Kultura e mbrojtjes së diçkaje jo personale, për shumë vite me radhë, ka qenë sfidë e mundimshme e të gjitha shoqërive kudo në botë. Secili prej nesh ka qenë i ekspozuar në një formë ose tjetër ndaj ndonjë prone publike të dëmtuar, të mbushur me mbeturina ose të shkatërruar plotësisht.
Në aspektin e ligjeve, Kosova qëndron mirë por problem i të gjitha qeverive ka qenë sigurimi i zbatimit të tyre. Rregullimi i sjelljes personale në mënyrë që të ruhet rendi dhe qetësia publike është qëllimi i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.
Sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës, menaxhimi i hapësirave publike është obligim i nivelit lokal të qeverisjes. Neni 2 i Ligjit për Qeverisjen Lokale përkufizon qartë statusin ligjor, kompetencat dhe parimet e financimit, organizimit ose bashkëveprimit të komunave ndërmjet vete.
KosovaLive ka pyetur disa qytetarë se sa jemi ne si shoqëri apo si individë të kujdesshëm ndaj hapësirave publike: disa nga qytetarët mendojnë që faji për dëmtimin e këtyre hapësirave nuk mbetet vetëm tek organet kompetente, dhe se një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe vet qytetarët.
Liridon Duraku, inxhinier i hidros, tregon përvojat e tij personale si qytetar me hapësirat publike.
“Unë personalisht mendoj që i respektoj mjaftueshëm hapësirat publike. Mendoj që fajin se pse ne si vend kemi shumë hapësira publike të dëmtuara e kemi të gjithë duke filluar nga individi, kolektivi shoqëror e deri tek organet përgjegjëse, institucionet. Se si do të mund të rregullohej ky problem, mendoj që duhet të fillohet nga organet kompetente sepse ato e përcjellin mesazhin kryesor tek publiku. Është një çështje zinxhirore – nga institucionet tek çdo qytetar”, thotë ai.
I pyetur nëse ka hasur në hapësira publike të dëmtuara, ai përmend dëmtimin në pjesën tek Biblioteka Kombëtare, parkun e ndërtuar mbi Sallën 1 tetori, minibiblotekat e vendosura nëpër qytet dhe tualetet publike në parkun e qytetit.
Një tjetër qytetare Arbresha Beqiri, studente në Fakultetin e Edukimit, thotë se respekton hapësirat publike, duke shtuar se mundohet gjithashtu të ndikojë tek të tjerët që të respektojnë këto hapësira, derisa për dëmtimet që u bëhet objekteve dhe hapësirave publike, ajo fajëson qytetarët.
“Fajtori kryesor që e kemi këtë gjendje me hapësirat publike janë vetë qytetarët dhe mendoj që ruajtja e hapësirës publike është detyrë e çdo qytetari. Pjesën e përgjegjësisë e kanë edhe institucionet dhe organet komunale të cilat duhet të reagojnë. Herën e fundit që kam hasur në dëmtim të hapësirës publike ka qenë pikërisht këtë javë, meqë kanë qenë persona që i njoh që e kanë kryer këtë veprim edhe unë e kam pasë më të lehtë të reagoj”, thotë ajo.
Të keqmenaxhuara dhe të uzurpuara i ka quajtur Nehat Bllacaku hapësirat publike duke iu referuar trotuareve, si vende të destinuara për qytetarë e të cilat shfrytëzohen edhe nga nxënësit.
Sipas tij, hapësirat publike janë përgjegjësi e komunave dhe mosvënia e gjobave dhe mungesa e inspektorëve po shkakton gjendjen aktuale.
“Qytetarët për hir të ruajtjes dhe kujdesit për publikën duhet që në çdo rast të bashkëpunojnë me policinë, inspekcionin komunal dhe Drejtorinë e Shërbimeve publike. Ndërkohë komunat duhet të jenë syhapur dhe efikase në vendosjen e gjobave dhe penalizimin pa kushte të secilit që shkakton dëme”, konsideron Bllacaku.
Në anën tjetër, ai mendon se rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet emërimit të drejtorëve të shërbimeve publike.
“Kryetarët e komunave duhet të jenë të kujdesshëm gjatë emërimit të drejtorëve në Drejtoritë e Shërbimeve Publike. Aty duhet të emërohet një person i përgatitur, me autoritet dhe aktiv”, përfundon ai.
Nga organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, që merret me mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta dhe hapësirave publike në përgjithësi, thonë se nga monitorimi që bëjnë është vërejtur deri tani fakti se hapësirat publike nuk i përmbushin nevojat e qytetarëve e veçmas personave me nevoja të veçanta.
“Arsyeja pse një hapësirë dëmtohet është kryesisht sepse komuniteti përreth nuk përfshihet në proceset e planifikimit dhe realizimit dhe në këtë mënyrë institucionet lokale dështojnë që të krijojnë ndjenjën e përkatësisë për hapësirën publike tek qytetarët”, thuhet në përgjigjen e organizatës “Ec Ma Ndryshe”.
Sipas kësaj organizate, qytetarëve u mungon ndjenja që një hapësirë publike u përket atyre, meqenëse nuk përfshihen në vizionimin, dizajnimin dhe realizimin e hapësirave të tilla.
“…praktika e deritanishme tregon se nevojat e tyre lidhur me atë hapësirë kryesisht injorohen”, pohonë “Ec Ma Ndryshe”.
Sipas kësaj organizate, qytetarët që shkatërrojnë hapësirat publike duhet të gjobiten sipas ligjit.
“…(ndaj) personave të papërgjegjshëm të cilët degradojnë hapësirat publike duhet të aplikohen ndëshkimet e parapara me ligj”, thekson kjo organizatë.
DEMOS (Decentralisation and Municipal Support) përkrah dhjetë komuna në vendin tonë në fushën e hapësirave publike, duke përfshirë këtu Shtimen, Lipjanin, Rahovecin, Vitinë, Kamenicën, Junikun etj.
Këto komuna financohen për parqe, sheshe, ndriçim publik, terrene sportive dhe hapësira tjera me shumë përdorime.
Globalisht, sipas WorldBank, rreth një e treta e sipërfaqes së tokës së një qyteti mbulohet nga hapësira publike, nisur nga rrugët e qytetit, sheshet e lagjeve, parqet e deri te objektet publike si bibliotekat dhe tregjet.
Ruajtja dhe kujdesi për hapësirat publike nuk i takon vetëm komunave, por të gjithë qytetarëve pa dallim.
Sipas një studimi të World Bank, hapësirat publike të suksesshme janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shumë akterëve dhe jo përgjegjësi vetëm e komunave të cilat shpesh përballen me kufizime burimesh.
Donjeta Abazi
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.