Me rastin e përfundimit të ciklit të shkollës së mesme, është e obligueshme për nxënësit që t’i nënshtrohen testit të maturës shtetërore. Kjo vlen edhe për nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë të shkollës fillore.
Ky obligim është i rregulluar me Ligjin numër 05L-018, dhe sipas tij, organizohet edhe matura shetërore, me ç’rast bëhet vlerësim i arritjeve, njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve të cilat i kanë fituar gjatë arsimimit parauniversitar.
Sivjet, edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme, testi i maturës shtetërore do të mbahet me datë 29 gusht, ndërsa ai i arritshmërisë është anuluar, dhe tani nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë të shkollës fillore duhet të ndjekin procedura të veçanta në mënyrë që të pranohen në shkollën e mesme.
Kryetarja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini dhe Sport, Valentina Bunjaku Rexhepi, beson se matura ka dobi dhe sjell në pah anë pozitive, pasi që nxit nxënësit që të lexojnë më tepër, qoftë edhe në muajin e fundit para testit.
“Mbajtja e testit të maturës shtetërore është e dobishme, pavarësisht se mund të ketë edhe alternativa të tjera. Gjersa të mos kemi Qendra më të zhvilluara për Informim, Orientim e Këshillim Profesional, ka rëndësi”, shprehet Rexhepi.
Në anën tjetër, Rexhepi vlerëson se ka edhe alternativa tjera.
“Mjafton përcjellja e disa praktikave evropiane, ku ‘përzgjedhja duke krijuar barriera’, bëhet që në vitin e parë, dytë etj., duke u krijuar klasat A, niveli më i lartë, klasa B, më dobët etj. E deri sa të arrihet një gjë e tillë megjithatë më mirë test mature, se hiç pa kritere”, thotë ajo.
Sa i përket pjesës së kopjimit nga nxënësit, Rexhepi thotë se kopjimi është problem global, e jo vetëm lokal, “atë e shohim edhe në universitetet më të larta të botës, siç është ai i Harvardit”.
Rexhepi shprehet se efikasiteti arrihet atëherë kur administratorët, fushatat e promovimit, dënimet zbatohen në mënyrë të rregullt.
“E në rast se nuk zbatohet Kodi Etik në test, nga dyja palët (nxënësit dhe administratorët), duhet bërë ndryshimi i qasjes së administratorëve, të mos jenë të njohshëm për shkollën dhe ndryshimi i qendrave të testimit larg shkollës ku punojnë”, thotë ajo.
Ajo është e mendimit se kopjimi është ves i mësuar, por zhvillohet kur tolerohet, e në anën tjetër shpërblehet indirekt ose nuk dënohet.
“Pra, edhe kopjimi, duhet të monitorohet dhe rregullat të vendosen në çdo muri të klasës, bashkë me dënimet. Nëse zbatohet dënimi, përjashtimi nga provimi, ngelja, ndërrimi i shkollës, mos-hyrja në disa afate, vërejtja me shkrim etj., natyrisht se reduktohet”.
Sipas Rexhepit, lidhja me Bashkimin Evropian dhe përpjekja për t’u lidhur me arsimin sikurse të tyre është dhe duhet të jetë prioritet i yni gjithmonë, mirëpo ne duhet të përputhemi me rrethanat që ne i posedojmë si vend i vogël që jemi.
Në vendet më demokratike ndjeket inicativa kombëtare për arsimin, e cila është “Asnjë fëmijë nuk lihet mbrapa”. Përmes saj kërkohet që të gjitha shkollat të paraqesin rezultatet e tyre të standardizuara të provave, të cilat do të përdoren për të vlerësuar dhe rishikuar performancën e secilës shkollë.
Për të përgatitur më mirë studentët për testet e standardizuara, shumë shkolla kanë zbatuar Qendra të operacioneve urgjente dhe testet e diplomimit në mënyrë që t’u ofrohet studentëve praktikë të shtuar dhe të qëndrueshme të testimit.
Ish-kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, pajtohet me krijimin e mekanizmave të tillë si kjo iniciativë, dhe shton se pjesëmarrja në testet ndërkombëtare si në PIRLS (Progresi në Studimin Ndërkombëtar të Letërsisë për Leximin), TIMS (Tendencat në Studimin Ndërkombëtar të Matematikës dhe Shkencës) e PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve) ndikon në indentifikimin e të arriturave dhe dobësive në sistemin tonë arsimor.
Sa i përket kopjimit në test dhe parandalimit të tij, Hysenaj shprehet se nëse DKA (Drejtoria Komunale e Arsimit), që janë punëdhënësi i administruesve, i marrin masat deri në shkëputje të kontratës, mundësia e kopjimit do të minizohet. Në këtë kontekst ai thekson një bashkëpunim shumë të mirë mes Ministrisë së Arsimit dhe DKA-së viteve të fundit .
Ndërsa, kur bëhet fjalë për rritjen e cilësisë së materialeve testuese dhe vlerësuese, Hysenaj beson se kjo arrihet duke u formuar Qendra Kombëtare e Testimeve.
Rinesa Shkodra, maturantja nga Gjilani thotë se kurset online për lëndë të ndryshme që i kanë ofruar fakultetet private, kanë qenë ndihma e vetme që kanë marrë si përgaditje për testin e maturës.
“Unë dhe shumë moshatarë të tjerë kemi filluar përgatitjet sa më heret që të kemi sa më shumë suksese, mirëpo ndihmësa e vetme kanë qenë kurset online të ofruara nga fakultetet private, pasi që nuk e kemi pasur mundësinë e mbajtjes së mësimit në shkollë shkaku i pandemisë”.
Shkodra beson se për arsye të pandemisë, këtë vit testi i maturës nuk është marrë me seriozitetin e plotë sikurse viteve të tjera.
“Shpresoj që të gjithë do të kemi sukses, edhe pse në gjeneratën tonë, testi i maturës nuk është marrë aq seriozisht si vitet e kaluara”, thotë ajo.
Testi i maturës shtetërore po ndryshon vit pas viti e në situata të jashtëzakonshme sikurse pandemia e krijuar në gjithë botën ka rezultuar në ndryshim të strukturës së testit.
Pra, ndryshe nga herën e kaluar ku ishin 200 pyetje, këtë vit është përgjysmuar numri i pyetjeve dhe nxënësit do të hynë në test vetëm në një ditë, e jo dy.
Uranik Emini
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.