Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Në fillim, Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje në misionin diplomatik dhe e falënderoi për mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA-së dhënë për FSK-në që nga themelimi e deri më sot.
Ndër të tjera, Gjeneral Jashari theksoi se FSK është dhe do të jetë forcë profesionale, shumë-etnike, me vlera dhe standardet më të larta, nën kontrollin civil demokratik si dhe në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.
KOMFSK gjithashtu e njoftoi Ambasadorin Hovenier edhe me planin afatgjatë të zhvillimit të FSK-së si dhe objektivit për pjesëmarrjen në ushtrime dhe misione ndërkombëtare të paqes përkrahë ushtrisë amerikane.
Në ndërlidhje me partneritetin mes dy shteteve si dhe Programin e Partneritetit Shtetëror më Gardën Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Jashari theksoi që SHBA si partner strategjik është jetik dhe si komandant do të punojë shumë që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej në funksion të paqes, stabilitetit te sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Ndërsa, nga ana e tij, Ambasadori Hovenier theksoi që SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen për FSK-në përmes programeve ushtarake dhe planeve zhvillimore të saj, për të cilat tashmë ka një koordinim paraprak.
Gjithashtu, ai e çmoi faktin që FSK është shumë-etnike dhe përfaqëson përbërjen etnike të popullsisë së Kosovës.
Në ndërlidhje me ushtrimet e përbashkëta Ambasadori Amerikan tha që sinkronizimi dhe mbështetja mes SHBA-së dhe Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.