Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve u mbajt takimi i Komitetit Ndërministror për të Drejta të Fëmijëve, kryesuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Ne duhet të qëndrojmë pas planeve tona praktike dhe konkrete për të mbrojtur fëmijët tanë – një premtim nga brezi ynë për brezin tjetër, për të investuar në arsim e shëndetësi, për të ndërtuar sisteme dhe shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët”, tha kryeministri Kurti në hapje të takimit.
Ai theksoi përkushtimin për të zbatuar zotimet nga Programi qeverisës, në përputhje me zotimet globale për arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm (SDGs), dhe në funksion të zbatimit dhe respektimit të parimeve demokratike dhe të drejtave të fëmijëve, siç janë shpallur në Konventën për të Drejtat e Fëmijës dhe përcaktimit të tyre në politikat dhe legjislacionin vendor.
Prioritet i Qeverisë është edukimi i hershëm. Prandaj, me Projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili u miratua në Qeveri javë më parë, do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur.
Përveç arsimit të përgjithshëm e profesional, kryeministri theksoi se duhet të nxiten vetitë speciale. Duhet të nxiten vatrat kulturore, qendrat sportive dhe klubet që kanë për qëllim zhvillimin e hershëm te fëmijët.
Për të zvogëluar hendekun në mes të kërkesave të tregut të punës dhe edukimit, për maturantët e shkollave të mesme do t’u ndahen 2.000 kuponë me vlerë deri në 600 euro për të ndjekur kurse të Teknologjisë Informative.
Në bashkëpunim me UNICEF, Bankën Botërore, Save the Children dhe CARITAS Zviceran, MASHTI ka mbështetur 8123 fëmijë nga komunitetet dhe familjet me asistencë sociale me paketa didaktike.
Bazuar në Programin e Qeverisës 2021-2025 mbështetja për familjet në gjendje të rëndë sociale dhe fëmijët është prioritet i cili tani më ka filluar të zbatohet si në legjislacion, ashtu edhe me anë të masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht me shtesat për fëmijë dhe shtesat për lehonat. Në muajin tetor, janë ekzekutuar mjetet për afro 95 mijë përfituese nga këto skema, dhe me trendin që po e shohim këtë muaj, interesimi për të përfituar nga këto skema është edhe me i lartë.
Po ashtu, si pikë e rëndësishme u veçua trajtimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara. Si fillim, për vitin e ardhshëm është ndarë buxhet për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ministria e Financave Punës dhe Transfereve ka ofruar mbështetje financiare në vlerë prej 900.000,00 euro, për mbështetje të 39 OJQ-ve të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare.
Me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve janë planifikuar të krijohen Shtëpi për Mbrojtjen e Fëmijëve, për të cilat MFPT tani me ka marrë iniciativat për ndërtimin e tyre dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm përmes ndryshimeve të Ligjit të Financave të Pushtetit Lokal dhe krijimit të Grantit të Veçantë për Shërbime Sociale.
Krahas prezantimit të rezultateve dhe të arriturave të Qeverisë, takimi i sotëm ishte ftesë për diskutime konstruktive, dhe plane konkrete drejt përmbushjes së objektivave strategjike qeveritare dhe përmirësimit të tregueseve për të drejtat e fëmijëve.
Përveç vijueshmërisë së ulët në edukimin e hershëm dhe cilësisë së dobët të arsimit; u diskutuan edhe format e dhunës fizike dhe psikologjike; stigmatizimi dhe qasja e pamjaftueshme për fëmijët me aftësi të kufizuara; dhe pabarazia sociale e gjithanshme mes fëmijëve.
Me qëllim të rritjes së zbatimit të obligimeve që rrjedhin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, Qeveria është duke punuar intensivisht në zhvillimin e akteve normative si dhe në marrjen e masave për rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për mbrojtjen e fëmijës. Me këtë qëllim, sot u lansua Programi për vetëdijesimin e publikut për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Të pranishëm në këtë takim ishin zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës Emilia Rexhepi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini,
Shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, drejtorja Ekzekutive në Koalicionin e OJQ-ve për mbrojtje të fëmijëve, Donjeta Kelmendi, si dhe përfaqësues të organizatave partnere, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Është kënaqësi e veçantë të jem sot këtu, për të diskutuar bashkërisht për të arriturat drejt jetësimit të të drejtave të fëmijëve, për problemet e sfidat, si dhe për planifikimin e veprimeve drejt tejkalimit të vështirësive.
Kosova e ka popullsinë më të re në Evropë me moshë mesatare prej 29.5 vjeç, 31% e popullsisë së Kosovës është nga 0-18 vjeç, pra e kemi gati 1/3 e popullsisë të mitur e që janë qytetarët më të cenueshëm.
