Me qëllim të forcimit të pozitës se prodhuesit vendor në treg, në linjë me Programin e Qeverisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan sot operacionalizimin e masave 2.1 – Mbështetja për kredi investive dhe 2.4 – Rritja e eksportit të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10 për qind, dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit, tha kryeministri Kurti në hapje të konferencës.
Ai vuri theksin te rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë, si motori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të një vendi.
“Investimi në prodhimtari nënkupton ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe shtim të vendeve të reja të punës e që përkthehet në rritje të aktivitetit ekonomik në vend dhe si rezultat edhe rritje të mirëqenies qytetare”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se pandemia na dëshmoi se prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi si për nga aspekti i sigurisë ekonomike ashtu edhe për nga aspekti i krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës.
“Pasojat ekonomike të pandemisë të cilat po përcillen edhe me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë: E para, si pasojë e shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve, shumë vende të Evropës po shohin vende që i kanë më afër si eksportues potencialë. Dhe e dyta, theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor ashtu që ekonomia e vendit të jetë e izoluar nga inflacioni i cili importohet së bashku me produktet që vijnë nga tregjet e ndara”, tha ai.
Sipas masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive, parashihet subvencionimi i kredive investive për bizneset prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 20 % të kredisë; subvencionimi i kredive investive për bizneset në pronësi të grave në vlerë prej 20 % të kredisë, si dhe subvencionimi i kredive për bizneset që kanë nevojë për likuiditet në vlerë prej 10 % të kredisë.
Në anën tjetër, masa 2.4 – Mbështetja e eksportit parasheh mbështetjen financiare për bizneset prodhuese dhe përpunuese në subvencionimin deri në 10,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit menaxherial për certifikim profesional; subvencionimin deri në 20,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit të angazhuar në prodhim; subvencionimin deri në 50,000 euro për aktivitet lidhur me brendimin dhe marketingun e produkteve; si dhe subvencionim deri në 50,000 euro për pjesëmarrjen në panaire jashtë vendit, si mundësi e gjetjes së tregjeve të reja, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10 për qind, dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit.
Aktiviteti ekonomik është shtuar për afër 30 për qind, eksportet janë rritur mbi 60 për qind e po ashtu janë arritur edhe të hyrat buxhetore për 34 për qind.
Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë, është motori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të një vendi.
Investimi në prodhimtari nënkupton ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe shtim të vendeve të reja të punës e që përkthehet në rritje të aktivitetit ekonomik në vend dhe si rezultat edhe rritje të mirëqenies qytetare.
Pasojat ekonomike të pandemisë të cilat po përcillen edhe me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë: e para, si pasojë e shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve, shumë vende të Evropës po shohin vende që i kanë më afër si eksportues potencialë. Dhe e dyta, theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor ashtu që ekonomia e vendit të jetë e izoluar nga inflacioni i cili importohet së bashku me produktet që vijnë nga tregjet e ndara.
Pra, pandemia na dëshmoi se prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi si për nga aspekti i sigurisë ekonomike ashtu edhe për nga aspekti i krijimeve të vendeve të qëndrueshme të punës.
Pavarësisht nga kjo prodhuesit tanë kanë treguar se vullneti dhe puna e palodhshme nuk ka munguar asnjëherë, por është dora e shtetit, ajo e cila nuk ka qenë e pranishme.
Nga komunikimet me bizneset prodhuese, çdoherë na është theksuar, se njëra nga problemet kryesore, është qasja në financa dhe kostoja e financimit, e po ashtu që janë të nevojshme kapacitetet njerëzore në procesin e prodhimit.
Jo rrallë herë, më ka ndodhur të dëgjoj nga prodhuesit tanë se janë detyruar të angazhojnë ekspertë, teknologë, kimistë, edhe nga vendet tjera, në mënyrë që ta sigurojnë cilësinë e produktit të tyre.
Pra, ekonomia me prodhimtari cilësore, do edhe profesionistë e ekspertë të lartë.
Gjithashtu, problem tjetër i cili është vënë në pah gjatë këtyre takimeve të shumta, është pabarazia me konkurrencën që vije nga jashtë, për shkak të produkteve të kompanive me buxhete milionëshe të marketingut.
Sfide tjetër është edhe gjetja e tregjeve të reja për eksport dhe plasimi i produktit në këto tregje.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar, që ta vëmë në lëvizje tërë kapacitetin diplomatik, për t’iu ndihmuar prodhuesve tanë, për të gjetur tregje të reja jashtë vendit, por deri sa të arrijmë aty, duhet të kemi edhe kapacitetet e nevojshme prodhuese brenda vendit, ashtu që të ripozicionohemi në zinxhirin global të furnizimit, i cili po përshtatet pas pandemisë.
Në linjë me Programin e Qeverisë dhe për të arritur këto synime, kemi përgatitur një sërë masash në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për të cilën do t’ia jap fjalën ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, zotëri Hekuran Murati, që t’i prezantojë, e më pastaj do ta hapim diskutimin edhe me juve të nderuar pjesëmarrës.