Në nderim të veprës së regjisores dhe ish-drejtoreshës së Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë vënë lule dhe kanë bërë homazhe në Teatrin Kombëtar.
Qysh në kohën e okupimit të Serbisë me aparteid të egër, e deri në ditët e fundit, Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi e puna e saj për teatrin dhe filmin, lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë, tha kryeministri Kurti.
“Me veprimtarinë dhe krijimtarinë e saj artistike, regjisorja Burbuqe Berisha ka lënë gjurmë që shkëlqejnë në teatrin dhe filmin tonë, në kulturën tonë. Vdekja na e rrëmbeu shumë herët, kurse kujtimi për të na mbetet i përjetshëm”, shkroi kryeministri Kurti në Librin e Zisë.
Veprimtaria dhe krijimtaria artistike e Burbuqe Berishës, padyshim që bën edhe kujtimin tonë për të të pashlyeshëm, por njëkohësisht ajo ngelet edhe si trashëgimi për brezat e artdashësve të cilët do të vijnë pas saj, tha më tej ai, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Erdhëm sot këtu në foajenë e Teatrit, që ajo e deshi aq shumë dhe për të cilën kontribuoi tërë jetën, që t’ia japim lamtumirën e fundit regjisores dhe artistes sonë Burbuqe Berisha. Qysh në kohën e okupimit të Serbisë me aparteid të egër, e deri në ditët e fundit, Burbuqe Berisha nuk është ndalur asnjëherë dhe angazhimi i saj e puna e saj për teatrin dhe filmin tek ne, lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë.
Veprimtaria dhe krijimtaria artistike e Burbuqe Berishës, padyshim që bën edhe kujtimin tonë për të të pashlyeshëm, por njëkohësisht ajo ngelet edhe si trashëgimi për brezat e artdashësve të cilët do të vijnë pas saj.
Unë kam pasur fatin që shpesh ta takojë e pa numër herë edhe të rrimë bashkë, të diskutojmë bashkë për artin e kulturën, për filmat tek ne dhe në botë dhe ajo nuk ka qenë vetëm një artiste e talentuar, por gjithashtu edhe një artiste e angazhuar, e cila i ka ndihmuar të tjerët. Edhe me debatet në të cilat ka marrë pjesë, me siguri që ka kontribuar edhe tek artistët e tjerë të gjeneratës së saj, por edhe ata që ishin pararendës e ata të cilët vijnë pas saj.
E kujtojmë me nderime e me mall Burbuqe Berishën, të cilën vdekja na e rrëmbeu para kohe, mirëpo asnjëherë nuk do të mund të na i marrë mbresat e fuqishme që i la tek ne me jetën dhe veprën e saj.