Në hapje të takimit inaugurues të Komitetit Nacional Koordinues të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership) kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky nuk është thjesht një partneritet ndërmjet qeverive, por është partneritet mes qeverive dhe qytetarëve.
“Duke i bërë qeveritë më të hapura ndaj kritikës, rritet vet-reflektimi, puna dhe angazhimi, dhe kështu bëhet bashkëqeverisja”, tha ai.
Kryeministri theksoi se Kosova e pasluftës nuk ka pasur stabilitet institucional sikurse që ka tani. Ky stabilitet institucional e ka transformuar besimin e qytetarëve në pajtueshmëri me institucionet dhe ka pasur edhe efekte pozitive ekonomike.
“Ka një divident ekonomike stabiliteti institucional dhe procesi demokratik. Procesi demokratik i zgjedhjeve, rezultati demokratik, stabiliteti institucional që erdhi më pas ka edhe efekt në ekonomi. Ka një divident për buxhetin e shtetit”, tha ai.
Duke potencuar se lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritete të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për rritje të bashkëpunimit me të gjithë akterët e nevojshëm, me qëllim të gjetjes së mënyrave për të ekspozuar korrupsionin e për të përmirësuar qeverisjen e mirë.
Partneriteti për Qeverisje të Hapur u vlerësua si një mjet i rëndësishëm për agjendën e transparencës, duke inkurajuar angazhimet publike, duke ndarë praktika të mira në veçanti duke përdorur digjitalizimin dhe teknologjinë inovative.
Ky partneritet do të inkurajojë angazhimin mes qeverisë dhe shoqërisë civile, për të punuar në interes të publikut, tha kryeministri Kurti, në përmbyllje të këtij takimi, ku morën pjesë Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, anëtarët e Komitetit Nacional Koordinues dhe përfaqësues të shoqërisë civile, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Jam vërtetë i lumtur që sot jam në mesin tuaj. Secili nga ju e keni një mision fisnik para vetes. Dëshiroj veçanërisht t’i falënderoj të gjithë ato e ata që janë në vijën e parë të frontit për të mbrojtur dhe për të avancuar vlerat e qeverisjes së hapur.
Jam i kënaqur kur shoh kaq shumë përfaqësues nga institucionet dhe nga shoqëria civile, gra e burra të përgatitur që të mbrojnë barazinë, drejtësinë, mundësitë dhe lirinë çdo ditë. Nuk është gjithmonë e lehtë për ta bërë këtë. Përparimi gjithmonë është nxitur nga qytetarët. Nga ata që e kanë pasur guximin dhe që meritojnë të vlerësohen për kurajon e tyre e deri tek fakti që kanë menduar për kolektiven e të ardhmes së përbashkët. Ata që duan një gjendje më të mirë e më ndryshe, dhe këtë nuk e duan veç për vete.
Sot jemi mbledhur këtu dhe duhet menduar për dhjetë vite më parë, kur shpresa dhe premtimi për zhvillim demokratik të globit u kodifikua me themelimin e Open Government Partnership (OGP) apo Partneritetit për Qeverisje të Hapur nga liderët e botës së lirë. Nga viti 2011 e deri më sot OGP-ja ka arritur të ketë 78 vende anëtare, ndër to shumë partnere mike të Kosovës, e mbi 3000 zotime për demokraci e qeverisje të hapur. Kjo iniciativë ndërkombëtare që mbulon një të tretën e popullsisë së botës, është një platformë e transformimit dhe aspiratave për fuqizim shoqëror.
Brenda apo jashtë Qeverisë, komponenta e hapjes dhe partneritetit është rruga e duhur, që plotësohet me vlerat e një shoqërie demokratike, të barabartë dhe të drejtë. Për ne është nder që vendi ynë, po rreshtohet krah shteteve të tjera në këtë nismë. Përbrendësimi i vlerave për qeverisje të mirë, të hapur, transparente dhe llogaridhënëse janë entitetet e duhura për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Qendërzimi i debatit tonë të përditshëm politik, janë nevojat e qytetarëve tanë. E kemi Programin sepse nevojitet shumëllojshmëria, e kemi Planin sepse nevojitet ndërhyrje e shumanshme. Vendosja e qytetarëve në qendër të Qeverisë është premtimi ynë dhe kjo kërkohet edhe nga vet OGP-ja. Ky Partneritet ka politika dhe linja veprimi shumë të nevojshme për ne.
Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar, nga 77 shtete sa janë të përfshira në matje të indeksit, kriminaliteti i lartë përfshinë 79.2% të popullatës së përgjithshme, dhe 79.4% të popullatës me reziliencë, siç thuhet me qëndrueshmëri të ulët. Kjo tregon që lufta globale kundër krimit duhet të mbetet fokusi qendror në këtë partneritet.
Lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritete të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Korrupsioni nuk është vetëm thjeshtë diçka e pamoralshme, joetike. Korrupsioni promovon pabarazinë ekonomike, i hapë rrugë shkeljes së të drejtave të njeriut, ushqen krimin e organizuar po ashtu edhe terrorizmin.
Në këtë vit Policia e Kosovës është për t’u lavdëruar meqenëse ka kryer 437 operacione, 746 bastisje dhe në këta 7 muajt e fundit janë shkatërruar 31 grupe kriminale.
`Sepse nuk mund të kemi më pasuri të majme, e të mos ia dimë burimin asaj pasurie. Zbrazëtirat ligjore i kemi plotësuar, pengesat i kemi hequr, pasuria e paligjshme do të konfiskohet me ligjin e ri.
Para saktësisht 17 ditëve, e kemi miratuar edhe koncept-dokumentin për zhvillimin e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë. Nuk mund të jemi indiferent ndaj keqpërdorimeve e zhvatjes që kanë ndodhur për këto dy dekada. Na duhen gjyqtarë të drejtë dhe efikas, edhe të drejtë edhe efikas, si dhe prokurorë me integritet dhe energjik, edhe që kanë integritet po edhe që janë energjik, që nuk janë pasiv, që e bëjnë punën e tyre me nder e profesionalizëm dhe që na e sjellin drejtësinë e munguar.
Qeveria është e përkushtuar që ta rrisë bashkëpunimin me të gjithë akterët e nevojshëm që të gjejmë mënyra për të ekspozuar korrupsionin e për të përmirësuar qeverisjen e mirë.
Sipas opinionit të nxjerrë nga UNDP-ja, kënaqshmëria e qytetarëve për punën e institucioneve, ka shënuar rritje për 37.8 pikë të përqindjes, apo thënë ndryshe është trefishuar nga sa ishte më herët. Ne do të sigurohemi që të gjithë qytetarët të kenë zë në vendimmarrje dhe ata të dëgjohen. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të rivendosim besimin mes neve që qeverisim dhe popullit të cilin e përfaqësojmë. Synimi ynë është që t’i dalim zot nevojave të tyre, të respektojmë të drejtat dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi, demokracia, si dhe mirëqenia për të gjithë.
Kosova e pasluftës nuk ka stabilitet institucional sikurse ky që ka tani dhe ky stabilitet institucional e ka transformuar besimin e qytetarëve në pajtueshmëri me institucionet.
Pra, qytetarët i besojnë shumë më tepër institucioneve, por edhe ky besim shndërrohet në pajtueshmëri sepse e mbështesin punën që bëjnë institucionet.
Padyshim ka pas edhe efekte pozitive ekonomike. Ka një divident ekonomike stabiliteti institucional dhe procesi demokratik. Procesi demokratik i zgjedhjeve, rezultati demokratik, stabiliteti institucional që erdhi më pas ka edhe efekt në ekonomi. Ka një divident për buxhetin e shtetit.
Ky është viti i parë i Kosovës së pasluftës kur do ta kemi rritjen ekonomike dyshifrore. Banka Qendrore e Kosovës ka thënë që rritja ekonomike do të jetë 9.9 për qind. S’ka thënë 10 për qind, ka thënë 9.9 për qind do të jetë rritja ekonomike. Ndërkohë, që ne e kemi marrë ekonominë nga viti i kaluar të tkurrur minus 3.1 për qind të Bruto Produktit Vendor, që është diç më shume se 7 miliardë.
