Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla takuan kryeministrin e Belizesë, John Briceño.
Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për kultivimin e raporteve të mira ndërmjet dy vendeve si dhe bashkëpunimin ndërshtetëror.
Në funksion këtyre raporteve është edhe nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit për konsultime bilaterale nga dy ministrat e Jashtëm, Gërvalla dhe Eamon Courtenay.
Me këtë memorandum synohet forcimi i mëtejmë bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të dy shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, paqen, sigurinë dhe shumë fusha të tjera.
“Memorandumi i zgjeron mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, tha presidentja Osmani.
Ndërkaq kryeministri Briceño shprehu mbështetje për Kosovën, teksa Presidentja Osmani kërkoi angazhimin e Belizesë në procesin e njohjes dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.