Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, drejtori i GIZ në Kosovë David Oberhuber dhe udhëheqësi i Projektit Tobias Seiberlich nënshkruan sot marrëveshjen e implementimit për projektin “Aftësitë për Tregun e Punës – Fit for Jobs”.
Projekti që bashkë-financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Gjermane synon rritjen e numrit të të rinjve të punësuar në Kosovë përmes përmirësimit të arsimit dhe aftësimit profesional, orientimit në karrierë dhe përmirësimit të qasjes së të rinjve në shërbimet e tregut të punës.
Përkatësisht, projekti “Fit for Jobs” mbulon katër fusha kryesore, siç janë, orientimi sistematik në karrierë në sistemin arsimor të mesëm të ulët, promovimi i përfshirjes sistematike të sektorit privat në Arsim dhe Aftësim Profesional, zvogëlimi i hendekut në mes të arsimit profesional dhe kalimit në tregun e punës, si dhe orientimi në karrierë me anë të politikave dhe strategjive përkatëse.
Në fushën e MFPT-së, bashkëpunimi synon angazhimin e praktikantëve në Agjencinë e Punësimit, angazhimin e trajnerëve sipas nevojave të Qendrave për Aftësim Profesional (QAP), zhvillimin e kapaciteteve të QAP-ave, si dhe implementimin e skemës së kuponëve të trajnimeve për punëkërkuesit.
Gjatë fjalës së tij, ministri Murati vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes të palëve duke u shprehur se “Bashkëpunimi i ngushtë me Qeverinë Gjermane është shumë i rëndësishëm në mënyrë që bashkërisht të krijojmë perspektiva më të mira përmes një pjesëmarrje aktive në tregun e punës në vend.”
Palët u zotuan që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.