Deputetët e Kuvendit të Kosovës shpesh kanë qenë protagonistë të shumë skenave e diskutimeve të pahijshme që shpesh kanë kaluar në fyerje e ofendime personale.
Si një mjedis i dominuar nga burrat, deputetet gra janë caku më i zakoshëm i retorikës të papërshtashme që në shumë raste degradon gjuhën parlamentare në gjuhë seksiste dhe përjashtuese.
Për këtë,Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) kanë reaguar disa herë duke e dënuar gjuhën dhe qasjen seksiste ndaj deputeteve në seancat e Kuvendit të Kosovës.
Ato e kishin konsideruar të paparanueshme vazhdimin e praktikës së ofendimit mbi baza gjinore të politikaneve nga politikanët burra.
Gresa Sermaxhaj nga RrGK vlerëson se kjo gjuhë është shpërfaqje e mendësisë diskriminuese dhe rrezikon mirëmbajtjen dhe riprodhimin e raporteve të pabarabarta socio-ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave.
Sipas saj, çdo deputete që ka fituar mandatin është në Kuvend si fytyrë publike e angazhuar në politikë, andaj edhe puna dhe kontributi i tyre duhet vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale, dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër të gjykimit ka thjesht dhe vetëm gjininë e tyre.
“Çdo përpjekje për të zvogëluar kontributin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse është hap prapa në arritjen e synimit tonë të përbashkët për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë”, thotë Sermaxhaj.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Vlora Limani-Hajnuni gjuhën parlamentare e cilëson si denigruese, ndërsa një diskurs të tillë e vlerëson si një metodë diskredituese ndaj gjitha grave politikane në përgjithësi.
Ajo thotë se një gjuhë e tillë jo gjithmonë ndikohet nga mentaliteti.
“Në shumë raste nga elemente të caktuar, kjo gjuhë fyese e denigruese ndaj grave deputete përdoret me vetëdije të plotë dhe kanë qëllim e fokus uljen ose lëkundjen e vetëbesimit të grave të cilat jo vetëm që janë të përgatitura profesionalisht, por janë edhe politikane të zonjat”, shprehet deputetja nga radhët e LDK-së.
Sipas sociologut Labinot Kunushevci, diskursi publik parlamentar ndaj grave është tregues i naivitetit, injorancës, stereotipeve, mentalitetit patriarkal, është kompleks superioriteti dhe burro-centrizëm.
Por, në anën tjetër ai edhe te shumë gra deputete vëren kompleksin e inferioritetit, tendencën për viktimizim dhe tendencën për të t’u privilegjuar falë përparësisë gjinore.
Prandaj ai vlerëson se konflikti dhe stereotipi është i dyanshëm dhe përgjegjësia u takon të dyja gjinive.
“Problemi paraqitet te tendenca për dominim gjinor për shkak të privilegjit gjinor apo fuqisë gjinore, jo për shkak të përparësive apo kritereve profesionale”, thekson Kunushevci.
Tutje, ai shprehet i shqetësuar se kjo qasje refuzuese, injoruese dhe inferiorizuese ndaj grave deputete me integritet dhe moral politik, mund të reflektojë demotivimin dhe dekurajimin e studenteve që synojnë të marrin një përgjegjësi politike në të ardhmen.
Por gjithsesi sipas sociologut, nëse ato që janë të interesuara për t’u bërë pjesë e politikës duhet të gjejnë forcën dhe të punojnë për t’i thyer barrierat dhe të marrin rolin që u takon.
Deputetja tjetër e LDK-së, Saranda Musliu konsideron se gjuha e deputetëve burra viteve të fundit ka nis të degradohet më shumë se sa e lejon demokracia, ndërsa komunikimin mes grave dhe burrave në Kuvend në shumë raste e cilëson si më të ashpër se zakonisht.
Ajo mendon se tendenca për të përdorur gjuhë ofenduese ndaj grave deputete bëhet kryesisht për arsye të përkatësisë partiake e më rrallë në baza gjinore.
Musliu vlerëson se një diskurs i tillë është imazh i keq që përçohet te publiku nga Kuvendi, i cili do duhej të konsiderohej shtëpi e ligjeve dhe demokracisë parlamentare.
