Krahas patologjive të shumta të cilat i trajton, kohëve të fundit Kirurgjia Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po bën trajtimin dhe operimin e grave, pas karcinomës së gjirit-rekonstruktimi i gjirit (riformimi i gjirit).
Përveç problemit shëndetësor gjatë kancerit të gjirit, problem madhor është edhe gjendja psikologjike e pacienteve post operative, pas operimit/amputimit të gjirit, e cila, përpos që shkakton problem fizik, paraqet edhe problem psikologjik te gratë e sëmura.
Rikthimi i jetës normale tek një grua, është shumë me rendësi. Një gjë e tillë mund të arrihet përmes operacioneve rekonstruktive, të cilat mundësojnë formimin e gjirit të ri përmes teknikave të ndryshme operative në Kirurgjinë Plastike.
Andaj, në muajin tetor, muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, Kirurgjia Plastike fton të gjitha gratë, vajzat, nënat dhe të gjithë ato të cilat janë operuar nga karcinoma e gjirit, që të shkojnë të trajtohen aty për rikonstruktimin e gjirit.
Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike ofrohen të gjitha metodat rekonstruktive, si rekonstruksioni i hershëm dhe i vonshëm me këto metoda operative: Ind autolog-mikrokirurgji(latisimus dorsi, DIEP, SGAP, etj), si dhe me anë të implanteve apo protezave të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të ShSKUK-së.