Fëmijët dhe të rinjtë qëndrojnë në qendër të gjithçkaje që parashikon Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne jemi të përkushtuar që të zbatojmë zotime nga Programi ynë qeverisës, në përputhje me zotimet globale për arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm (SDGs), dhe në funksion të zbatimit dhe respektimit të parimeve demokratike dhe të drejtave të fëmijëve, siç janë shpallur në Konventën për të Drejtat e Fëmijës dhe përcaktimit të tyre në politikat dhe legjislacionin vendor.
Me qëllim të rritjes së zbatimit të obligimeve që rrjedhin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, Qeveria është duke punuar intensivisht në zhvillimin e akteve normative si dhe në marrjen e masave për rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për mbrojtjen e fëmijës.
Është i domosdoshëm zbatimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijës nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe arsimimin e fëmijës. Njëkohësisht, garantimi i mirëqenies dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri.
Të drejtat e fëmijëve ndërtohen në dy rrafshe kryesore: së pari, në një përpjekje motivuese, me edukimin e aftësive të tyre, gjë që synon të rezultojë më një moshë të rritur të suksesshme; dhe së dyti, me përpjekje parandaluese. Sa më shumë që punohet në linjën motivuese, aq më shumë reduktohet puna në drejtim të masave parandaluese.
Meqenëse mbrojtja e suksesshme e fëmijëve fillon me parandalim, Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka hartuar programin që ne sot po e lansojmë për vetëdijesimin e publikut për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Ky dokument ka për qëllim të shërbejë si platformë zyrtare në realizimin e aktiviteteve vetëdijesuese, duke ofruar udhëzime strategjike të komunikimit për të organizuar dhe bashkë-koordinuar veprimet e të gjitha institucioneve përgjegjëse.
Të nderuar anëtarë të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve,
Përtej të qenit të nderuar të jemi pjesë e kësaj trupe të lartë qeveritare, kemi përgjegjësi e obligim të punojmë për të jetësuar të drejtat e fëmijëve.
E ardhmja e vendit tonë do të formësohet nga fëmijët. Por e ardhmja e fëmijëve formësohet nga ne e veprimet tona. Nuk ka përgjegjësi më të madhe.
Prandaj, krahas prezantimit të rezultateve dhe të arriturave të Qeverisë, takimi i sotëm është ftesë për diskutime konstruktive, dhe plane konkrete drejt përmbushjes së objektivave strategjike qeveritare dhe përmirësimit të tregueseve për të drejtat e fëmijëve.
Përqindje shumë e ulët e fëmijëve janë të përfshirë në edukimin parashkollor në Kosovë, deri me tani vetëm 7% e grupmoshës nga 0 deri në 5 vjeç. Arsimi ynë parashkollor është i një cilësie të ulët. Ne e kemi vendosur me një prioritet të veçantë në aspektin sasior të qasjes, me pikësynimin e veçantë të barazisë mes fëmijëve dhe barazisë gjinore. Ne e kemi nisur këtë gjë që me programin e barazisë gjinore në maj të vitit 2020, në qeverisjen tonë të parë.
Shtrirja e numrit të çerdheve dhe kopshteve duhet të japë dy rezultate thelbësore: në atë të individit, 60% e aftësive konjitive që e shoqërojnë individin tërë jetën janë pikërisht nga arsimi parashkollor; dhe në rrafshin publik, përfshirja sa më e madhe e fëmijëve në këtë arsim, na krijon kushtet e duhura të një popullsie pa humbje në burime njerëzore dhe në aftësi.
Prioritet i qeverisjes sonë është edukimi i hershëm. Prandaj, me Projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili u miratua në Qeveri javë më parë, do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur.
Përveç arsimit të përgjithshëm e profesional, duhet të nxiten vetitë speciale. Duhet të nxiten vatrat kulturore, qendrat sportive dhe klubet që kanë për qëllim zhvillimin e hershëm te fëmijët. Pikë e rëndësishme është edhe trajtimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara. Si fillim, për vitin e ardhshëm kemi ndarë buxhet për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Problemet tjera që do të diskutojmë sot, përveç vijueshmërisë së ulët në edukimin e hershëm dhe cilësisë së dobët të arsimit; janë format e dhunës fizike dhe psikologjike; stigmatizimi dhe qasja e pamjaftueshme për fëmijët me aftësi të kufizuara; dhe pabarazia sociale e gjithanshme mes fëmijëve.
Ne duhet të qëndrojmë pas planeve tona praktike dhe konkrete për të mbrojtur fëmijët tanë – një premtim nga brezi ynë për brezin tjetër, për të investuar në arsim e shëndetësi, për të ndërtuar sisteme dhe shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët.
Le të ofrojmë mbështetje aktive dhe të krijojmë të gjitha kushtet në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Është misioni ynë që së bashku të punojmë sa më shumë në përmirësimin e jetës së të gjithë fëmijëve të Kosovës, si në ditët e sotme ashtu edhe në brezat e ardhshëm
Duke u falënderuar për vëmendjen, u jam mirënjohës për punën dhe përkushtimin tuaj të deritanishëm drejt përmbushjes së misionit tonë të përbashkët.