E infektuar me virusin COVID-19, R.U. tregon se ka pasur kontakte me disa që kishin rezultuar pozitiv dhe fillimisht nuk kishte pasur simptoma të fuqishme mirëpo e kishte bërë testin me ç’rast kishte rezultuar pozitiv.
“Unë dhe një ekip prej 13 personave, kemi qenë staf esencial në kuadër të Ministrisë. Ne, që nga dita e parë kemi ofruar mbështetje për Zyrën e Kryeministrit të Kosovës (ZKM), Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe IKShPK-së për të koordinuar aktivitetet me komuna. Që nga dita e parë, jemi furnizuar rregullisht me pajisje mbrojtëse nga MSh dhe e gjithë puna jonë është organizuar në formë virtuale dhe nga distanca (përjashtim të stafit esencial).”
Ajo rrëfen se në vazhdimësi kanë ndërmarrë masa për dezinfektimin e hapësirave nëpër zyrat ku kanë punuar dhe janë kujdesur që të bartin maskat.
“Lufta (kundër këtij virusi) mund të jetë e vështirë, duke pasur parasysh kapacitetet e limituara të institucioneve publike shëndetësore. Por absolutisht mendoj, se nëse secili nga ne merr masat e mbrojtjës individualisht, kufizon lëvizjen, luftimi i këtij virusi mund të jetë më i lehtë”, thotë ajo.
Edhe për R.U, vet-izolimi nuk ka qenë aspak i lehtë dhe se asnjeherë më parë nuk është ballafaquar me një eksperiencë të tillë. Megjithatë, ajo këshillon që gjërat të merren me pozitivitet edhe gjatë vet-izolimit.
“Për shkak se unë nuk kam pasur simptoma, më ka mundësuar që të vazhdoj punën nga shtëpia, kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me stafin, kolegët, pastaj kam marrë pjesë edhe në një takim virtual të organizuar nga Universiteti i Oxfordit si dhe jam lidhur në takime virtuale edhe me bashkëpunëtorët, por edhe në raste tjera me partnerët, siç ka qenë edhe rasti kur kemi pranuar një donacion të pajisjeve mbrojtëse ngë një donator i huaj”, shton ajo.
Duke komentuar “mosbesimin” e qytetarëve rreth këtij virus, thotë se ne të gjithë kemi reflektuar mbi seriozitetin e situatës më së shumti atëherë kur të infektuarit me virusin kemi qenë ne, familjarët tanë ose miqtë tanë.
“Ditëve të fundit kur kemi parë rritjen e numrit të rasteve, rritjen e numrit të viktimave dhe përmasat që ka marrë gjithandej, mendoj se do të reflektojë që qytetarët të ndryshojnë mendimin dhe të marrin situatën seriozisht”, thotë ajo.
E infektuar vet me COVID-19, ajo thekson rëndësinë e racionalizimit të lëvizjes, përdorimin maksimal të masave mbrojtëse, vetëdijesimin shumë më të lartë…
“Të mendojmë për të tjerët në radhë të parë, se si mund të infektojmë familjarët, miqtë, kolegët, e sidomos ata në moshë të shtyer, me sëmundje kronike apo edhe gratë shtatëzëna. … Virusi ka sfiduar edhe shtetet më të fuqishme ekonomikisht, prandaj në këtë sfidë jemi të gjithë bashkë. Secili të japë më shumë nga vetja dhe kështu të jemi në gjendje që sfidën e përbashkët t’a përballojmë më lehtë”, thotë R.U.
Këngëtari i njohur nga grupi ‘Aurora’, Yll Valla i cili tani është duke punuar edhe në Ministrinë e Pushtetit Lokal, është njëri prej personave i cili është infektuar me këtë virus. Ai tregon se simptomat e para të paraqitura tek ai janë kolla e thatë, djersitja, gjithashtu humbja e të të nuhaturit dhe shijimit. Ai më pas tregoj se gjatë ditëve në vijim ka pasur edhe dhembje koke.
“Nga qershori ka filluar zbatimi i masave lehtësuese dhe jeta publike vetëm se është gjallëruar gjithandej dhe lëvizja e qytetarëve është shtuar. Adresat mund të jenë të shumta, duke u nisur nga vendi i punës dhe kontakti që kemi me komunat, pastaj kafet dhe vendet ku shërbehet ushqimi, e kështu me radhë”, thotë ai duke shtuar se këto masa lehtësuese ndikuan që të gjithë të dalin më shumë sesa në vetizolim.
Jo gjithë të infektuarit përjetojnë njejtë luftimin me COVID-19.
“Nuk është e vështirë (përballja) por edhe e lehtë jo. Ky virus te asnjë njeri nuk ndikon njëjtë, pra varet nga imuniteti që e posedon. Po ashtu, të paktën sa kam arritur ta kuptoj është se ky virus identifikon anën e dobët të njeriut. Është një skaner identifikues i dobësisë së njeriut dhe aty e atakon”, shprehet Valla.
Valla tregon se vetizolimin është munduar që ta organizojë së bashku më familjen përbrenda banesës.
