Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nga java e kaluar kanë nisur vizitat tek prodhuesit vendorë për t’u njoftuar nga afër me kushtet e punës, pengesat apo nevojat që kanë bizneset.
Sot kanë vizituar fabrikën e bllokave të ndërtimit, “BRICKOS”, që ndodhet në fshatin Korminjan i Ulët, në Komunën e Dardanës.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari u njoftuan nga udhëheqësit se kjo fabrikë i ka 93 punëtorë, prej të cilëve 58 shqiptarë dhe 25 serbë.
Sipas tyre, përkundër sfidave, furra me gjatësi 127 metra dhe temperaturë 900 gradë të pjekjes së bllokave nuk është ndalur së punuari prej vitit 2013. Prodhojnë 65 mijë deri në 70 mijë blloka ndërtimi në ditë.
Ata falënderuan qeverinë për masën anti-dumping ndaj bllokave të Serbisë prej 3 centë, si dhe ndihmën e dhënë punëtorëve të fabrikës me dy pakot gjatë pandemisë, atë emergjente fiskale si dhe atë të rimëkëmbjes ekonomike.
Fabrika e tullave “BRICKOS” është ndër fabrikat e para të prodhimit të materialeve ndërtimore nga argjila e pjekur. Ajo ka filluar punën në maj të vitit 1929, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.