, ndërsa kanë qenë edhe 41 tentime për vetëvrasje.

…Bazuar në të dhënat e sistemit informativ të PK-së, për rastet ‘Vetëvrasje’ dhe ‘Vetëvrasje në tentativë’ për periudhën kohore mars-korrik 2020 të dhënat janë: vetëvrasje -12 raste, ndërsa vetëvrasje në tentativë – 41 raste”, thuhet në një email nga Policia e Kosovës për KosovaLive.

Psikiatri Fanaj, nga ana tjetër, nuk është i bindur se në këto kohë ka pasur shtim të numrit të vetëvrasjeve dhe shton se faktorët e vetëvrasjeve janë kompleks.

Edhe Bind Skeja, psikologu dhe drejtori ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare për Informim dhe Përmirësim Social, thotë se në Kosovë, për shkak të mungesës së hulumtimeve është problem të identifikohen shkaktarët e vetëvrasjeve, ndërsa në nivel botëror ai mendon se ndikuesit kryesor janë humbja e rrjeteve përkrahëse dhe rritja e stresit.

…Gjatë karantinimit një numër i madh i personave në rrezik për vetëvrasje i kanë humbur shumë faktorët përkrahës, që kanë pasur ndikim tek ta. Gjithashtu stresi i vazhdueshëm i pandemisë dhe pasigurisë që vjen prej saj vazhdon të ndikojë negativisht në shëndetin mendor të qytetarëve”, vlerëson psikologu Skeja.

Gjatë vitit 2019, Skeja ka lansuar edhe linjën telefonike “Linja  e Jetës”, e cila ka për qëllim parandalimin e vetëvrasjeve në vendin tonë. Ai refuzon të tregojë numrin e personave që kanë thirrur këtë linjë gjatë kohës së pandemisë, duke i cilësuar këto informacione si konfidencial, ndërsa thotë se kjo bëhet për shkak të prezencës së stigmës në Kosovë.

 “Linja po synon të krijojë besueshmëri totale prej thirrësve tanë, Prandaj, detajet nuk diskutohen edhe nëse nuk janë relevante për thirrësit”, këmbëngul Skeja.

Përveç vetëvrasjeve, shtim të rasteve ka pasur edhe sa i përket dhunës në familje. Sipas organizatës jo-qeveritare SIT, e cila së fundmi ka nxjerrë një hulumtim lidhur me dhunën në familje në kohë pandemie, në periudhën shkurt-maj 2020 janë raportuar gjithsej 664 raste të dhunës në familje. Kjo shifër është 28% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Numrin më të madh të rasteve të raportuara ka Prishtina – 239, pasuar nga Prizreni e Peja me nga 80 raste, që ndiqen nga Gjakova me 75, Gjilani me 65, Ferizaj ka 58 raste të raportuara, pastaj Mitrovica e Jugut 46 dhe Mitrovica e Veriut me 21 raste të raportuara për dhunë në familje.

Sipas psikiatrit Fanaj, nuk ka një një analizë të strukturuar të faktorëve kontribues, dhe nuk mund të thuhet se akterët e dhunës familjare i kryejnë këto veprime vetëm për shkak të problemeve me shëndetin mendor.

“…nuk përjashtohet mundësia që edhe rastet e personave, që kanë probleme serioze të shëndetit mendor të jenë edhe kryerës, por edhe përjetues të kësaj dhune”, shprehet Fanaj.

Ai shprehet i shqetësuar për disa prej faktorëve që mund të sjellin nivele më të larta të çrregullimeve të ankthit, depresionit dhe stresit post-traumatik dhe për mundësinë e përkeqësimit së të sëmurëve mendor kronikë.

Frika nga infektimi, frika dhe pasiguria për të ardhmen, frika për rrënimin ekonomik/problemet financiare…Kjo do të kërkojë burime dhe shërbime më të shumta të shëndetit mendor në nivel vendi”, përfundon psikiatri Naim Fanaj.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM