Policia e Kosovës arreston dy të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.
Policia kufitare, gjatë zbatimit të Planit Operativ ‘Ditët e veprimit të përbashkët 2021’, në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë, gjatë kontrollit të personave dhe automjeteve, kanë dërguar për kontroll në ‘vijën e dytë’ një veturë me targa vendore që vinte nga Serbia për në Republikën e Kosovës.
Gjatë kontrollit të detajuar të veturës, janë gjetur 75 (shtatëdhjetë e pesë) copë fishek të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12/70, për të cilët drejtuesi i automjetit Q.S., (viti i lindjes 1999, mashkull kosovar) nuk posedonte leje dhe nuk i kishte deklaruar se i kishte në veturë.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitja e paautorizuar e ameve apo materieve plasëse’ dhe të kryhet kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit në fshatin Karaçevë e Epërme-Kamenicë, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë e gjuetisë, 47 copë fishekë dhe një armë e ftoftë (thikë/bajonetë).
Policia me këtë rast ka intervistuar edhe një të dyshuar të dytë A.S., (viti i lindjes 1972, mashkull kosovar) për përfshirje në veprën penale të lartcekur. Me aktvendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt, thuhet në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës.




