Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në bashkëkryesim me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, sot ka hapur mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues të Strategjisë për Sundimin e Ligjit në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Në takimin e këtij Komiteti, temë diskutimi ishte procesi tejet i rëndësishëm i zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, Dokument strategjik që nuk përfaqëson vetëm jetësimin e vizionit të reformës në drejtësi, por dokumentin konkret të konsolidimit të sistemit të drejtësisë në vend si rezultat i Procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.
Derisa ka folur për rëndësinë e Strategjisë dhe Planit të Veprimit, Ministrja Haxhiu tha se vizioni kryesor i këtij dokumenti planifikues është kthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi, për të cilin shtoi Haxhiu, duhet ta ndajmë dhe të punojmë pareshtur për arritjen e tij.
Nga ana tjetër, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka shprehur vlerësimin e tij për këtë Strategji, aktivitetet e së cilës tha ai, janë adresuar dhe analizuar brenda KGJK-së. Kryesuesi Zogaj u zotua se KGJK mbetet e përkushtuar për bashkërendim të plotë me qëllim të zbatimit të tërësishëm të kësaj Strategjie për të ofruar një drejtësi të barabartë dhe efikase për qytetarët dhe njëherit duke synuar objektivin kryesor, kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë për të cilat zotime, shtoi ai, KGJK do të jetë mbështetës i fuqishëm si institucion dhe i përgjegjshëm për zbatim të kësaj Strategjie.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku tha se procesi i Rishikimit Funksional të Rishikimit të Sektorit të Sundimit të Ligjit është një ndër proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, nga i cili proces edhe derivon kjo Strategji, për të cilën jemi të përkushtuar për zbatimin e mëtutjeshëm të saj me qëllim që të kemi një sistem drejtësie të pavarur, transparente dhe efikase.
Përfaqësuesi nga Ambasada Amerikane Michael W Grant në fjalën e tij i ka përgëzuar përfaqësuesit e institucioneve për punën e bërë duke shtuar se SHBA mbetet e përkushtuar që të ofroj mbështetje të vazhdueshme për implementimin e plotë dhe të suksesshëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit. Gjithashtu, ai i bëri thirrje Qeverisë që të ofroj burimet e nevojshme për zbatim të aktiviteteve që dalin nga Plani i Veprimit dhe të ekzistojë bashkëpunimi në mes akterëve përkatës për zbatimin e Strategjisë.
Përfaqësuesja nga Zyra e BE-së në Kosovë, Annemarie Douwes, theksoi se BE e mirëpret zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit e cila është bazë për modernizimin e sektorit të Sundimit të Ligji dhe për këtë BE e ka mbështetur dhe do të vazhdoj të mbështes zbatimin e saj përmes projekteve apo aktiviteteve të ndryshme.
Për rëndësinë e kësaj Strategjie ka folur edhe përfaqësuesi nga Presidenca, Artan Murati, i cili njoftoi të pranishmit që në Samitin për Demokraci të organizuar nga Presidenti Biden, është diskutuar edhe zbatimi në përpikëri i kësaj Strategjie.
Ndër të tjera, në këtë mbledhje u votuan funksionalizimi i organit koordinues ndërinstitucional si dhe anëtari i këtij Komiteti nga radhët e Shoqërisë Civile, Labinot Leposhtica, BIRN.
Ministrja Haxhiu në përmbyllje të mbledhjes së parë të këtij Komiteti, gjithashtu ka përmendur disa nga aktivitetet të cilat tanimë janë ose kanë filluar të zbatohen nga Ministria e Drejtësisë përfshirë: Finalizimi i Kodit të Procedurës Penale, Finalizimi i Ligjit për Gjykatën Komerciale, Përgatitja e ligjeve lidhur me ekzekutimin e sanksioneve penale, Rregulloren dhe caktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizimin në MD, Finalizimi i Ligjit për Deklarimin e Pasurisë dhe Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Aktivitete të ndryshme për parandalimin e dhunës në familje, Aktet nënligjore për ndërmjetësim, mbledhja e të dhënave për efikasitetin e sistemit sipas metodologjisë së CEPEJ, dhe të tjera, thuhet në komunikatën për media e MD-së.