“Je t’u pa shumë andrra’’ – ishte një nga fragmentet e filmit ‘’Zgjoi’’ të Blerta Bashollit, që i drejtohej një nga protagonisteve të filmit, e cila kishte vetëm një kërkesë, që të mos paragjykohej për faktin se ishte grua dhe kishte vendosur të punonte për familjen e saj.
Në këtë film që po bënë xhiro në podiumet e qendrave botërore të filmit, bëhet fjalë për një nga sipërmarrëset më të suksesshme në Kosovë, Fahrije Hotin dhe hapat e saj drejt krijimit të kooperativës bujqësore ‘’Krusha’’, gjatë viteve 90-ta.
Periudha e pasluftës, Fahrijen e gjeti me dy fëmijë të vegjël, pa kulm mbi kokë, e mbi të gjitha pa kryefamiljarin, burrin e saj, i cili ishte pjesë e listës së gjatë të personave të zhdukur gjatë luftës së vitin 1999 kur forcat serbe sulmuan Kosovën.
Ndërkohë, hapat e zonjës Fahrije i kanë ndjekur edhe plot gra të tjera në Kosovë.
Komuna e Gjakovës është një nga komunat me numrin më të lartë të grave sipërmarrëse.
Në bazë të platformës elektronike “Bizneset e Hapura” në komunën e Gjakovës 925 gra zotërojnë biznese indivudale, dhe 125 gra janë në krye të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar.
Ëmbla Brovina, 22 vjeçe, pronare e një salloni të bukurisë në Gjakovë rrëfen për KosovaLive, se s’i rrugëtimi i saj si pronare e një biznesi nisi në moshën 16 vjeçare.
“Unë që nga mosha 16 vjeçe kam punuar në sallone bukurie, njëherë si praktikante verës dhe herëve tjera si punëtore. Prej se kam qenë e vogël më ka pëlqyer të mblidhemi me shoqe dhe unë i rregulloja ato, duke ju kapë flokët, lyer buzët e kështu me radhë. Nuk kam kryer fakultetin edhe pse shumica më kanë thënë që të studioj infermierinë. Por thjeshtë nga fillimi e kam ditur që fakulteti nuk është pjesë e synimeve të mija. Mua më pëlqen ajo se çka jam. Dhe e konsideroj veten të suksesshme në atë që bëj”, thotë ajo.
Ajo po ashtu tregon edhe ndonjëherë është e vështirë të ketë sallonin e saj personal, shkaku i mospërkrahjes së duhur nga shteti, dhe hargjimeve të mëdha.
“Kur e shoh që gjithçka po bëhet e tepërt për mua, e ngadalësoj veten. Nuk është marre me kërku ndihmë, babi im ka pasë raste ku më ka ndihmuar. Por ka qenë dhe një rast mbas pandemisë ku sallonin tim e mbylla dhe fillova që të punoj nga shtëpia, pra klienteve të mia u rregulloja thonjtë në dhomën time”, thekson ajo duke kujtuar kohën kur nuk mori asnjë ndihmë nga shteti.
Sfidat e të qenit sipërmarrëse grua në Kosovë
Arbëresha Maloku nga Gjakova e cila është sociologe me profesion dhe është specializuar në studime gjinore, tani zotëron biznesin e saj privat.
Ajo është pronare e Studio të Jogas “Abbeyoga”.
“Jogën e kam praktikuar për më shumë se nëntë vite. E kam filluar si pasion dhe nuk kam mundur të ndalem studiuari dhe praktikuari që nga ajo ditë. Erdhi një kohë që më bashkangjiteshin njerëz të tjerë gjatë praktikës si dhe edhe vet kam tentuar të ftoj shoqërinë në shtëpi apo në natyrë për të mbajtur sesione gjatë uikendeve. Për vite të tëra kam mbajtur sesione pa pagesë deri para 2-3 vitesh ku njerëzit më ftonin për klasa me pagesë”, ka thënë ajo.
Arbëresha Maloku në studion e saj të jogas.
Në një moment të caktuar, ajo thotë se filloi të pranojë shumë ftesa nga biznese të tjera.
“Dikur erdhi një moment ku fillova të marr ftesa të shumta nga pronarë të studiove dhe fitneseve të njohura në Kosovë dhe me gjithë pamundësinë për t’u shkëputur nga profesionet që i zhvilloja, kërkesa ishte aq e madhe sa edhe dashuria ime për jogën andaj edhe fillova të mbaja disa angazhime paralel”, shprehet ajo.
Pas disa muajsh ajo arriti që të hap biznesin e saj, gjë të cilën e konsideron një sfidë në vete.
“Hapja e biznesit nuk është një gjë e thjeshtë. Kërkon shumë impenjim dhe qëndrueshmëri. E në fillim edhe investim”, potencoi ajo.
Po ashtu Arbëresha tregoi edhe mendimet e saja për margjinalizimin e gruas në botën e biznesit.
“Në profesionet ku historikisht kanë dominuar burrat ekziston një luftë jo e dukshme në shikim të parë, ku gruaja është jo rrallë objekt seksual, apo nuk u besohet puna e njejtë ashtu si burrave. Për shumë vite kam qenë e angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë që për mua kanë qenë vitet më të vështira të karrierës për faktin se kam qenë në një ambient të dominuar nga meshkujt, kam qenë e ekspozuar ndaj çdo stereotipi gjinor duke e përfshirë edhe shprehjen ‘a ka ndonjë burrë këtu me të cilin mund t’a prej pazarin’ apo edhe tentimin për të të ‘blerë’ me para”, rrëfen ajo.
