Presidentja e Kosovës me rastin e Ditës së Veteranit të UÇK-së ka thënë se kjo ditë i dedikohet njerëzve që patën guximin që në momentet më të vështira, atdheut t`i bëhen mbrojtës, por edhe të jenë lajmëtarë të lirisë.
Osmani në postimin në Facebook thotë se përulet para të gjithë atyre veteranëve, të cilët atëherë e sot, atdheun e kanë mbi të gjitha.
Fundviti përkon edhe me Ditën e Veteranit të UÇK-së, e cila i dedikohet njerëzve që patën guximin që në momentet më të vështira, atdheut t`i bëhen mbrojtës, por edhe të jenë lajmëtarë të lirisë.
Sot nderojmë të gjithë ata veteranë, të cilët nuk hezituan, por rezistuan, nuk ngurruan, por luftuan dhe nuk u zmbrapsën, por i dhanë shtytje lirisë sonë.
Kjo datë bie në të njëjtën ditë kur 3 dekada më parë, më 30 dhjetor 1991, komandanti legjendar Adem Jashari me familje nisi rezistencën në një përballje direkte me forcat e regjimit gjenocidal serb, duke shënuar kësisoj fillet e rezistencës ushtarake të ushtrisë, së cilës i priu deri në rënien e tij bashkë me familje.
Përulem para të gjithë atyre veteranëve, të cilët atëherë e sot, atdheun e kanë mbi të gjitha.