Build Skills with our trainings

Sign up now!

Arsimi jo cilësor vazhdon të kushtëzojë e sfidojë punësimin

Maj 22, 2019

Universiteti Publik kishte njoftuar në mënyrë pompoze se në rangimin në Webometrics disa javë më parë ishte radhitur në vendin 1471, gjegjësisht 1600 vende më lartë se vitin e kaluar. Në ndërkohë, pas evidentimit të gabimeve të mundshme nga ana e databazës Webometrics, Universiteti Publik në fakt zë vendin 2,668.

Webometrics kishte pranuar gabimin në kalkulim për shkak të dhënave që i kishte marrë nga Universitet i Prishtinës. UP insiston në rangimin e parë, dhe arsyetohet se gabimi i Webometrics kishte ndodhur si pasojë e përfshirjes edhe të Universitetit të Mitrovicës në këtë rangim. Ndryshe, UP vazhdon ta konsiderojë të gabueshme matjen e cilësisë përmes algoritmeve robotike, që e ka bërë databaza Webometrics.

Kohëve të fundit, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka shprehur shqetësimin me humbjen e seriozitetit  të zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët, sipas saj çdo ditë e më shumë po e shkatërrojnë imazhin e tij.

Mungesa e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë si në atë publik edhe në atë privat, është evidentuar edhe sipas zyrtarëve të lartë të arsimit në Kosovë, por edhe vetë zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve/kolegjeve tjera private.

Kësaj, gjithsesi i ka kontribuuar edhe mungesa e kuadrove adekuate mësimore. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mungesa e kuadrove për mësimdhënie akademike sillet diku deri në 60%.

Aktualisht vetëm UP ka studimet e doktoraturës, mirëpo janë të kufizuara si në studime, në programe dhe në kapacitete sepse studimet e doktoraturës janë shumë specifike dhe shumë të rënda dhe nuk arrijnë që t’u ofrojnë aq sa ka kërkesa tregu dhe si rezultat i kësaj, mungesa e prodhimit të kuadrove për treg është evidente”, thotë për KosovaLivedekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.

Këtë e ilustron edhe numri i ulët i kandidatëve të pranuar në studimet e doktoraturës në vitin 2017/2018. Në UP studimet e doktoraturës janë duke i vijuar 68 doktorantë, prej tyre 28 femra dhe 40 meshkuj, sipas publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

“Në Fakultetin Filozofik kemi shtatë profile të ndryshme, mirëpo vetëm një ka studime të doktoraturës që nënkupton se sa është e nevojshme të ketë edhe në gjashtë profile të tjera dhe mendoj që për të gjithë sistemin arsimor kjo është e meta më e madhe, e cila duhet të përmirësohet në vitet në vazhdim. UP të ofrojë studime të doktoratës edhe për kualifikim të stafit të vet nëpër fusha të caktuara, por t’i ndihmojë edhe institucionet e tjera të arsimit të lartë, të cilat nuk e kanë këtë mundësi të përgatisin kuadro për këtë nivel”, konsideron Dugolli.

Ndërsa Prorektori i AAB-së për çështje mësimore,  Shemsedin Vehapi thotë se viteve të fundit është shtuar numri i doktorantëve nga vendet fqinje të rajonit, disa nga të cilët janë të cilësisë së dyshimtë.

Ekziston laramani kualifikimesh sa i përket kuadrit me doktoratë, të cilët punojnë në institucionet e arsimit të lartë…  Po ashtu edhe kriteret e pranimit të studentëve në studimet e doktoratës nuk janë respektuar në tërësi dhe kjo ka shkaktuar që edhe studentët me sukses më të ulët nga studimet paraprake të vazhdojnë me studime të doktoratës. Marrë në përgjithësi, në aspektin sasior, gjendja me numrin e kuadrove në arsimin e lartë është më e mirë se që ka qenë. Nuk mund të flitet me saktësi se si qëndron puna, por është e domosdoshme të bëhet një vlerësim i gjendjes”, thotë ai.

Sipas Vehapitsfidë janë edhe kompetencat e studentëve të cilët dalin nga institucionet kosovare të arsimit të lartë, shumë prej të cilave nuk ofrojnë cilësi të lartë dhe nuk prodhojnë kuadro që zotërojnë shkathtësi që u përgjigjen nevojave të tregut.

Ekziston një shkallë e lartë e “analfabetizmit funksional” sidomos te studentët e institucioneve publike për shkak se kurrikulat të cilat ofrohen janë më shumë ato tradicionale, për shkak të burokracisë së tepruar në këto institucione, shton ai.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli spjegon në të gjitha fakultetet po planifikohet që të zbritet numri i studentëve për shkak të përkushtimit më të madh në cilësinë e arsimimit, dhe përmend se para katër vjetësh kishte afër 60 mijë studentë.

