Kosova ka për qëllim që përmes ligjeve të saj të promovojë krijimin e mjedisit të shëndetshëm për popullin e Kosovës, me sjelljen graduale të standardeve të Bashkimit Evropian për mjedis.
Ndotja është njëri ndër shkaqet përmes së cilës bëhët helmimi i ajrit, ujit, tokës dhe përmes tyre sigurisht edhe shkaktohet zhurma, me ç’rast shkatërrimi i tokës vazhdon në mënyrë të pandalshme.
Për më tepër, përmes ndotjes shkaktohen edhe mbeturinat në trupat ujor, në tokë dhe në ajër. Shumica e këtyre mbeturinave përmbajnë materiale të dëmshme dhe helmuese që përhapen shumë lehtë për shkak të lëvizjes së trupave ujorë dhe erës.
Turizmi dhe mjedisi lidhen shumë më njëra tjerën, mirëpo marrëdhënia e këtyre dyjave është paksa komplekse. Me ndërtimin e qendrave të reaksionit, hoteleve, ndërtesave të larta të cilat do të ndikonin në turizëm më të madh, në të njejtën kohë do të kishin ndikim negativ në shkatërrimin e mjedisit.
Në anën tjetër, turizmi ka potencial për të rritur vëmendjen e publikut për mjedisin dhe për të përhapur ndërgjegjësimin e problemeve mjedisore. E gjitha kjo përballje mund të rrisë perceptimin për vlerat e natyrës dhe të çojë në ndërgjegje mjedisore, sjellje dhe aktivitete të ndryshme të cilat ndikojnë në ruajtjen e mjedisit.
Ish-specialisti i Menaxhimit Mjedisor dhe Social në Fondacionin Mijëvjeçarit Kosovë, Agron Bektashi thekson se Kosova disponon kapacitete të mira për turizëm dhe ai mendon se me një planifikim më të mirë në nivel shtetëror dhe me investime afatgjata kjo degë mund të bëhet pjesë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës.
“Turizimi është veprimtari komplekese dhe ka kërkesa specifike përfshirë infrastrukturë të mirë, shërbime të mira, siguri të lartë por mbi gjitha mjedis të pastër”, thotë ai.
Megjithatë, Bektashi numëron gabimet që janë bërë në “përmirësimin’ e turizmit”, duke thënë se gjendja në Republikën e Kosovës nuk është në nivelet e duhura.
“Kjo vjen si rezultat i zhvillimit të pakontrolluar në sektorin industrial, teknologjisë joadekuate industriale, shkarkimeve të pakontrolluara të gazrave në ajër dhe të ujërave të ndotura në lumenj etj”.
Hysen Sogojeva, doktor shkence në fushën e turizmit, përmend se degradimi është një prej formave që e dëmton më së shumti turizmin dhe thekson se dy potencialet më të mëdha të turistikës – Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit, po dëmtohen më së shumti.
“Shteti dhe Qeveria duhet të marrë masa nëpërmjet rregullimit të legjislacionit veçmas në implementimin e tyre dhe t’i jap hapësirë Komunave që përmes inspektoriateve e gjërave që lidhen me këtë pjesë të marrin masat e nevojshme në preventimin e dëmtimit e ndotjes së pyjeve”, thotë ai.
Përpos degradimit ambiental, vështirësi tjetër shihet të jetë edhe kaosi urbanistik. Këtu përfshihen ndërtimet e parregullta, zënia e hapësirave më të mira për gjelbërim etj.
Sipas Ligjit për Ndërtim, një objekt i cili ndërtohet duhet t’i plotësojë kriteret minimale që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme përmes rezistencës së nevojshme të strukturës së hapësirave të emërgjencës, ekuilibrit dhe stabilitetit, e të tjera.
Sogojeva e sheh si çështje serioze kaosin urbanistik, pra kur jemi te ndërtimi i parregullt, pa ndonjë plan urbanistik dhe zënia e hapësirave më të mira për gjelbrim të gjitha këto ndikojnë shumë.
“Të gjitha qytetet e Kosovës kanë probleme me kaosin urbanistik dhe ai ndikon shumë edhe në ndotje, e prej saj sigurisht ndikohet edhe turizmi”, shprehet udhëheqësi i Divizionit të Hotelerisë dhe Standardeve Turistike.
Në anën tjetër, në Evropë gjithnjë e më shumë janë duke u bërë përpjekje për implementimit metoda e riciklimit të resurseve të cilat veçse i kemi përdorur ose mbeturinat e hedhura që janë të mbledhura diku.
Mbi 20 vende të Evropës marrin pjesë në “Zero Waste Europe“, qëllim i së cilës është ruajtja e të gjitha burimeve përmes rikuperimit të produkteve, paketimit dhe materialeve pa djegie, dhe pa shkarkime në tokë, ujë ose ajër që kërcënojnë mjedisin ose shëndetin e njeriut”.
Mirëpo, në Kosovë Sogojeva tregon se puna e riciklimit është në fazën fillestare dhe lë shumë për të dëshiruar.
“Riciklimi i planifikuar do të ndihmojë në avansimin e reduktimit të mbeturinave duke ndihmuar shumë që pikat turistike të Kosovës të jenë të pastërta”.
Edhe njohësi i çështjeve të turizmit, Zekë Çeku, pajtohet se duhet bërë më shumë për turizmin dhe ndotjen e mjedisit. Ai thotë se Qeveria, njerëzit dhe veprimtarët të cilët miren me turizëm duhet të përpiqen që të ruajnë natyrën nga degradimi ambiental, pasi që përmes shkatërrimit të tij, turizmi do të ulej padyshim.
“E kështu, çdo degradim ose ndikim negativ e dëmtojnë aspektin e eksperiencave ose përjetimeve nga ana e vizitorëve… Turizmi qëndron në dy shtylla kryesore nga aspekti i atraksionit, pra, trashëgimia natyrore dhe trashëgimia kulturore (e cila përfshin trashëgimia e ndërtuar, shtepitë e vjetra, objektet fetare, rrugët e vjetra etj)”.
Në Kosovën, me shumë probleme me çështje të ndryshme mjedisore dhe jo vetëm, të cilat paraqesin sfida të konsiderueshme të zhvillimit, institucionet nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë siç duhet me to.
Për këtë arsye, UNDP (Program për Zhvillim në kuadër të Kombeve të Bashkuara), fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve për të adresuar këto çështje mjedisore dhe për të menaxhuar në mënyrë të duhur burimet natyryrore të Kosovës.
UNDP përmes një programi të tyre të emëruar “Një Kosovë më e shëndetshme” kanë arritur rezultate mjaftë të mira sa i përket ndërgjegjësimit të popullsisë së përgjishme për ndikimet negative të ndotjes së ajrit në shendet.
Uranik Emini
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.