Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani i adresohet qytetarëve për fundvit.
Presidentja Osmani ka thënë se në kohë vështirësish, duhet të përpiqemi të shohim përtej vetvetes dhe të fillojmë të veprojmë sa më të bashkuar – sepse ne jemi shumë pak për të qenë të ndarë. Qoftë në shtëpi apo në punë, qoftë në luftimin e pandemisë apo mbrojtjen e mjedisit, në kohë si këto, ne duhet të punojmë shumë për ta kultivuar dhe përqafuar ndjenjën e unitetit.
Kjo ngase, ne mund të kemi dallime politike apo dallime botëkuptimesh, por besoj fuqishëm se të gjithë e kemi të njëjtin synim final: ta shohim Kosovën si një vend të begatë dhe me mirëqenie të lartë ku të gjithë ndihen krenarë, duke e konsideruar shtëpi të tyre. Nuk kam dyshim që nëse punojmë së bashku, mund ta arrijmë këtë, por edhe më shumë se kaq, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Po e përmbyllim së bashku këtë vit dhe në prag të Vitit të Ri, ju uroj juve, familjeve tuaja dhe më të dashurve tuaj një vit të mbarë, plot shëndet e harmoni.
Viti që po e lëmë pas, ngjashëm me vitin paraprak, është karakterizuar me sfida të mëdha globale dhe të brendshme, por unë mbetem shpresëplot për të ardhmen tonë si vend dhe si popull. Jam e bindur se ditët tona më të mira janë përpara nesh.
Në fillim të këtij viti qytetarët tanë votuan për një ndryshim të rëndësishëm. Natyrisht, pritshmëritë tuaja janë të larta, sepse ju meritoni një qeverisje të mirë që funksionon në interesin tuaj. Pavarësisht sfidave të shumta, me të cilat janë ballafaquar vendet nga e gjithë bota, dua t’ju siguroj se institucionet e vendit tonë po punojnë ditë e natë për t’ju përfaqësuar me integritet, brenda apo jashtë vendit. Por, mbi të gjitha, dua t’ju them se ne po punojmë shumë për ta siguruar një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme për të gjithë në mbarë vendin.
Por, sonte, në veçanti, dua të flas për kontributin, të cilin e ka dhënë secili prej jush për ta bërë Kosovën një vend më të mirë gjatë vitit që po e lëmë pas.
Dua t`i falënderoj punonjësit tanë shëndetësorë për punën e palodhshme në përballjen me sfidën më të madhe me të cilën është ballafaquar bota në këtë shekull.
Dua t`i falënderoj policët tanë, të cilët krahas punës së tyre të përditshme dhanë kontribut shtesë, duke i qëndruar pranë qytetarëve në përballje me pandeminë dhe ndihmuan në mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit tonë.
Dua t`i falënderoj ushtarët tanë, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, brenda dhe jashtë Kosovës.
Dua poashtu t`i falënderoj zjarrfikësit që u përkujdesen për sigurinë tonë në kohë sfiduese.
Falënderoj gjithashtu ata që arritën majat e sukseseve duke na bërë krenar përkundër sfidave: bizneset e suksesshme që eksportojnë në çdo cep të botës dhe bizneset vendase që u angazhuan në inovacion dhe lulëzuan pavarësisht sfidave të paraqitura nga pandemia.
Falënderoj sportistët tanë që na hapën dyert në kontinentet e largëta, njerëzit tanë të artit që shfaqën me krenari punën e tyre dhe pjesë të rëndësishme të historisë sonë, duke u shndërruar kështu në krenari të secilit qytetar të vendit.
Dua t’i falënderoj edhe mediat dhe gazetarët profesionistë që luftuan për ta mbrojtur të vërtetën në kohën kur i gjithë globi po përballet me sfidën serioze të dezinformimit.
Dua ta falënderoj edhe mërgatën tonë të jashtëzakonshme për kontributin e saj të madh që Kosova të ecë përpara, nëpërmjet kontributit financiar, kulturor, politik e humanitar.
Një falënderim i veçantë shkon për aleatët tanë të përkushtuar ndërkombëtarë, të cilët vazhdojnë të punojnë krah nesh për ta ndihmuar Kosovën ta avancojë pozitën e saj ndërkombëtare, sikurse edhe për kontributin e drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës suaj.
Në fund, por jo më pak për nga rëndësia, dua t’ju falënderoj juve, të dashur qytetarë, për punën tuaj të palodhur, kontributin e vazhdueshëm, këmbënguljen, mirëkuptimin dhe guximin.
Padyshim është nder t’i shërbesh një populli, por nuk ka nder më të madh se sa t’i shërbesh popullit të Kosovës.
Të nderuar qytetarë,
Në vitin e ardhshëm, fatkeqësisht, do të përballemi me sfida shëndetësore në vazhdimësi, pasi pandemia ende nuk ka përfunduar.
Dua ta shfrytëzoj këtë moment për t`i kujtuar të gjithë ata i që kemi humbur nga ky virus vdekjeprurës, duke bashkëndjerë me familjet e tyre!
Ju falënderoj të nderuar qytetarë për durimin e deritanishëm dhe vetëdijen e treguar dhe ju lus që të vazhdoni t`i respektoni masat, sikurse ju lus që të vaksinoheni– duke përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese.
Në kohë vështirësish, ne duhet të përpiqemi të shohim përtej vetvetes dhe të fillojmë të veprojmë sa më të bashkuar – sepse ne jemi shumë pak për të qenë të ndarë. Qoftë në shtëpi apo në punë, qoftë në luftimin e pandemisë apo mbrojtjen e mjedisit, në kohë si këto, ne duhet të punojmë shumë për ta kultivuar dhe përqafuar ndjenjën e unitetit.
Kjo ngase, ne mund të kemi dallime politike apo dallime botëkuptimesh, por besoj fuqishëm se të gjithë e kemi të njëjtin synim final: ta shohim Kosovën si një vend të begatë dhe me mirëqenie të lartë ku të gjithë ndihen krenarë, duke e konsideruar shtëpi të tyre. Nuk kam dyshim që nëse punojmë së bashku, mund ta arrijmë këtë, por edhe më shumë se kaq.
Edhe një herë, Gëzuar Vitin e Ri dhe urimet më të mira për ju dhe të dashurit tuaj!.