Ministri i Drejtësisë Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në takimin e parë bilateral dhe virtual mes Republikës së Kosovës dhe EUROJUST.
Në këtë takim virtual, i cili kryesohej nga presidenti i EUROJUST, Ladislav Hamran, Ministri Selimi tregoi se sa e rëndësishme është vendosja e bashkëpunimit mes EUROJUST dhe Republikës së Kosovës.
Të dy bashkëfolësit e konsideruan këtë si një hap historik për fillimin e bashkëpunimit me qëllim të vendosjes së marrëveshjes bilaterale mes Kosovës dhe EUROJUST.
“Natyrshëm rrjedh se ekziston një nevojë e domosdoshme, për EUROJUST dhe Republikën e Kosovës për të vendosur bashkëpunim si partnerë strategjikë, në mënyrë që të forcojmë rrjetin tonë në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare. Autoritetet gjyqësore kosovare shpresojnë të përfitojnë nga mjetet praktike të bashkëpunimit të ofruara përmes EUROJUST, nga lehtësimi i ndihmës së ndërsjellë juridike, përdorimi i instrumenteve të njohjes reciproke dhe koordinimi i çështjeve penale”.
Në këtë frymë, ministri Selimi ka shprehur vullnetin e plotë të institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit mes shtetit të Kosovës dhe EUROJUST.
“I nderuar President Hamran, kujtoj që EUROJUST tashmë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me të katër vendet fqinje të Kosovës. Bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë shkon përtej politikës. Kosova me hapjen e këtij bashkëpunimi do të jetë pjesë e EUROJUST dhe një hap para integrimit euroatlantik. Vendosja e bashkëpunimit me Kosovën gjithashtu, do të prodhonte rezultate më efektive dhe të qëndrueshme në luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar në rajon. Prandaj, unë shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur interesimin tonë për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme për të përfunduar një marrëveshje bashkëpunimi midis EUROJUST dhe Kosovës, e cila do të vendoste bazat për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët për drejtësi dhe siguri”.
Për herë të parë Republika e Kosovës është ftuar që të marrë pjesë në takimin bilateral virtual të EUROJUST.
“Me shumë kënaqësi po ju drejtohem sot në këtë konferencë virtuale dhe për herë të parë duke marrë pjesë në një forum të EUROJUST. Në të vërtetë, dy muajt e fundit kanë qenë shumë përpjekës për të gjithë ne. Kriza e COVID-19 ka qenë shumë sfiduese për shoqërinë tonë dhe gjyqësorin në të gjithë vendin. Masat e marra në nivel kombëtar për të parandaluar përhapjen e virusit patën një efekt pasues në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështje penale.
Sidoqoftë, Kosova mbetet e vendosur në përpjekjet e saj në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare dhe përfundimisht drejt sundimit efektiv të ligjit dhe zbatimit të drejtësisë. Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar i frytshëm është thelbësor për arritjen e këtyre objektivave. Operacionet e Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, në cilësinë e saj si Autoritet Qendror, janë ndikuar nga situata aktuale në një masë të dukshme. Kjo ka sjellë në sipërfaqe, edhe një herë, nevojën e institucioneve tona për mbështetje efikase dhe cilësore të autoriteteve kompetente dhe forcimin e bashkëpunimit operacional me partnerët kryesorë në rastet e krimeve të rënda ndërkufitare, duke iu përshtatur këtij mjedisi në ndryshim.
Kështu, natyrshëm rrjedh se ekziston një nevojë operative për EUROJUST dhe Republikën e Kosovës për të vendosur bashkëpunim si partnerë strategjikë, në mënyrë që të forcojmë rrjetin tonë në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare. Autoritetet gjyqësore kosovare shpresojnë të përfitojnë nga mjetet praktike të bashkëpunimit të ofruara përmes EUROJUST, nga lehtësimi i ndihmës së ndërsjellë juridike, përdorimi i instrumenteve të njohjes reciproke dhe koordinimi i çështjeve penale.
I nderuar President Hamran, kujtoj që EUROJUST tashmë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me të katër vendet fqinje të Kosovës. Bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë shkon përtej politikës. Kosova me hapjen e këtij bashkëpunimi do të jetë pjesë e EUROJUST dhe një hap para integrimit euroatlantik. Vendosja e bashkëpunimit me Kosovën gjithashtu, do të prodhonte rezultate më efektive dhe të qëndrueshme në luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar në rajon.
Prandaj, unë shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur interesimin tonë për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme për të përfunduar një marrëveshje bashkëpunimi midis EUROJUST dhe Kosovës, e cila do të vendoste bazat për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët për drejtësi dhe siguri”.