“Ne kemi planifikimet e zbritjes së numrit të studentëve për shkak se dëshirojmë t’i përkushtohemi cilësisë, ngase cilësia është e pamundur të arrihet kur ka numër kaq të madh të studentëve”, është shprehur ai.

Dugolli gjithashtu thotë se janë aplikuar praktika të tilla në mënyrë që ulja e numrit të studentëve të mos jetë e menjëhershme dhe se çdo vit zbritja ishte 10% – 20 %, me çka , sipas tij po synohet që të përafrohet sa më shumë matrica student – profesor, sipas standardeve evropiane.

Mirëpo, ekzistenca e numrit të madh të institucioneve të arsimit të lartë po ashtu është një problem në vete.

Marrë në përgjithësi, institucionet private kanë përparësi në raport me ato publike për faktin se më shpejtë mund të ofrojnë programe të reja dhe ato t’i përshtatin për nevojat e tregut. Menaxhimi më i shpejtë dhe mungesa e burokracisë në vendimmarrje ju mundëson këtyre institucioneve që më shpejtë dhe më lehtë të hapin programe, të cilat janë më shumë në harmoni me nevojat e tregut. Fakti se nuk kemi analiza të sakta se cilat janë mungesat e tregut të punës e bën më të vështirë këtë vlerësim”, ka thënë prorektori i AAB-së, Vehapi.

Të dhënat zyrtare për vitin shkollor 2017/2018, janë se në Universitetin e Prishtinës numri i përgjitshëm i studentëve ka rënë në 34,323 studentë.

Në një anketë të realizuar online (https://bit.ly/2TSqunR) me studentët e disa fakulteteve, ata janë shprehur se në përgjithësi janë më të kënaqur me kushtet që i ofrojnë kolegjet private për shkak të përkushtimit dhe kujdesit që kanë për studentët. Respodentët konsiderojnë se kriteret e vlerësimit në institucionet publike janë më rigoroze, ndërkaq u japin përparësi institucioneve private arsimore kur është fjala për trajnime dhe qasje në informata.

Dugolli thotë se konkurrenca në mes të Universitetit Publik dhe të atyre private është e kuptueshme, ndonëse jo që gjithë ata të kopjojnë UP-në me programet e saj, meqë ato janë të mjaftueshme. Sipas tij, për zhvillimin e një cilësie më të mirë UP-së duhet dhënë autonomi të plotë financiare, që do të mundësonte edhe reformimin e tij, që do të nënkuptonte edhe hapjen e programeve të reja më konkuruese, sikur edhe edhe bashkëpunimin më të mirë mes tyre.

Vehapi i AAB-së konsideron se edhe vetë numri i madh i institucioneve të arsimit të lartë, mungesa e rangimit të institucioneve sipas kritereve të qarta, por edhe hapja e universiteteve publike pa bërë analizë të mirëfilltë të gjendjes dhe nevojave, po e dëmtojnë cilësinë e arsimit në Kosovë.

Si edhe gjetkë, në vendet në zhvillim apo tranzicion, edhe tek ne vërehet nevoja për një lidhmëri më të fuqishme midis shkallës së arsimimit dhe punësimit, dhe një zhvillim sa më cilësor në sektorin publik apo privat në arsim shihet si pjesë e reformave dhe strategjive të nevojshme kombëtare.

Përmirësimi apo plotësimi i nevojave të tregut të punës është një sfidë e arsimit të lartë në Kosovë dhe mendojmë që në programet e reja duhet të bëhen hulumtime specifike për nevojat e tregut dhe programet e reja që akreditohen të kenë targetin e caktuar se ku ato do të sistemohen. Nuk është e thënë që të gjithë të kryejnë fakultet, master apo doktoraturë sepse tregu i punës ka nevojë edhe për shërbime profesione të cilat janë shumë të domosdoshme dhe kjo euforia që të gjithë duhet të jenë me fakultet duhet të përfundojë”, deklaroi dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.

Në Kosovë rregullisht diplomojnë 7,000-8,000 studentë në vit: vjet në Kosovë janë hapur më pak se 1,400 vende pune ku kërkohet arsimi i nivelit të lartë.

Sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës, aktualisht në tregun e punës në Kosovë janë aktivë për t’u punësuar 25 mijë deri në 30 mijë persona, derisa po ky treg mund të absorbojë vetëm nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit. (https://klanmacedonia.mk/prishtine-dita-e-punes-shenohet-me-protesta/)

Besarta Fazliu-Shatri

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM