Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos së Kosovës në Pejë.
“Jam shumë i nderuar dhe i lumtur, që sot po i hapim dyert e kësaj ndërtese e cila është realizuar në bashkëpunim me Federatën Botërore të Xhudos dhe Federatën e Xhudos së Kosovës”, tha në fjalën e rastit kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti iu falënderua të dy partnerëve të këtij projekti për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të xhudos në Kosovë.
“Bashkërisht, u kemi ndërtuar shtëpi të re kampionëve aktualë olimpik dhe kampionëve të tjerë të ardhshëm”, tha kryeministri duke shprehur besimin se Qendra Nacionale e Xhudos do të bëhet shtëpi edhe e shumë kampionëve të tjerë olimpikë.
Kryeministri njoftoi që projektet e tilla do të vazhdojnë, duke ndërtuar hapësira të tjera të reja përcjellëse, në të cilat, siç tha ai, do të presim sportistë vendorë e të huaj – krejt kjo, me qëllim të rritjes së rezultateve tona sportive dhe të promovimit të sportit si mekanizëm për ruajtjen e mirëqenies sonë shoqërore.
“Le ta bëjmë sportin te ne, kulturë tonën”, shtoi ai.
Në përmbyllje të fjalës, kryeministri Kurti tha se është sfidë e jona e përbashkët që ta vazhdojmë traditën e sukseseve sportive në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi se shtetet e rajonit, Evropës dhe të botës, tashmë e kanë kuptuar kapacitetin që ne e kemi.
“Nuk mund t’i befasojmë më. Është lufta jonë e radhës, t’i bëjmë të pranojnë vendin që e zë Kosova në hartën e botës”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kam kënaqësinë që të jem sot këtu, për të shënuar një fillim të ri të sportit të xhudos në Kosovë. Për dallim nga herat e kaluara, ku kryefjala ishin sukseset e xhudistëve tonë, kësaj radhe po e shënojmë ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Kosovë.
Urime të gjithëve.
Këtu, në këtë vend të rrethuar me Malet e Rugovës – në këtë lagje të Pejës, Kosova prodhoi katër kampionë Olimpikë, tre sportistë e një trajner – Majlindën, Distrian, Norën dhe Dritonin.
Ju që vini nga ky vend i maleve të larta e keni lartësuar gjithë vendin tonë dhe secilin qytetar të tij.
Këto male dinë shumë për ju, kanë parë e kanë dëgjuar rrugëtimin tuaj sfidues drejt sukseseve në sport. Ju kanë përcjellur për rrugë të mbarë në çdo garë që keni përfaqësuar Kosovën deri tash, dhe ju kanë pritur krah-hapur, sepse në çdo kthim ja keni shtuar vlerën me medaljet e juaja.
Duke ju falënderuar juve të dashura kampione, malet e Rugovës janë bërë Olimpi ynë sportiv. Apo, siç do të thoshte poeti Ervin Hatibi, “malet e larta përulen para jush”.
Padyshim, nevoja për infrastrukturë sportive është tejet e rëndësishme për zhvillimin e sportit. Besa, disa prej sporteve as nuk mund të ushtrohen pa infrastrukturë adekuate e me standarde ndërkombëtare.
Mirëpo, rrallëherë, dëgjojmë tregime të tilla – ku fillimisht fitojmë medalje Olimpike, e pastaj e ndërtojmë infrastrukturën. Kjo edhe është storja juaj e suksesit.
Kjo qendër, nuk do të ishte as e njëjtë dhe as e mundur pa suksesin tuaj të deritanishëm. Sot, kjo qendër do të ndihej e zbrazët pa ju.
Kjo qendër është, sepse ju jeni në qendër.
Ekipi i xhudos, jeni shembulli që duhet ta ndjekim në të gjitha fushat tjera sepse kur ka punë, suksesi nuk qëndron larg pavarësisht se prej nga vjen ai.
