Shpejtim Bulliqi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, është kryetar i ri i komunës së Podujevës, ndërsa në Mitrovicën e Veriut fitues është kandidati i Listës Serbe, Milan Radojevic.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Bulliqi në zgjedhje ka marrë 51.64 për qind të votave, ndërsa Radojeviqi ka fituar me 89 për qind të votave.
Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka deklaruar se në zgjedhjet e parakohshme lokale në Podujevë kanë votuar 40.51 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. OJQ Demokracia në Veprim (DnV), e cila e ka vëzhguar procesin zgjedhor në këto dy komuna, ka vlerësuar se procesi zgjedhor është zhvilluar përgjithësisht pa incidente ose parregullsi që do të mund ta cenonin integritetin këtij procesi.
Analistët kosovarë nuk janë befasuar me fitoren e kandidatit të Listës Serbe në komunën e Mitrovicës Veriore, e cila nuk e fsheh afërsinë me Qeverinë e Serbisë. Radojevic-in e ka uruar shefi i kancelarisë për Kosovën, Petar Petkovic, për “edhe një fitore bindëse të unitetit dhe pajtimit serb”.
Në komunikatën e lëshuar ai ka thekuar se me këtë rezultat në zgjedhje “populli serb e ka konfirmuar vullnetin e vet të palëkundur që të mbetet dhe të mbijetojë në Kosovë e Metohi, për çka do të mbështetet me të gjitha mënyrat nga presidenti Aleksandër Vucic dhe Qeveria e Serbisë”.
“… Bashkatdhetarët tanë e kanë konfirmuar edhe mbështetjen për idenë serbe të unitetit serb në Kosovë e Metohi, duke e njohur te Lista Serbe forcën kulmore politike e shtetformuese në krahinë”, ka theksuar Petkovic në komunikatë.