“Gjithsesi, kujdesi dhe ndihma e familjes, e shoqërisë së ngushtë dhe shoqërisë së gjerë, kanë bërë që këtë gjendje ta përballojmë dhe ta tejkalojmë me lehtësi, për çka, pa dallim mos t’i ngelem borxh dikujt me të përmendur të emrit, dua t’i falënderoj shumë gjithë secilin dhe u jam mirënjohës përjetësisht. Zoti i bekoftë”.
Ai beson fuqishëm se nuk ka aspak vend për dyshime, dilema ose skepticizma të tilla mbi virusin. Po ashtu fuqishëm beson në ndjekjen e këshillave të IKShPK-së dhe profesionistëve të shëndetit publik dhe në atë se qëndrimi në shtëpi do të ishte gjëja më e mirë që mund të bënim.
“Virusi ekziston dhe është prezent, ai po përhapet çdo ditë duke sulmuar njerëzit. Pjesa tjetër e teorive, ideve konspirative dhe analizave të ndryshme duhet lënë anash”, përfundon këngëtari.
Gjilanasi Donart Zymberi, 19 vjeçar thotë se simptomat e para të këtij virusi i kishte pasur vështirësitë e lehta në frymëmarrje.
“Me kalimin e orëve dhe ditëve, ështe rritur intensiteti i problmeve me frymëmarrje. Në ditën e dytë dhe të tretë pas shfaqjes së simptomave kam pasur më shumë probleme me frymëmarrje dhe kollitje të thatë”, thotë Zymberi.
Kollin e virusit e përshkruan ndryshe prej gripeve të tjera, si shumë të rëndë, “e ndjen se po vjen nga gjoksi e jo nga fyti”.
“Në ditën e tretë, emergjenca kishin ardhur të më kontrollonin për shkak të problemeve që kisha me frymëmarrje, por fatmirësisht oksigjeni më doli mirë…. Unë, si një 19 vjeçar i shëndetshëm, nuk kam pritur që ta përjetoj në këtë mënyrë virusin, dhe veç mund t’a paramendoj se si mund t’a përjetoj dikush me kondicione paraprake në mushkëri ose dikush i shtyrë në moshë. Realiteti është që Covid-19 është një virus i ri, për të cilin as shkenca akoma nuk ka shumë njohuri, dhe është më mirë të mos rrezikojmë infektimin, jo vetëm për të tjerët, por edhe për veten”, shprehet ai.
Zymberi ishte infektuar me COVID-19 edhe pse ai ishte përmbajtur jashtëzakonisht këshillave të distancimit social dhe higjienës personale.
“Shumicën e pandemisë e kam kaluar në vendbanim jo-urban dhe nuk kam pasur gati se asnjë kontakt me njerëz jashtë familjes. Virusi, sipas të gjitha gjasave, është transmetuar te unë prej prindit, që është punëtor shëndetësor më Spitalin e Gjilanit, dhe koha kur jam infektuar ka qenë gjatë atij fluksi të infektimeve në Repartin e Pediatrisë që rrjedhi nga një mos-kujdesje e disa personave të caktuar”, shton ai.
Ai nuk pajtohet aspak me personat të cilët besojnë se ky virus ka ekzistuar më parë, ose thjesht paraqitet si grip i thjeshtë.
“Covid-19 nuk është as ‘grip i thjeshtë’ e as nuk ‘e kena pas kejt ka janari’.”Unë prej eksperiencës time, me plotë siguri them se dallon shumë nga gripet tjera për sa i përket simptomave, dhe jam i mendimit se ata persona që janë relativisht të vetëdijshëm për ndryshimet në trupin e tyre e vërejnë dallimin e simptomave të këtij virusi me gripe të tjera”.
Vetizolimi ishte një nga problemet e mëdha nëpër të cilin duhej të kalonte gjatë infektimit me këtë virus.
“Shumicën e kohës e kaloja brenda dhomës time dhe kur dilja nga ajo për gjëra esenciale dilja gjithmonë me maskë dhe duke i lajmëruar anëtarët e familjes paraprakisht që të mos afrohen. Ushqimi më është servuar vet. Kjo periudhë e vetizolimit ishte më e vështirë se sa ajo në fillim kur nuk e kisha virusin për shkak se kujdesi higjenik shkonte deri në një nivel obsesiv”, rrëfen ai.
Zymberi është i vetëdijshëm për domosdonë e ndjekjes së rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave tjera kompetente për distancimin social, përdorimin e maskave…
“Disave nuk i konvenon ekzistenca e virusit, prandaj e refuzojnë atë, jo për shkak se kanë ndonjë argument të bazuar në realitet për qëndrimin e tij. Ti mund të thuash që nuk pajtohesh me masat ose mënyrën se si është menaxhuar situata, por në momentin që thua nuk ekziston virusi, të humb komplet kredibiliteti dhe unë nuk të marr seriozisht”, përfundon Zymberi.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), derisa po shkruhet ky tekst, në Kosovë ishin bërë 28 mijë testime dhe ishibn kofirmuar afër 5 mijë të infektuar, nga të cilët mbi 2,500 raste aktive dhe 102 të vdekur, ndërkohë që rreth 2,200 persona ishin shëruar.
Uranik Emini
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.