Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shtresa e ulët, peng i premtimeve dhe mungesës së vullnetit politik

Tet 21, 2020

Skemat qeveritare të politikanëve kanë përfshirë shtresat e varfëra nëpër  premtimet e tyre mirëpo, përmirësime në këtë drejtim nuk po shihen tash e disa vite. E tani, çfarë ka vështirësuar edhe më shumë jetën, është pa dyshim kriza COVID-19 e cila rrezikon të përmbysë dekadat e progresit në luftën kundër varfërisë.

Të rinjtë dhe fëmijët nga familjet e varfra, të rrezikuarit nga gjendja sociale e vështirë, (përfshirë anëtarët e komunitetit rom dhe ashkali) dhe personat me aftësi të kufizuara, nuk gëzojnë qasje të barabartë në shërbimet vitale shëndetësore dhe arsimore.

E gjitha kjo ndodh për shkak të pengesave financiare, mungesës të investimeve, mosinteresimi i prindërve, çështjet e distancës/transportit dhe diskriminimit.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i publikuar më 6 tetor 2020, thotë se Kosova mbetet më e varfra në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë dhe papunësi masive. Vlerësohet se 18% e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1% e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë ekstreme me më pak se 1.9 dollar në ditë.

“Shpenzimet e përgjithshme për mbrojtjen sociale arrijnë në 6 përqind të bruto produktit vendorë, ku shuma më e madhe shkon për pension dhe pagesa për veteranët e luftës. Si rezultat, i kësaj më pak se 0.5 përqind e bruto produktit vendor ndahet ne skemën e ndihmës sociale” thotë Besnik Vasolli, njohës i çështjeve ekonomike dhe ekspert i integrimeve europiane.

Ai thotë se Kosova duhet gjithmonë të ketë parasysh që të gjitha sfidat e një vendi dhe rajoni, pasqyrohen në kualitetin e jetës.

Sipas Vasollit, institucionet tona duhet të adresojnë të gjitha mangësitë duke filluar nga sundimi i ligjit, arsimi, mbrojtja e ambientit, marrëdhëniet etnike dhe fqinjësore e deri tek reformat e nevojshme në administratë publike, energji dhe ambient të bërit biznes.

“Të gjitha këto por edhe më shumë ndikojnë në mungesë të zhvillimit ekonomik, ndikojnë në papunësi, në varfëri, në pabarazi e deri tek aspektet e sigurisë”thotë Vasolli.

Ai thotë se zhdukja e varfërisë dhe diskriminimit po e sfidojnë në masë të madhe Kosovën por edhe tërë rajonin. Kosova ka ndërmarrë disa veprime për të adresuar këto sfida por nuk është treguar shumë e suksesshme.

“Përpos shumës së ulët që ndahet për të nxjerrë familjet e varfra nga kjo situate, skema aktuale dhe e vetme ka disa parametra që i demotivojnë të rriturit që përfitojnë nga kjo skeme, të kërkojnë punë, pasi që do e humbisnin ndihmën sociale nëse njeri nga ta punësohet”.

Vasolli thotë se Kosova duhet të bëjë më shumë për grupet e cenuara, të investojë në shkollimin e gjitha komuniteteve, të prioritizojë zhvillimin ekonomik duke ndërmarrë disa hapa konkretë, të analizojë sektorët të cilës Kosovës mund t’i gjenerojnë të hyra dhe vende të punës.

“Pra të koncentrojë tërë aftësitë ekonomike por edhe politike që Kosova të behët anëtare e BE-së dhe kështu në 2 dekadat e ardhshme Kosova të bëhet një vend krejt ndryshe prej këtij që sot e kemi”përfundon ai.

Pothuajse të gjitha të këqiat shoqërore kanë të bëjnë me varfërinë, varfëri konsiderohet mungesa e një shume të caktuar të pasurive materiale ose të parave. Me varfërinë vjen mungesa e ushqimit, shërbimeve shëndetësore, nevojave themelore të njeriut dhe të tjera.