Deputetja tregon se situatat e tilla ku fyhen koleget e saj deputete e bëjnë të ndjehet keq, derisa thekson se pavarësisht mospajtimeve për politika e projekte, nuk ka arsye për t’u lëshuar me fyerje e akuza në rrafshe personale pa pasur fakte.
“Frazat që i dëgjoj shpesh, ‘i paditur’, ‘i papërgjegjeshëm’, ‘hajn’ e ‘servil’, vërtetë më pengojnë, sepse tregojnë për nivel të ulët komunikimi në mes njerëzve prej të cilëve do të duhet të mësonim vetëm përvoja të mira”, shprehet Saranda Musliu.
Sociologu Kunushevci mendon se mes burrave dhe grave deputetë në Kuvend ekziston një siç e quan ai, prirje e gabuar identifikuese, imituese dhe konfliktuoze, gjë që e sfidon vlerësimin e drejtë të kontributit të grave deputete në Kuvend.
Ai shprehet se një diskurs i tillë primitiv parlamentar është reflektim i diskursit shoqëror, duke pasur parasysh se e njëjta shoqëri legjitimon elitën politike.
“Qasja ndërmjet gjinive është primitive edhe në sferat tjera publike, që nga familja, mënyra e edukimit, shkollimi, rruga, ambienti, institucioni, vendi i punës, konkurrenca, paraqitja mediale etj”, përfundon mendimin e tij, Kunushevci.
Sipas Gresa Sermaxhajt, një fjalor i tillë mund të ndikojë edhe në zvogëlimin e rolit të grave në politikë dhe debate publike.
Ajo konsideron se gjuha dhe qasja seksiste përveç që është shkelje e të drejtave themelore të njeriut, mund të jetë denigruese edhe për pozitën e grave në shoqëri.
Madje ajo shkon edhe më larg kur shprehet se i njëjti diskurs mund të jetë dekurajues edhe për vajzat e reja të interesuar për t’u bërë pjesë e politikës dhe sferës publike.
Por, deputetja Limani-Hajnuni tregon se pavarësisht fjalorit që përdoret në drejtim të tyre, ato nuk dekurajohen të vazhdojnë punën e tyre dhe të ngrisin zërin për çështje të ndryshme në Kuvend.
Ajo ndihet e konsideron se puna e tyre vlerësohet nga qytetarët, duke pasur parasysh edhe vetë faktin se në legjislaturën aktuale shumica e grave janë bërë deputete pa ndihmën e kuotës gjinore.
Nga zgjedhjet e 6 nëntorit, 39 nga 120 deputetët e zgjedhur janë gra, ndërsa prej tyre vetëm 13 janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës me kuotë gjinore.
Edhe deputetja Musliu, thotë se fjalët fyese nuk e dekurajojnë atë për ta ndritur zërin për mendimet e qëndrimet e saj, ndonëse ajo është e re në politikë dhe ky është vetëm mandati i parë i saj si deputete.
Studimet e ndryshme tregojnë se seksizmi është problem edhe për shumë vende tjera, madje edhe për Parlamentin Europian.
Sipas një raporti të “European Data Journalism”, përqindja e grave në parlamentin e Bashkimit Europian është rritur nga 15.2 përqind në vitet 1979-1984 në 36.4 përqind në 2014-2019.
Një nga arsyet që i pengon gratë të merren me politikë dhe jetë publike, sipas këtij raporti është niveli i abuzimit dhe dhunës që drejtohet ndaj tyre për shkak të gjinisë.
Nga 123 deputete të intervistuar në këtë hulumtim 85.2 përqind e tyre treguan se kanë qenë viktima të dhunës psikologjike, ndërsa 24.7 përqind ishin përballur me dhunë seksuale.
Gjithsej 67.9 përqind nga 81 deputete gra të Parlamentit Evropian kanë thënë se kishin marrë shënime seksiste disa herë gjatë mandatit të tyre. 35.6 përqind e këtyre rasteve kishin ndodhur në mjediset e parlamentit.
Diellza Kabashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.