Bashkëpunimi për fazën e re të Grantit të Performancës për periudhën 2022 – 2025, draftimi i ligjit të ri të bazuar në Grantin e Performancës Komunale dhe temat tjera me interes të përbashkët ishin pikat kyqe të diskutimit në mes të përfaqësuesve nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe donatorëve nga Granti i Performancës Komunale.
Në këtë takim përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës ishin zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ndërsa nga donatorët të cilët bashkëfinancojnë Grantin e Performancës ishin ambasadori i Zvicrës në Republikën e Kosovë, shkëlqësia e tij z. Thomas Kolly, përfaqësues nga Ambasada Suedeze, përfaqësues nga ambasada Norvegjeze si dhe nga zyra e BE-së në Kosovë.
Granti i Performancës Komunale ka për qëllim të nxisë konkurrencën ndërmjet komunave në Kosovë duke ndarë mjete bazuar në meritokraci dhe kritere te qarta.
Ky grant ka marrë vlerësime të larta në raportin e progresit dhe shihet si model i cili duhet të zgjerohet dhe insitucionalizohet në kuadër të qeverisë.
Programi bashkëfinancohet nga MAPL, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Zvicrane, Suedeze dhe Norvegjeze dhe parashihet të ketë nje vlerë mbi 34 milion euro per 4 vitet e ardhshme duke mos përfshirë asistencën teknike, thuhet në komunikatën për media e MAPL-së.