Po kryejnë studimet, por po mbesin në shtëpi. Përkundër interesimit për të kryer trajnime e për të bërë praktikë në profesionin që kanë zgjedhur, shumë të rinj nga komuna e Drenasit e komunat tjera, nuk po gjejnë hapësirë për të praktikuar atë që kanë mësuar. E në mungesë të mundësive për të bërë praktikë, ata po kanë vështirësi edhe në gjetjen e një pune, pasi për t’u punësuar po u kërkohet përvojë.
Lirije Limani nga komuna e Drenasit, studente në nivelin Master në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës ka treguar për KosovaLive, se mospasja e mundësive për të kryer praktikë në drejtimin që ka zgjedhur, e për të marrë pjesë në trajnime që lidhen me këtë fushë, po e penalizojnë atë.
Si rrjedhojë, ajo thotë se po mbetet e papërgatitur për tregun e punës, kësisoj edhe nuk po i ofrohet mundësi për t’u punësuar.
“Është me të vërtetë problem shumë i madh nëse ne si studentë nuk mbajmë praktikë dhe vendosim që menjëherë të punësohemi, mundësitë janë të pakta që të punësohemi nëse nuk kemi të paktën një bazë apo praktikë në profesionin tonë”, thekson ajo.
Ajo shprehet se sfidat me të cilat po përballen të rinjtë e Drenasit janë të shumëta, përfshirë këtu problemet sociale e papunësia, të cilat pastaj po ndikojnë gjithçka në jetën e tyre.
E interesuar për të mbajtur praktikë është edhe Zoja Prokshi, e cila është në vitin e fundit të studimeve në Fakultetin e Ekonomisë në drejtimin “Banka dhe Financa”.
Edhe ajo është shprehur se ende nuk ka arritur të jetë pjesë e ndonjë trajnimi i cili do ta përgatiste më shumë për fushën që ka zgjedhur.
“Kam interesim të madh për të qenë pjesë e këtyre praktikave e ka edhe shumë të rinj që dëshirojnë të jenë pjesë e tyre, por u jepet shumë pak mundësi”, është shprehur ajo.
Për rëndësinë që ka puna praktike tregon më së miri Florjana Mehmetaj-Qorri. Ajo është njëra nga të rejat e cila ka përfituar nga një projekt i Zyrës së Punësimit në Drenas, duke filluar një praktikë tre mujore në një zyrë të avokaturës në Drenas, praktikë kjo e cila i’u kthye në punë të rregullt.
“Praktika më ka ndihmuar që të aftësohem profesionalisht dhe në rrugëtimin profesional dhe sot nuk e kam vështirë të vazhdoj punën si punëtore e rregullt në këtë zyrë”, thotë ajo.
Në Këshillin e Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Drenas thonë se rinia e kësaj komune po përballet me sfidat e njëjta siç po përballet e gjithë rinia e Kosovës, e që është mungesa e tregut të punës.
Nga ky Këshill thonë se për shkak të mosgjetjes së një vendi të punës në Kosovë, të rinjtë po largohen në shtetet tjera.
“Aktualisht sfidë për rininë ka edhe në nivel të Kosovës dhe jo vetëm në Komunën e Drenasit. Por, sfidat janë ato të përgjithshmet jo specifikisht vetëm në Drenas, si migrimi drejt Evropës e shumë pak vende të reja për punë, etj”, janë shprehur nga ky Këshill.
Nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës tregojnë për KosovaLive se për vitin 2021 në Komunën e Drenasit janë regjistruar si të papunë 447 qytetarë prej të cilëve 346 të moshës 15-39 vjeç.
“Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës/Zyret e Punësimit përmes masave aktive të tregut të punës ofron praktikë në punë në bazë të projekteve të ndryshme. Masat aktive në tregun e punës sipas profesioneve tregon se profesionistët, janë përfituesit kryesor në masat aktive të punësimit”, kanë thënë nga kjo Agjenci.
Derisa të rinjtë ankohen se nuk po u ofrohen mundësi për të kryer punë praktike, nga Komuna e Drenasit kanë thënë për KosovaLive se kanë organizuar disa aktivitete për të rinjtë dhe se kanë nënshkruar marrëveshje me institucionet qendrore lidhur me këtë çështje.
Nga kjo komunë kanë thënë se kanë bërë marrëveshje me institucionet qendrore për të mbështetur të rinjtë, marrëveshje e cila ka kushtuar 25 mijë euro.
“Komuna ka bërë marrëveshje me institucionet qendrore për mbështetje rinore me vlerë – 25,0000 euro”, janë deklaruar nga Komuna e Drenasit.