E gjithë kjo mungesë mund të çojë edhe në probleme të tjera si shkrim-lexim të dobët, papunësi, kequshqyerje etj. Për shkak të mungesës së parave një person i varfër nuk është në gjende të marrë arsim dhe për këtë arsye mbetet i papunë.

Edhe sipas Shemsi Jasharit, njohës i çështjeve politike, shumë pak është punuar në këtë drejtim dhe se administrimi ndërkombëtar, deri në shpalljen e pavarsisë e as politika kosovare më pas nuk janë interesuar për shtresën e varfër e të mesme. Rrjedhimisht, janë shikuar më shumë temat politike e jo ato ekonomike.

“Secila qeveri derisa ka ardhur në pushtet ka prekur shtresat e varfëra, me premtime për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës. Por në realitet asnjëra prej tyre që kanë qeverisur, nuk kanë arritur ta bëjnë këtë”, thotë Jashari.

Rezultat i kësaj, sipas tij, është një numër i lartë i qytetarëvë pa punë dhe kjo gjë ka reflektuar me ikjen e një numri të madh të qytëtarëvë jashtë vendit, me theks të veçantë të rinjtë, të cilët nuk shohin përspektivë në Kosovë.

“Instalimi i mentalitetit klientelist dhe nepotist në vend nga partitë politike, ka bërë që qytetaraët në masë të madhe të humbin besimin në sistem dhe për gjërat me të vogla duhet pasur dikë në pushtet për të kryer punë”, thotë Jashari.

Jashari paralajmëron se derisa të vazhdojë ky mentalitet qeverisës, varfëria në Kosovë vetëm do të rritet dhe më keq do të kemi zbrazje të vendit në kërkim të një jete më të mirë ne perendim. Ai gjithashtu paralajmëron se çdo vonesë për të mbeshtetur ekonominë vendore nga qeveria do të ketë pasoja shumë të mëdha në vitin 2021.

Kombet e Bashkuara ndër qëllimet parësore kanë zhdukjen e varfërisë në gjithë vendet, e tani ata janë përqëndruar në Fondin e Reagimit dhe Rimëkëmbjes. Ky fond synon të mbështesë në mënyrë specifike vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme si dhe grupe të cenueshme të cilët po mbajnë në mënyrë disproporcionale ndikimet socio-ekonomike të pandemisë.

Muhamet Kelmendi, doktor i shkencave politiko-juridike, thotë se në vendin tonë kemi varfëri të skajshme dhe ajo arrin deri në 30 përqind të popullsisë.

“E tërë mosha e vjetër jeton me lëmoshë, sepse me 90 euro nuk sigurohet asgjë për ta. Janë duke jetuar shumë rënde e varfër”, thotë Kelmendi.

Ai gjithashtu thotë se duhet bërë një analizë mbi ndihmat sociale dhe mbi pensionet, dhe shton se politika ndaj gjendës së rëndë ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës është një dukuri që të gjitha qeveritë nuk e kanë marrë me seriozitet përkundër faktit që është shumë e rëndë.

Kelmendi konsideron se urgjentisht duhet të punohet në disa drejtime të cilat përfshijnë rritjen e të ardhurave minimale në 350 euro.

“Pra, të thellohet edhe më shumë mbrojtja në punë, rritje e ndihmave sociale dhe gjithashtu edhe pensioni i pleqëve. Përpos këtyre, të zbriten të ardhurat personale në sektorin publik, të gjithë atyre që marrin mbi 2 mijë euro në muaj. Sigurimi shëndetësor të jetë falas dhe të luftohen keqpërdorimet, vjedhjet e dukuritë tjera negative”.

Ai beson se duhet vetëm vullnet politik që të rregullohet kjo gjendje e rëndë, e në qoftë se nuk ndodh një gje e tillë gjendja do të keqësohet edhe më shumë sipas tij.

Edhe statistikat e varfërisë për vitet 2012 dhe 2017 të bëra nga Banka Botërore në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë ardhur në përfundim që shkalla e varfërisë është me e larta në mesin e ekonomive familjare, që burim kryesor të të ardhurave kanë ndihmat sociale.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM