Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, para anëtarëve të komisionit për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal ka raportuar për ecurinë e agjendës legjislative duke përfshirë projektligjin për grantin e bazuar në performancë dhe projektligjin për vetëqeverisje lokale të cilat janë miratuar në Qeveri dhe janë procesuar për në Kuvend të Republikës së Kosovës.
Ministri Krasniqi duke theksuar rëndësinë e këtyre dy projektligjeve dhe duke adresuar ndryshimet të cilat parashihen përmes këtyre dy projektligjeve, ka sqaruar ecurinë e agjendës legjislative para anëtarëve të komisionit parlamentar për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal.
Në anën tjetër, anëtarët e këtij komisioni kanë përgëzuar ministrin Krasniqi për iniciativën për plotësim-ndryshimin e ligjit për grantin e performancës, duke theksuar nevojën që granti i performances të rregullohet me ligj dhe të bazohet në performancë dhe jo preferencë, duke pas parasysh nevojën për mbështetje komunale të Komunave të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, anëtarët e komisionit parlamentar për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal kanë vlerësuar lartë disa nga ndryshimet e parapara me ligjin për vetqeverisje lokale, të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme.
Në fund, pas një debati konstruktiv, nga anëtarët e komisionit parlamentar për administrate publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal janë miratuar në parim, projektligji për vetëqeverisje lokale dhe projektligji për grantin e performancës, thuhet në komunikatën për media e MAPL-së.