Përveç marrëveshjes me institucionet qendrore, Komuna e Drenasit, ka nënshkruar marrëveshje edhe me Flutura Academy, e cila ka filluar aktivitetet në shtator të këtij viti në Qendrën Rinore në Drenas. Përmes kësaj organizate parashihet trajnimi i të rinjve dhe përgatitja e tyre për tregun e punës, e deri më tani janë 250 të rinj të cilët po mbajnë trajnime në këtë qendër.
Një aktivitet për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës po mbahet edhe nga Organizata Rinore Akti “Ora”, nën menaxhimin e udhëheqësit Rexhep Gojnovci.
Arbaneta Zekolli, trajnere e këtij trajnimi ka thënë se duke u bazuar në mungesën e zhvillimit socioekonomik për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara, pa dyshim që është shumë e nevojshme që në Drenas të impementohen projekte të tilla.
Ajo është shprehur se gjatë kësaj kohe janë duke trajnuar grupin e tretë të këtij projekti dhe se interesimi i të rinjve për këtë projekt është jashtëzakonisht i madh.
“Interesimi i të rinjve ka qenë jashtëzakonisht i madh për t’u bërë pjesë e trajnimit, në veçanti tek grupi i tretë”, ka deklaruar ajo.
Zekolli më tej ka shtuar se përveç trajnimit, ky projekt ofron edhe mundësi praktike për disa nga pjesëmarrësit dhe se deri më tani nga dy grupet paraprake, mbi 50% e pjesëmarrësve kanë qenë të angazhuar në tregun e punës qoftë si të punësuar apo në intership.
Ofrimi i shkathtësive dhe përgatitja e të rinjve për tregun e punës është objektivi kryesor i strategjisë 2019-2023, e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Zëdhënës për informim në këtë ministri kanë thënë se pjesë e këtij plani strategjikë është edhe “Plani i veprimit: rritja e punësimit të të rinjve”, i cili përmbanë disa pika të rëndësishme për informimin dhe ofrimin e të rinjve në tregun e punës. Sipas ministrisë, këto masa planifikohen në baza vjetore.
“Këto masa të MKRS-së planifikohen në baza vjetore dhe përbëjnë veprime afirmative/stimuluese për të gjithë të rinjtë të cilët përcaktohen për vetëpunësim – si veprimtari më e shpeshtë dhe e preferuar e punësimit të brezave të rinj”, janë deklaruar nga MKRS.
Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2020, kanë treguar se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.
Megjithatë, sipas anketës, në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.8%.
Ndërsa, një studim i realizuar për rininë për vitin 2018-2019 tregon se papunësia e lartë e të rinjve tregon për një mospërputhje të qartë ndërmet sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës.
Niveli i ulët i punësimit po e shtyn rininë e vendit që të kërkojë punë në shtetet tjera.
Nga Agjencia e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK) kanë thënë për KosovaLive se interesimi i të rinjëve për të marrë pjesë në projektet e tyre është shumë i madh.
Sipas tyre, interesimi i të rinjëve është dyfish më i madh se sa kapacitetet e projekteve të tyre, dhe se vetëm dy vitet e fundit janë ndërmjetësuar 400 kandidatë për tregun e punës ndërkombëtarë dhe vendor.
“Ndërmjetësimi i punëkërkuesve behët ekskluzivisht për programe të shkollimit dhe aftësimit profesional, jo për punësim të drejtpërdrejtë. Sipas projekteve aktuale, për dy vitet e fundit janë ndërmjetësuar rreth 300 kandidatë për tregun ndërkombëtar dhe 100 të tjerë për tregun vendor (kryesisht për Call Center)”, janë deklaruar nga APPK-ja.
Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se nëse kjo qeveri nuk bënë veprime që të ndryshohet struktura e punësimit tek të rinjtë, të gjitha ato pritje do të kthehen në zhgënjim të madh.
Ai ka deklaruar se tregu i punës është sfidë për të rinjtë në Kosovë, derisa është shprehur se shkallën e përgatitjes së rinisë për tregun e punës e tregon më së miri niveli i ulët i punësimit.
“Kjo qeveri i ka të gjitha parakushtet për të marrë hapa në përmirësimin e jetës ekonomike në vend përmes politikave investive të cilat do të ndikonin në rritjen e punësimit, njëherit duhet të bëhet profilizimi i edukimit për faktin që të diplomuarit në Kosovë janë me numër më të madh në kategorinë e të papunëve”, u shpreh ai.
Sipas raportit zyrtar të Agjencisë së Statistikave për vitin 2020, shkalla e papunësisë te personat 15-64 vjeç gjatë vitit 2019 ishte 25.7 për qind, ndërsa gjatë vitit 2020, 25.9%.
Shkalla e papunësisë te gratë gjatë vitit të kaluar ishte më e lartë se të burrat: 32.3 për qind gra ishin të papuna gjatë këtij viti, ndërsa të papunë ishin 23.5 për qind burra.
Rinesa Qorri
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.