Përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar me ministren e MAShTI-it Arbërie Nagavci për t’i përcjellë asaj kërkesën e shumë mësimdhënësve nga e tërë Kosova, që pas situatës shumë më të qetë me pandeminë, të normalizohet në tërësi procesi mësimor.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri i kanë prezantuar këtë kërkesë ministres Nagavci duke e argumentuar me faktin se situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm dhe se janë krijuar kushtet që arsimit në Kosovë t’i kthehet në tërësi normalitetit duke nënkuptuar që paralelet e ndara në grupe të bashkohen prapë dhe orët mësimore të jenë në kohëzgjatjen e duhur.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë thënë se edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut e shtete të tjera e kanë normalizuar në tërësi procesin mësimor duke vazhduar me respektimin e masave mbrojtëse.
Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci është shprehur se edhe ajo ka qëndrim të njëjtë lidhur me këtë çështje dhe prandaj përkrah këtë propozim dhe se në takimet e komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera gjegjëse do të kërkojë që të aprovohet ky propozim me qëllim që në kohën më të shkurtër të mundshme të merret vendimi për normalizimin e plotë të procesit mësimor me zotimin se të gjitha palët të vazhdojnë me angazhimin, kujdesin dhe përkushtimin për ruajtjen e gjendjes së qetë e të favorshme në institucionet arsimore, thuhet në komunikatën për media e SBAShK-ut.