Jam shumë i nderuar dhe i lumtur, që sot po i hapim dyert e kësaj ndërtese e cila është realizuar në bashkëpunim me Federatën Botërore të Xhudos dhe Federatën e Xhudos së Kosovës.
Për të dy partnerët e këtij projekti: “Faleminderit për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të xhudos në Kosovë”. Bashkërisht, u kemi ndërtuar shtëpi të re kampionëve aktual olimpik dhe kampionëve të tjerë të ardhshëm.
Dua të them, se deri më tani, nuk ka asgjë më madhështore, e asnjë sukses më meritor për të cilin shteti ynë duhet të kontribuoj e investoj.
Andaj, po shfrytëzoj rastin t’ju informoj se ky projekt do të vazhdojë edhe më tutje, duke ndërtuar hapësira të tjera të reja përcjellëse, në të cilat do të presim sportistë vendorë e të huaj – krejt kjo, me qëllim të rritjes së rezultateve tona sportive dhe të promovimit të sportit si mekanizëm për ruajtjen e mirëqenies sonë shoqërore. Le ta bëjmë sportin te ne kulturë tonën.
Ashtu siç kam thënë më herët, po e them përsëri, sporti është prioritet shtetëror. Andaj, njësoj sikur këtë qendër sot, në vazhdim do t’i përurojmë edhe qendrat e tjera sportive të cilat janë në planifikim apo në ndërtim e sipër.
Qëllimi jonë i përbashkët duhet të jetë që të rrisim numrin e të rinjve që merren me sportin e xhudos, e njëkohësisht të punojmë që në Lojërat Olimpike të ardhshme, të fitojmë edhe medalje të tjera.
Kjo do të jetë edhe më e lehtë për të gjithë, e veçanërisht për Dritonin, konsideruar se tash Majlinda do të jetë pjesë e ekipit të tij të trajnerëve. Është kënaqësi e jashtëzakonshme kur një kampione Olimpike si Majlinda, vazhdon rrugëtimin e saj në sport edhe pas përmbylljes së karrierës së saj aktive.
Është edhe më madhështore kur kjo qendër në krye të trajnerëve ka Majlinda Kelmendin.
Për këtë, sot këtu para jush, ju njoftoj që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të propozojë vendimin për shpalljen e Majlindës – Qytetare me Merita të Veçanta.
Për atë çfarë Majlinda i ka sjellë vendit tonë, kjo është më e pakta që ne mund të bëjmë për të personalisht – përtej investimeve që bëhen në sportin e xhudos, apo në klubin Ippon.
Po ashtu, nesër do të nënshkruhen vendimet për shpërblimet e dy kampioneve të reja Olimpike, Norës dhe Distrias. Që të tria bashkë, e keni vendosur Pejën në hartën e botës dhe e keni ranguar Kosovën në piedestal kundrejt shteteve të tjera.
Për një moment, të duket imagjinare ta mendosh se Kosova triumfon para shteteve që janë fuqi botërore. Por në fakt, është realitet të cilin të gjithë ne po e gëzojmë e të gjithë ne duhet ta dimë e ta vlerësojmë.
Është sfidë e jona e përbashkët që ta vazhdojmë traditën e sukseseve sportive në arenën ndërkombëtare. Shtetet e rajonit, Evropës dhe të botës, tashmë e kanë kuptuar kapacitetin që ne e kemi. Nuk mund t’i befasojmë më. Është lufta jonë e radhës, t’i bëjmë të pranojnë vendin që e zë Kosova në hartën e botës.
Uroj që të gjithë ta gëzoni këtë hapësirë stërvitore, që të mos ju ndalen sukseset asnjëherë. Besoj se ky projekt do të sigurojë vazhdimin e suksesit tuaj në të ardhmen. Nuk kam dyshim se ky vend do të bëhet shtëpi edhe e shumë kampionëve të tjerë olimpikë.
Ju faleminderit shumë dhe e gëzofshit Qendrën Olimpike.
Suksese të gjithëve.