Pra, e kemi marrë një ekonomi me minus 3.1 dhe tash në vitin e ardhshëm po hyjmë me rritje ekonomike sipas Bankës Qendrore të Kosovës me 9.9 për qind. Pra, nuk është sipas Ministrisë tonë të Financave por sipas Bankës Qendrore të Kosovës, udhëheqja e së cilës është vendosur në mandatet e mëhershme.
Minus 3.1 ka qenë tkurrja në vitin e parë pandemik sipas Bankës Botërore, e sipas Bankës Qendrore të Kosovës do të jetë rritja 9.9 për qind. Dhe, kjo rritje në fakt është për shkak të të hyrave tatimore që janë rritur për 34 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Merrni me mend asnjë politikë fiskale s’e kemi ndryshuar a të hyrat tatimore janë rritur 34 për qind.
Në vendet e tjera ndryshon politika fiskale prej djathtas majtas dhe nuk e ki rritjen e të hyrave 34 për qind që është më shumë se një e treta. Ndërkaq, ne pa e ndryshuar fare politikën fiskale e kemi 34 për qind rritjen e të hyrave.
Tash dikush mund të thotë po, po e krahasojmë me vitin 2020 i cili është vit i pandemisë, po edhe 2021-shi është vit i pandemisë. Mirëpo në rregull ta krahasojmë me vitin 2019, 21 për qind janë rrit të hyrat tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës. Edhe njëherë kjo është rezultat i besueshmërisë së qytetarëve dhe stabilitetit të institucioneve.
Kur qytetarët kanë shpresë, më parë shpenzojnë sesa që kursejnë. Kur presin ditë të vështira atëherë më shumë ruajnë pare për ditë të vështira sesa që shpenzojnë. Kemi shpenzim të shtuar, shpenzim i shtuar për shkak se ka shpresë që e ardhmja do të jetë më e mirë se e tashmja.
Kur ti mendon që e ardhmja do të jetë më e mirë se e tashmja shpenzon, kur ti mendon se e ardhmja do të jetë më e keqe se tashmja ti kursen. Dhe, kjo ka qenë mirë për ekonominë tonë.
Hapësira qytetare është komponentë qendrore e Planit Kombëtar të Veprimit të OGP-së në Kosovë.
Përmes kësaj platforme shumë qytetarë do të kenë mundësi për peticione ndaj Qeverisë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal. Kësisoj shumë më shumë qytetarë do të marrin pjesë drejtpërdrejt në politikëbërje. Jo vetëm duke vendosur për ata që vendosin, por duke ndikuar vendimin përgjatë secilës javë të mandatit katër vjeçar.
Më shumë sipërmarrës do të mund të përdorin të dhëna të hapura për ta analizuar tregun, e për të nisur biznese të reja. Secili qytetar do të dijë në kohë reale se si qeveritë i shpenzojnë taksat e qytetarëve.
Partneriteti i Qeverisjes së Hapur nuk është thjesht një partneritet ndërmjet qeverive: por është partneritet mes qeverive dhe qytetarëve të tyre. Duke i bërë qeveritë tona më të hapura ndaj kritikës, rritet vet-reflektimi, puna dhe angazhimi. Kështu edhe bëhet bashkëqeverisja.
Partneriteti për Qeverisje të Hapur është një mjet i rëndësishëm për agjendën e transparencës në disa mënyra. Do të inkurajohen angazhimet publike, do të ndahen praktika të mira në veçanti duke përdorur digjitalizimin dhe teknologjinë inovative.Digjitalizimi nuk e rrit vetëm cilësinë e shërbimeve dhe llogaridhënien e zyrtarëve, por edhe e bën transparencën radikale. Pikërisht digjitalizimi na e mundëson këtë gjë. Nuk e ndihmon pra vetëm cilësinë e shërbimeve dhe llogaridhënien e zyrtarëve, por edhe transparencën e bën radikale.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, Partneriteti do të inkurajojë angazhimin mes Qeverive dhe shoqërisë civile, për të punuar në interes të publikut.Ky takim inaugurues i juaji është një nismë e vlefshme dhe ju uroj suksese në angazhimin tuaj, si Komitet Nacional Koordinues i Republikës së Kosovës. Ne do të sigurohemi që zotimet e përfshira në këtë plan të jenë bashkërisht të arritura.