Në shënim të Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilia Redžepi, mori pjesë në diskutimin “Fuqizimi i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara për të forcuar vendimmarrjen e tyre“.
„Personat e verbër dhe me shikim të dobësuar, veçanërisht gratë dhe vajzat, përballen me shumë vështirësi dhe shpesh jetojnë të izoluara dhe të përjashtuara nga familja dhe shoqëria“, tha zëvendëskryeministrja Redžepi.
Ajo theksoi përkushtimin e qeverisë për shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjithë qytetarët, burra dhe gra, djem dhe vajza, përfitojnë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë nga politikat dhe programet e qeverisë.
Ngjarja e sotme e organizuar nga Komiteti i Grave të Verbra të Kosovës, mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe nga UN Women në Kosovë, mundësoi diskutim dhe shkëmbim të përvojave dhe zgjidhjeve për integrimin e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në Kosovë, përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në arsim, tregun e punës dhe vendimmarrje, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.