Arbëresha ka edhe një këshillë për gratë të cilat do të vazhdojnë bizneset e tyre.
“Çfarëdo që keni dashur të bëheni kur të rriteni mos ngurroni të filloni shkollimin dhe përgatitjenprofesionale në atë drejtim. Beso në vetveten dhe mos u ndal edhe nëse askush nuk beson në ëndrrën tënde”
Ambiciet e pa ndalura të vajzave, përkundër sfidave
Vesa Syla, një vajzë 20 vjeçare nga Gjakova e cila studion ekonominë tregon se në të ardhmen ajo do të ketë biznesin e saj personal.
“Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bësh në këto kohë është që të kesh biznesin tënd, sado që i vogël mund të jetë. Unë studioj ekonominë sepse më pëlqen që në të ardhmen të merrem me dyqanin tim online – aty shes byzylykë, unaza dhe qafore të cilat i bëj vet. Më pëlqen që të merrem me punë dore dhe më pëlqen ideja që një ditë të kem edhe dyqanin tim fizikisht, ku aty dua të punësoj vajza të tjera që kanë po ashtu të njejtat dëshira si unë”, rrëfen ajo për Kosova Live.
Por përkundër vullnetit të saj për punë, Vesa tregon edhe për paragjykimet që ajo i ka marrë nga personat e tjerë për faqen e saj të aksesorëve.
Madje ajo thotë që u bë si një objekt tallje në shoqëri.
Foto e bizneseve në Gjakovë
“Jemi duke jetuar në epokën e kapitalizmit ku gjërat ‘’me emër’’ janë më të rëndësishme sesa ndjenjat tona, të gjithë kanë qeshë dhe më thanë që nuk do të kem kurrë një linjë asksesorësh si ‘Pandora’ por në të vërtetë unë nuk dua që linja ime të jetë ashtu, unë dua që linjën time të mund t’a ketë çdo njeri nëse është stili i tyre. Nuk dua të shesh gjëra që janë të shtrenjta, dua të shes gjëra me çmime që të gjithë mund të i përballojnë”, tha tutje Vesa.
Rrjeti i Grave të Kosovës, organizatë e cila merret me të drejtat e grave dhe përmirësimin e kushteve të tyre për jetesë, thekson mundësitë se si një grua mund të fuqizohet me anë të biznesit të saj në një vend i cili është ende patriarkal dhe ende paragjykues për gratë në sipërmarrje të bizneseve.
Kjo organizatë, mundohet që në çdo mënyrë të përkrahë gratë në biznes, ato dhe mbajnë panele të ndryshme lidhur me fuqizimin e grave në biznes.
“Është e rëndësishme që të ketë organizata jo qeveritare që ndihmojnë në përforcimin e gruas dhe që japin vëmendje temave të cilat nuk bisedohen aq shumë sa duhet”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Gratë nën hijen e burrave, në udhëheqjen e bizneseve
Sipas platformës elektronike “Bizneset e hapura” ku jepen statistika lidhur me bizneset në Kosovë, theksohet se 15 mijë e 101 gra në Kosovë zotërojnë biznese individuale. Sipas të dhënave, 69 gra janë në krye të kooperativave bujqësore.
Ajo që vërehet në këtë platformë është se aktivitetet biznesore me numrin më të madh që udhëhiqen nga gratë janë: sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë me mbi 3000 biznese, pasuar nga tregtia më pakicë në dyqane jo të specializuara ku mbizotëron ushqimi dhe tregtia me pakicë e veshjeve.
Po ashtu ajo që vërehet në platformë është diskrepanca e madhe midis grave sipërmarrëse dhe meshkujve. Vetëm 11 % e bizneseve në Kosovë zotërohen nga gratë.
Por, pavarësisht numrit të vogël të grave në biznes, në platformën elektronike, “Biznese të Hapura”, në top 10 bizneset sipas vlerës së kapitalit, në rend të parë radhitet një biznes në sektorin e transportit ajror, që drejtohet nga një grua.
Në Gjakovë shumica e bizneseve që janë në pronësi të gruas janë biznese individuale sipas statistikave të Bizneseve të Hapura: 87.02% janë biznese individuale dhe të tjerat janë për persona me aftësi të kufizuara dhe ato bujqësore.
Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, shkalla e punësimit sipas gjinive është 14.4 për qind te femrat dhe 46.2 për qind te meshkujt.
Kurse, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2020, numri i të punësuarve ka shënuar rritje për 13 mijë e 404. Në tremujorin e dytë punësimi kishte shënuar rënie në 60 mijë e 31 persona krahasuar me tremujorin e parë.
Sipas ASK-së, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2020 është 30.1%, punësimi me i lartë është te meshkujt 46.2%, ndërsa punësimi te femrat është 14.4%.
“Rezultateve sipas Anketës së Fuqisë Punëtore, në tre mujorin e tretë 2020, shkalla e papunësisë është 24.6%, papunësia më e theksuar është te femrat me 33.1%, krahasuar me meshkujt, 21.5%”, thuhet ndër të tjera në një komunikatë të ASK-së.
Ndërkohë raporte e hulumtime të ndryshme të organizatave vendore dhe ndërkombëtare vazhdojnë të theksojnë dikrepancën në paga midis grave dhe meshkujve në Kosovë. Meshkujt vazhdojnë të paguhen shumëfish më shumë sesa gratë në përgjithësi, pavarësisht profesionit që ushtrojnë.
Eli Vula
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.