Build Skills with our trainings

Sign up now!

COVID-19: Më shumë kohë e punë për gratë, më pak ndihmë nga burra

Kor 17, 2020

Punët e shtëpisë gjithmonë janë konsideruar si punë “për gra” dhe për vite të tëra njihen si detyrim vetëm i gjinisë femrore, ndonëse barazia mes bashkëshortëve është parim për rregullimin e marrëdhënive sipas Ligjit për Familjen të Kosovës, përkatësisht nenit 3 të këtij ligji.

Gjithsesi, punët si pastrimi apo gatimi për familjen ka nisur të kryhen edhe nga burrat, edhe pse duhet ende kohë për një ndarje plotësisht të barabartë.

Sadije Blakaj,  47 vjeç, thotë se për punët e shtëpisë, ndonjëherë e ndihmon edhe bashkëshorti.

“Po, ndonjëherë, më ndihmon. Bashkëshorti më shumë më ndihmon rreth pastrimit të enëve, ose edhe rreth përgatitjes së ushqimit”, tregon ajo.

Bashkëshorti i saj, Ali Kabashi, 48 vjeç, punët e shtëpisë nuk i konsideron vetëm punë grash, por mundohet ta ndimojë gruan e tij.

“Sigurisht, që punët e shpisë nuk janë veç për gra. Unë, times i ndihmojë, rreth pastrimit, për shembull. Përderisa te dytë, jetojmë aty, hamë aty, duhet me i ba edhe këto punë”, thotë Kabashi.

Themelusja e faqes së Facabook-ut,”Gratë”, Shqipe Palloshi-Zumberi, mendon se këto punë u janë mveshur si obligim, grave, për shkak se, sipas saj, punët e shtëpisë kërkojnë më pak forcë fizike, krahasuar me ato që bëjnë burrat. Ajo vlerëson se bashkëshortët duhet të kenë konsideratë e mëshirë për njëri-tjetrin.

“Unë mendoj se duhet parë obligimet e familjes si tërësi dhe ato duhet të ndahen në mënyrë të drejtë”, thekson Palloshi-Zumberi.

Neni 4 i Ligjit për Familjen, ua garanton trajtimin e barabartë të të drejtave dhe detyrimeve, të gjithë personave. 

“Nuk do të ketë diskriminim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndaj asnjë personi apo personave në bazë të gjinisë, moshës, gjendje martesore, gjuhës, paaftësisë mendore apo fizike, orientimit seksual, përkatësisë apo bindjeve politike, prejardhjes etnike, kombësisë, religjionit apo besimit, racës, prejardhjes shoqërore, pasurisë, lindjes apo gjendjes tjetër” thotë tutje, ky nen.

Në  një anketë të realizuar nga KosovaLive më 2017, kishin marrë pjesë 20 persona të gjinisë mashkullore, gjysma në mes 24-35 vjeç, ndërsa gjysmatjetër mbi 45 vjeç.

Shtatë prej të anketuarve të grupmoshës së parë (24-35) kishin deklaruar se ndihmojnë në kryerjen e punëve të shtëpisë, ndërsa nga ata të moshës mbi 45 vjeç, vetëm katër ndihmonin në kryerjen e punëve të shtëpisë.

Pjesëmarrësit e kësaj ankete ishin pyetur se pse nuk ekziston barazia në ndarjen e këtyre punëve. Të anketuarit u përgjigjën se punët e shtëpisë janë punë grash, ndërsa burrat duhet të bëjnë punë tjera për të mbajtur familjen.

Mbyllja në shtëpi për rreth tre muaj, bëri që njerëzit të kenë më shumë kohë të lirë.

Gjatë kësaj periudhe, burrat ndihmuan më pak gratë e tyre rreth punëve të shtëpisë.

Kabashi thotë se të punuarit nga shtëpia, i ka dhënë më shumë kohë të lirë gruas së tij, dhe si rrjedhojë, sipas tij gruja ka pasur më shumë kohë për punët e shtëpisë edhe pse edhe ai e ka ndihmuar ndonjëherë.

“Në këtë kohë gruaja ka pas më shumë kohë për me u marr me punët e shtëpisë, po najherë kur ka pas nevojë ose ka qenë nxanë me punën e saj, i kam ndihmu edhe unë, por ma pak se herave tjera, kur ishim dytë në punë.”

Ndërsa, edhe Sadija pohon se burri i saj, gjatë karantinimit, e ka ndihmuar më pak.

“M’ka ndihmu, po ma pak, se unë kam qenë në shtëpi, kam pasur kohë i kam kry k’to punë, po najherë kur kam pas ma shumë ose m’u ka dasht me u marr me dy tri punë njëkohësisht, m’ka ndihmu edhe burri e najherë edhe djemtë”, tregon Blakaj.

Jo vetëm në Kosovë ndarja e punëve të shtëpisë mes burrave dhe grave ka dalluar në baza gjinore, kjo ka ndodhur edhe në vendet e tjera të botës.

 Në një artikull të publikuar nga Balls State University, theksohet se gratë janë ato të cilat kanë bërë më shumë punë gjatë periudhës së pandemisë. 

Aty  është raportuar nga nënat se 25 % e punëve të shtëpisë janë bërë nga partnerët e tyre. Ndërsa, 45% raportuan se kanë kaluar më shumë kohë për kujdesjen  e fëmijëve të vegjël në përgjithësi.

Ndërsa, sipas raportit nga Council On Contemporary Families (CCF), në Austin-Texas shihet se ka një rritje të përqindjes për punët e shtëpisë, para fillimit të pandemisë dhe gjatë pandemisë. Aty përmendet se para fillimit të pandemisë, 26 %  e prindërve raportuan se kanë ndarë punët e shtëpisë. 

Kurse pasi kishte filluar pandemia, 41 % e prindërve raportuan për ndarjen e punëve të shtëpisë me partnerët e tyre. 

Diellëza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM