Është e shtunë. G., një studente e matematikës në Universitetin e Prishtinës, është para laptopit, duke u munduar të fokusohet në shpjegimin e profesorit për gjeometrinë deskriptive. Temë e vështirë dhe e gjitha me vizatime. Po mundohet të koncentrohet në maksimum, kur në atë moment bie zilja dhe mysafirë hyjnë në shtëpi.
Ajo çohet, përshëndetet me mysafirët, ndërkohë që mësimi vazhdon… Vizatimet ndërrohen, ndërsa G., që po merret me mysafirët, e humbet këtë mësim, si edhe shumë të tjerë…
Një nga faktorët që ka ndikuar në cilësinë e studimeve të saj është mjedisi i papërshtatshëm për studim.
Ajo thotë se “Studimi i lëndëve në degën e matematikës ka qenë më i vështirë me sistemin online të mësimdhënies. Kjo për shkak të numrit më të vogël të detyrave të zgjidhura gjatë orës, që ka rezultuar në një cilësi më të ulët të nivelit të detyrave; rrjedhimisht, kemi fituar më pak njohuri se sa gjatë pjesëmarrjes fizike në klasë”.
Ajo thotë se mësimi online e ka penalizuar në shumë fusha dhe ka qenë shumë joefektiv.
“Në shumë raste, orët e planifikuara nuk janë mbajtur sipas orarit të mësimit për arsye të ndryshme nga ana e profesorëve. Shumë orë janë mbajtur gjatë vikendeve, që ka çuar në dështim të plotë të planifikimit të ditës për studentët. Sipas mendimit tim, sistemi organizativ i orëve online na ka penalizuar në shumë fusha dhe ka dhënë shumë pak efekt,” vazhdon ajo.
Denada, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës, ka pasur probleme me lidhjen e internetit dhe mungesën e rrymës elektrike.
“Ishte problem kur më duhej të merrja pjesë në ndonjë seminar ose të dorëzoja detyra, dhe krejt papritmas rryma ndalej. Dukej sikur mund të ishte e qëllimshme nga ana ime, kur në fakt ishte problem teknik,” tha ajo.
Ajo përballej me të njëjtat probleme edhe gjatë provimeve.
“Menaxhimi teknik ishte mjaft i vështirë, sidomos në rastin e provimeve”.
Për të, mësimi online e ka ndryshuar shumë mënyrën se si studion. Ligjëratat ishin në audio, të cilat i dëgjonte kur të donte dhe pyetjet që zakonisht i bënte në klasë, tani ajo i diskutonte në seminare.
Megjithatë, këto janë vështirësi që janë hasur kryesisht gjatë mësimit online në kohë pandemie.
Sipas drejtorit të Institutit për studime të arsimit “EdGuard” në Kosovë, Rinor Qehaja, “Kalimi në ligjërata online, mungesa e ndërveprimit, ligjëruesit e papërgatitur për mësimdhënie online, kufizimi i studentëve në ligjërata janë disa nga mangësitë e pandëshkuara në këtë fushë”.
Qehaja thotë se arsimi në universitet fokusohet shumë pak në cilësinë e studimeve, i cili është interesi i vërtetë i studentëve.
“Kjo neglizhencë, që doli në pah edhe gjatë pandemisë, mungesa e kompetencës së plotë nga ligjëruesit e universitetit lidhur me metodologjinë e mësimdhënies online, është edhe njëherë dëshmi se arsimit universitar i mungon një ligjërues i mirë mbi të gjitha,” thotë ai.
Universitetet po ashtu e pranuan se kishte shumë sfida në mësimin online gjatë pandemisë.
“Lidhur me vështirësitë me të cilat janë përballur studentët gjatë procesit të mësimit në pandemi, përmes një kërkimi të bërë nga Universiteti i Prishtinës, studentët thanë se kanë pasur probleme teknike, si ndërprerja e energjisë, probleme me internetin, mosfunksionimi i pajisjeve teknike, pastaj mungesë ndërveprimi me studentët e tjerë, ushtrimet (në laborator dhe të tjera) ishte e vështirë të kuptohen përmes videos dhe aspekte të tjera kryesisht teknike” tha rektori i Universitetit të Prishtinës.
Këto sfida po ashtu janë përmendur nga studentët, disa prej të cilëve kanë thënë se madje kanë vendosur t’i braktisin studimet e tyre.
Ndonëse kjo ka qenë një periudhë ku vështirësitë ishin të njëjta për të gjithë, me sa duket ka raste kur vështirësitë në të njëjtën situatë mund të interpretohen ndryshe nga dikush tjetër. Kjo në rastin e dy studenteve nga Universiteti i Tiranës, që kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me mbështetjen e ofruar nga ligjëruesit e tyre gjatë kësaj periudhe. Për më shumë, lidhur me atë se sa mbështetës ose të dobishëm kanë qenë ligjëruesit e tyre gjatë kësaj kohe, Elisabeta dhe Orkida, studente në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin Juridik, duket se kanë mendime të ndryshme. Orkida tha: “Ligjëruesit ishin mbështetës në përgjithësi, gjë që ndihmon shumë”.
“Si për ne dhe për ligjëruesit, kjo nuk ishte mënyra më efikase, por e vetmja që mund të aplikohej në këtë rast. Ata u munduan t’u përshtaten platformave të zhvilluara, ndonëse me vështirësi sigurisht. Shumë nga pedagogët ishin mirëkuptues, si për ata që kishin mundësi të ishin të pranishëm dhe për ata që shumicën e kohës nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në ligjërata. Sigurisht, kishte edhe të tillë që nuk tregonin shumë mirëkuptim në fillim, por gjithçka zgjidhej” – tha Elisabeta.
Arsimi online nuk është konsideruar i përshtatshëm as nga Ministria e Arsimit e Kosovës. Ministria e Arsimit ka thënë se arsimi gjatë pandemisë nuk ka qenë në nivel. Zëvendësministri Dukagjin Popovci u tha medieve lokale se, ”niveli i mësimdhënies në sistemin online nuk është aspak adekuat”.
Shumë studentë dhe mësimdhënës janë përballur me programe të panjohura, lidhje të dobët interneti, mungesë të pajisjeve teknike dhe në shumë raste me mungesë elektriciteti. Disa studentë u gjetën komplet të përjashtuar.
Megjithatë, sistemi online ka qenë një përvojë shumë e vështirë, sidomos për ata studentë që nuk kishin pajisje teknike për të vijuar mësimet.
Arsimi online thelloi diferencat sociale
“Do të dëshiroja që dikush të na jepte një laptop që të mund të vijonim mësimin online dhe pastaj do ta kthenim” – kjo kërkesë nga një djalë 14 vjeçar e shprehur në një film dokumentar të realizuar nga gazetarë në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë trishtoi tërë kombin. Storia ndiqte këtë djalë dhe motrën e tij më të madhe, që vinin nga një familje me një gjendje jo të mirë sociale dhe nuk mund të përballonin blerjen e pajisjeve digjitale për të vijuar arsimin online. Autori i dokumentarit, gazetari Sunai Sabrioski, thotë se ky është vetëm një nga shembujt e fëmijëve që nuk kishin qasje të barabartë në arsimin online gjatë pandemisë COVID-19.
“Ky dokumentar ekspozon dobësitë e sistemit arsimor dhe mohon pasqyrën që autoritetet arsimore donin të prezantonin se secili fëmijë/nxënës ka kushte të favorshme për të vijuar mësimin online. Pas lëshimit të dokumentarit, ekipi ynë mori qindra mesazhe dhe donacione për këta nxënës nga OJQ-të dhe personat që kishin vullnet për të dhuruar kompjuterë. Megjithatë, institucioni i vetëm që ka reaguar pas dokumentarit ishte komuna dhe kryetari i saj, por Ministria e Arsimit u qëndroi deklaratave të tyre se të gjithë fëmijët e kanë opsionin e vijimit të mësimit online”.
Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit në Maqedoninë e Veriut, 10% e të gjithë nxënësve nuk i kishin pajisjet e nevojshme ose internet për të vijuar mësimin online. Megjithatë, Ministria thotë se ata kanë ofruar opsione të tjera për këta fëmijë që të vijojnë mësimin.
“Vitin e kaluar, shkollat dhe komunat ofruan pajisje të teknologjisë informative të nevojshme për të monitoruar mësimet online, ndërsa nxënësve që nuk kishin rrymë elektrike dhe internet në shtëpitë e tyre iu ofruan materialet ose ata vijuan mësimet në shkollë. Qeveritë lokale dhe shkollat kanë bërë investime shtesë gjatë verës që zbatimi të shkojë mirë, gjë e cila i ka forcuar burimet për mbajtjen e mësimit online”.
Por kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Luka Pavikevik, këmbëngul se jo të gjithë nxënësit kanë qasje në mësimet online. Arsimi online po ashtu ka treguar diferencat sociale në shoqëri, thotë Pavikevik:
“Para pandemisë, kishte një konsensus të përgjithshëm se Maqedonia është një vend tërësisht i digjitalizuar, por realiteti doli të jetë krejt ndryshe. Mësimi në distance ishte një tregues tjetër i dallimeve të thella sociale në shoqërinë e Maqedonisë. Si i tillë, mësimi në distancë ishte i pabarabartë dhe shteti nuk bëri asgjë për të ofruar pajisjet adekuate ose qasje në internet për nxënësit që kishin nevojë për të”.
Sipas Ministrisë së Arsimit, viti i kaluar shkollor ishte i suksesshëm. Megjithatë, ata e pranojnë se ka pasur vështirësi, si lidhjet e dobëta të internetit në shkolla dhe mungesa e pajisjeve të TI-së, por këto vështirësi janë zgjidhur shpejt, thonë ata.
“Me gjithë përpjekjet e mësimdhënësve për realizim të suksesshëm të ngjarjes, me shumë gjasë, disa nga nxënësit dështuan në përvetësimin e përmbajtjeve të caktuara ose nuk arritën rezultate të kënaqshme gjatë vitit të ri. Për këtë arsye, në pajtim me praktikën dhe përvojën aktuale, si dhe udhëzimet e ofruara nga Byroja për zhvillim të arsimit, gjatë vizitave këshilluese në shkolla, para se të angazhohen në diskutimin e temave të reja, përmbajtjes së re, ata përsëritin dhe lidhin njohuritë e reja me nxënësit, me përvojat e nxënësve, duke përdorur zotërim më të lehtë të materialit dhe duke arritur rezultatet e mësimit. Sigurisht, çdo mësues është i obliguar të organizojë mësim shtesë me nxënësit që kanë vështirësi në mësim dhe arritjen e aktiviteteve të mësimit,” tha Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut.
Dhe ndërsa Ministria është e kënaqur me rezultatet e vitit të kaluar shkollor, një anketë e kryer nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut vlerësoi cilësinë e arsimit online me 1 nga 10 pikë në total. Kryetari i Unionit, Luka Pavikevik, tregon arsyet kryesore.
“Kishte problem me përqendrimin, mësimdhënësit nuk ishin të trajnuar mjaftueshëm për mbajtjen e mësimit online dhe shpesh studentët vetë nuk i bashkoheshin mësimeve online. Si përfundim, nxënësit e shkollave të mesme janë përballur me tri probleme kyçe: mungesa e përqendrimit, personeli i trajnuar dobët dhe zbatimi jokonsistent i rregullave,” thotë Pavikevik, kryetar i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme.
10 mijë nxënës në Shqipëri pa qasje në mësimin online
Qasja në arsim ishte problem edhe në Shqipëri. Sipas informacioneve të autoriteteve të arsimit, ”në periudhën e parë të mbylljes si pasojë e pandemisë, në mars 2020, institucionet identifikuan rreth 10 mijë nxënës që nuk kishin qasje në mësimin online”.
Për këtë arsye Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) inkurajon vendet që të punojnë për të siguruar qasje të barabartë në arsim në raste të krizave të ardhshme, sepse ata thonë se mbylljet e shkollave nuk janë unike vetëm për pandeminë COVID-19 por mund të ndodhin edhe për shkak të shumë faktorëve të tjerë në të ardhmen. Sipas UNICEF-it, dëshmi shtesë sugjerojnë se rreth 30 për qind e nxënësve të shkollave në mbarë botën nuk janë në gjendje të mësojnë në largësi. Meqë pandemia COVID 19 është ende një problem global i vazhdueshëm, mësimi online ose në largësi do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në ofrimin e arsimit në të ardhmen e afërt.
Raporti i Komisionit Evropian për arsimin po ashtu vëren se pandemia COVID-19 ka ndikuar në sistemin e arsimit në të tri vendet.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të përgatitura në njëfarë mase, por Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes për arsim. Cilësia e arsimit vazhdon të jetë e dobët dhe duhet të përmirësohet dukshëm në Kosovë, janë disa nga konkluzionet në raport. Raporti i Komisionit Evropian për arsimin po ashtu thekson se Shqipëria është përballur me një termet, që e gjeti sistemin të papërgatitur, dhe si i tillë nuk kishte trajnime adekuate për mësimdhënësit dhe praktika të mësimdhënies që sigurojnë mësim efektiv në distancë.
Raporti i progresit thotë se të tri vendet duhet ta përmirësojnë qasjen në arsim për të gjithë, sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komuniteti rom, dhe të përmirësojnë po ashtu mbështetjen për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
Ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor të fëmijëve
Por pandemia nuk ka shkaktuar vështirësi vetëm në procesin e mësimit për nxënësit. Ajo ka pasur ndikim edhe në gjendjen e tyre emocionale dhe shëndetin mendor. Për nxënësit, pandemia nënkuptonte mbyllje të menjëhershme brenda apartamentit, pa kontakt me njëri-tjetrin, dhe kjo është shoqëruar me emocione si frika, vetmia, pesimizmi.
Disa nga prindërit me të cilët biseduam thonë se fakti që fëmijët po kalonin shumë kohë në shtëpi para kompjuterit, duke mos pasur mundësi të socializohen dhe të ndërveprojnë ballë për ballë me shokët e tyre dhe mësimdhënësit, ka ndikuar në disponimin e tyre, disiplinën dhe sjelljen po ashtu.
Jana Janeski Risteski ka dy fëmijët e saj në shkollë. Ajo thotë që përveç arsimit, është e shqetësuar për ndikimin e pandemisë në shëndetin mendor të fëmijëve.
“Mendoj se problemi më i madh është komunikimi në mes tyre. Janë të kufizuar dhe kjo ka ndikim shumë të keq në zhvillimin e tyre të mëtejmë. Ata mund të marrin njohuri në shumë mënyra, por mundësia për socializim është fatkeqësisht e paqasshme për këto gjenerata. Ata nuk kanë shumë raste për socializim dhe komunikim normal, dhe kjo do të lërë pasoja afatgjate në shëndetin e tyre mendor,” thotë ajo.
Festat e diplomimit, ceremonitë në fund të vitit shkollor, të gjitha këto momente të gëzueshme gjatë viteve shkollore u janë privuar nxënësve gjatë pandemisë.
Kjo ka rezultuar në emocione negative si vetmi, stres, pesimizëm, lodhje, që ishin dominuese në mesin e nxënësve, siç thonë psikologët.
“Ankthi dhe depresioni ishin problemet më të shpeshta të personave që kanë kërkuar ndihmën e psikoterapistëve. Pasiguria dhe frika për të ardhmen janë elementet kyçe për shfaqjen e ankthit. Qëndrimi në shtëpi pa kontakt me persona të tjerë, pesimizmi për situatën nxitën mendime depresive. Çrregullimet e gjumit po ashtu ishin një problem tjetër që përjetuan individët që kërkuan ndihmën e psikoterapistit. Sigurisht, numri i kërkesave është rritur”. Manjola Çollaku, psikoterapiste nga Shqipëria, thotë:
“Nuk mund të bëj një ndarje midis nxënësve dhe studentëve kur kërkojnë ndihmë, personalisht kam më shumë të rritur. Nxënësit, sidomos ata në fazën e pubertetit/adoleshencës janë më të vështirë për trajtim,” – vazhdon Çollaku.
Që nga fillimi i këtij viti shkollor, shumica e qeverive kanë vendosur të rihapin shkollat ndonëse pandemia nuk ka mbaruar. Përfundimi është se asgjë nuk mund ta zëvendësojë klasën dhe praninë fizike në shkolla. Si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit ishin shumë të kënaqur për kthimin në klasa, ndonëse nën masa strikte mbrojtëse dhe protokolle të pandemisë.
Tani që mësimet zhvillohen në klasë, gjithçka duket më e lehtë. Me maskën në fytyrë, G. tani studion përsëri në bibliotekën e qytetit me shokët e saj dhe po e shijon jetën studentore. Ajo nuk mund ta imagjinojë sërish izolimin dhe studimin vetë të matematikës, përpara kompjuterit.
Shkruar nga: Albiona Hajdari (Kosovë), Megi Cuka (Shqipëri), Ivana Stojkova (Maqedoni e Veriut)
“Ky artkull është shkruar përmes programit “Media për të gjithë” financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja e mbledhur dhe pikëpamjet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorëve.”