Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák do të vizitojë Kosovën, nga 31 janari deri më 2 shkurt.
Atij do t’i bashkohet edhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari (ZNS) Gabriel Escobar.
Në Prishtinë, PSBE Lajčák dhe ZNS Escobar do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA.
Lajčák do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin e përbashkët në Mutivodë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së BE në Kosovë.