Sipas Organizatës Botërore të Punës, Covid-19 nuk ndikoi në mënyrë proporcionale tek të rinjtë e Ballkanit, duke shkaktuar probleme të papunësisë, arsimit jo cilësor dhe shëndetit mendor që mund të zgjasin edhe përtej pandemisë. Kjo është shqetësuese duke qenë se edhe para pandemisë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor po përballeshin me sfida të konsiderueshme lidhur me punësimin dhe përfshirjen sociale. Por a është shumë vonë për ta shmangur ‘shenjën e pandemisë’ te rinia jonë? Cilat janë zgjidhjet për një rikuperim përfshirës të rinisë?
Një ditë pas Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, festë publike që festohet çdo vit, nata e 29 nëntorit 2020 ishte një natë e frikshme për banorët e Librazhdit, një qytet i vogël në Shqipëri. Një i ri u hodh nga kati i 5-të i një ndërtese, në përpjekje për t’i dhënë fund jetës së tij. Zhurma e tmerrshme dhe ulërimat e tij shokuan fqinjët përreth. I riu u dërgua me urgjencë në spitalin e vendit; për shkak të plagëve të shumta ai u detyrua të bartej në spitalin e traumës në Tiranë. 24 vjeçari me inicialet J.S., ra mbi një shkurre dekorative para ndërtesës së tij, e cila i shpëtoi jetën, por e la të paralizuar. Kjo nuk kishte ndodhur më parë në qytetin e Librazhdit. Fqinjët u mblodhën menjëherë duke shprehur habi se pse ai do ta bënte një gjë të tillë. Lushka, një grua në moshë të mesme nga Librazhdi, bërtiste se pse e bëri ai këtë. Ajo tha se nuk ka asnjë arsye që një djalë t’i japë fund jetës së tij.
Ndonëse në çdo media lokale dhe media kombëtare rasti u raportua si tentim vetëvrasjeje, policia e cilësoi zyrtarisht rastin si aksident. Kishte dy versione të ndryshme të stories. Folëm me familjen e tij. Babi i tij nuk ndihej shumë rehat për shkak të raportit të policisë. Ai ndihej keq në atë kohë dhe e raportoi rastin si një incident për shkak të presionit kulturor dhe atij të opinionit publik.
Sikur të mos ishte e mjaftueshme varfëria, tani heshtja dhe pikëllimi kanë pllakosur familjen. Televizioni ishte i shkyçur sepse familja s’mund t’i duronte zhurmat.
E gjetëm të riun e paralizuar të shtrirë në shtratin e tij ortopedik, pa mundur të flasë shumë. Ende kishte shumë dhimbje. Sapo e pa që dikush kishte ardhur për ta intervistuar, shpërtheu në lot. ‘Të paktën jam gjallë’ – tha ai. E pyetëm si ishte dhe çfarë kishte ndodhur atë natë.
”Nuk po ndihesha MIRË kur e bëra këtë. Kisha problemet dhe krizat e mia personale. Nuk mund t’u hapesha të tjerëve se do të më quanin të çmendur. Isha keq në aspektin mendor dhe i ngarkuar me energji negative. Jam armiku i vetes sime. Pasi e bëra, të gjithë u përpoqën të më dëgjonin, por tani është shumë vonë,” – përfundoi bisedën i riu.
E respektuam privatësinë e familjes. Ai nuk ndihej mirë ta vazhdonte bisedën kështu që ndërhyri babai i tij.
Dua që rasti i djalit tim të jetë një mesazh për të ngritur vetëdijen dhe për të bashkëndjerë dhimbjen e të tjerëve. Është kjo që na bën njerëz. Ne gabuam shumë, këtë ma bëri me dije djali tjetër. Nuk duhet ta kishim raportuar situatën si një aksident. Nuk na vjen më turp të themi se djali ynë ishte i sëmurë në aspektin mendor si pasojë e karantinës. U nda me të dashurën, ra në provimet në universitet dhe rrinte ulur 24 orë me sytë ngulur në mur; ishte një moment dobësie për të. Ndihem keq si baba. Duhet t’i kisha qëndruar më pranë dhe t’i kisha kushtuar vëmendje qëndrimit të tij të çuditshëm. Duhet të kisha bërë punë më të mirë duke i treguar se është në rregull edhe nëse dështon. Pendohem për gabimin tim. Edhe ne si prindër mësuam nga gabimet tona.
Kësaj familjeve të shkretë iu desh të tejkalonte paragjykimet dhe diskutimet e njerëzve pas ndodhisë. I mbijetuari nuk mund të dalë jashtë sepse ka humbur të dy këmbët. Shtylla kurrizore i është thyer, duke e lënë të paaftë për tërë jetën. Sikur kjo të mos mjaftonte, prindërve të tij iu desh të merreshin me kureshtjen dhe pyetjet e pahijshme nga komuniteti dhe lagjja. E gjitha që Nazmiu, babai i të riut, ka për t’u thënë atyre është që të mos bëjnë thashetheme për tragjedinë e tij, por të kujdesen për fëmijët e tyre dhe t’u rrinë afër.
Arjana Novaku, e papunë, burri i së cilës është me aftësi të kufizuara, flet për situatën e rënduar që pandemia ka sjellë për të.
“Pandemia ka qenë shumë e vështirë për familjen time dhe për mua si grua, e vetme, e papunë. Ka qenë shumë stresues përballimi i krizës ekonomike dhe kjo ma ka rënduar situatën sepse mua më duhet të kujdesem po ashtu edhe për një person me aftësi të kufizuara.”
Nuk mund ta bëja, sepse edhe vetë kam sëmundje kronike. Ky stres ka ndikuar edhe te fëmijët e mi të vegjël. S’mund t’ju përmbush nevojat e tyre.
Jam unë mbajtësja e familjes. Kam bërë shumë kërkesa për ndihmë, kam marrë vetëm fjalë të thata, asnjë mbështetje. Jam lodhur duke ardhur rrotull në institucionet vendore, me shpresën se do të gjej një zgjidhje, por ka qenë e pamundur” – përfundon Arjana.
Një nga vajzat e saj tentoi vetëvrasjen gjatë COVID-19. Kishte mendime për vetëvrasje dhe tha se nuk ishte e lumtur në këtë jetë.
Shokët e klasës vazhdimisht e bullizonin për peshën e saj. Kishte marrë shumë meme duke e etiketuar. Ishte mrekulli që e ndalova në kohë. Fola me prindërit e fëmijëve bullizues dhe mësuesin. Ata u informuan për shqetësimin tim dhe menjëherë ndërmorën hapa për t’i edukuar më mirë fëmijët e tyre dhe për të kërkuar falje. Më kujtohet që një nga fëmijët bullizues edhe qau kur kuptoi se sa thellë kishin ndikuar te vajza ime qëndrimi i tij dhe fjalët e këqija.
Arlis Alikaj raportoi nga Shqipëria
Amra Avdić raportoi nga Bosnja dhe Hercegovina
Jeta Selmanaj raportoi nga Kosova
“Ky artkull është shkruar përmes programit “Media për të gjithë” financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja e mbledhur dhe pikëpamjet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorëve.”