Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bazë të një raporti të publikuar në fund të vitit 2020, pati vlerësuar se stresi, izolimi, humbja e të hyrave, frika dhe ankthi si rezultat i pandemisë, po e rrisin nevojën për mbështetje ndaj shëndetit mendor.
Sipas organizatës “Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore” (QHPSM), pandemia COVID-19 ka qenë dhe mbetet një situatë jashtëzakonisht negative.
“Për persona të cilët kanë qenë në depresion, pandemia ka qenë edhe më dërrmuese. Por, të paktën gjatë fillimit të pandemisë, edhe institucionet qeveritare edhe shoqëria civile kanë krijuar intervenime që parandalojnë vetëvrasjen. Ndikimin e kësaj nuk mund ta dijmë, por të paktën e dijmë që numri i vetëvrasjeve nuk është rritur pavarësisht rritjeve të shqetësimeve”, thotë Arian Musliu, drejtor ekzekutiv i QHPSM.
Greta Avdyli, sociologe rikujton se fenomeni i vetëvrasjes mund të nxitet nga faktorë të jashtëm të cilët ndikojnë direkt apo tërthorazi në individin. Ndër të tjera, gjendja shoqërore, kaosi, luftërat, kushtet ekonomike dhe mospërputhja e individit me realitetin shoqëror në të cilin gjendet, mund të jenë shkaktarë që shpien në aktin e vetëvrasjes.
“Kulturalisht ne jemi vend më kolektiv, më të afërt me njëri-tjetrin dhe pandemia ka ndikuar që dhunshëm të bëjmë një shkëputje nga jeta të cilën jemi mësuar. Kështu, në një formë apo tjetër është dashur që ti përshtatemi një ‘normaliteti të ri’. Pa dyshim, izolimi ka ndikuar në gjendjen shoqërore në përgjithësi, por ka prekur edhe individët më të ndjeshëm në veçanti. Izolimi, kaosi, lajmet mediatike mbi gjendjen e pandemisë kanë ndikuar në perceptimin tonë mbi shoqërinë. Marrëdhëniet midis njerëzve janë tejet të rëndësishme për vitalitetin jetësor dhe pandemia e ka vështirësuar një gjë të tillë”, ka thënë Avdyli.
Sipas saj, vetëvrasja nuk mund të konsiderohet si diçka tejet individuale, por është simptomë e problemeve shoqërore ekzistuese.
“Perspektiva e teorisë së konfliktit e konsideron shoqërinë si të pabarabartë, që është e prirur të gjenerojë konflikte dhe ndryshim. Sipas kësaj perspektive, vetëvrasja mund të nxitet nga faktorët si klasa sociale, raca, etnia gjinia, shpërndarja e pabarabartë e parave, pushtetit e prestigjit social”, ka shtuar ajo.
Në strategjinë e “Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore”, që funksionon që nga viti 2009, pika kryesore e intervenimit është promovimi i shëndetit mendor, rrjedhimisht propozimi i intervenimeve multidisciplinare sipas të dhënave empirike. Për të arritur qëllimin, kjo organizatë ka realizuar dhe ka planifikuar për të ardhmen programe, projekte vetëdijesuese dhe aktivitete të ndryshme.
“Disa prej aktiviteteve përfshijnë promovimin e shëndetit mendor në shkolla si formë e intervenimit të hershëm, gjersa programet zakonisht fokusohen në përmirësimin e shëndetit mendor përmes intervenimeve të caktuara kryesisht nga ekipi multidisciplinar”, ka potencuar Musliu.
Ai gjithashtu përmendi se kjo organizatë ka pasur mjaftë debate e takime, e madje edhe linja telefonike të ndihmës së parë psikologjike. Shëndeti mendor po e merr fokusin e merituar sipas tyre, që kështu të parandalojnë më të keqen që quhet vetëvrasje.
Ndihmë për qytetarët e Kosovës në lidhje me shëndetin mendor ka ofruar edhe “Linja e Jetës” që është aktive që nga nëntori i vitit 2019.
Sipas Uk Salihu-t, koordinator i projektit “Linja e Jetës”, shoqëria e ka pranuar këtë lloj shërbimi mjaftë mirë duke qenë se është e nevojshme për njerëzit.
“Deri tani kemi pranuar mbi 3000 telefonata. Numri më i madh i thirrjeve ka qenë gjatë vitit të fundit, por kjo përshkak se Linja e Jetës është duke u zgjeruar si projekt dhe më shumë njerëz po njoftohen për shërbimet tona”, është shprehur Salihu.
Ai gjithashtu ka përmendur se ka vullnetarë të interesuar për kauzën e tyre dhe se çdo muaj mbajnë trajnime për këta vullnetarë, por që kjo linjë të funksionojë 24 orë duhet numër akoma më i madh. Tani ajo funksionon nga ora 14:00-02:00 pas mesnate.
Për të qenë pjesë e stafit, vullnetarët duhet të kalojnë dy faza.
“Fillimisht çdo vullnetar që aplikon duhet të kalojë në fazën e intervistës ku pastaj vullnetarët e përzgjedhur prej intervistave kalojnë në fazën e trajnimit. Ky trajnim zgjatë 4 ditë dhe këtu mësohen të gjitha teknikat e nevojshme për menaxhim të thirrjeve. Këto teknika janë të përcjellur tek ne nga linja Holandeze për parandalim të vetëvrasjeve “113” dhe janë përshtatur për kontekstin tonë kulturor”, ka shtuar Salihu.
Sipas të dhënave të sistemit informativ të Policisë së Kosovës këto janë rastet e raportuara për vetëvrasje dhe tentatim vetëvrasjeje për vitet 2018-2019-2020 dhe periudhën janar-korrik 2021.
VETËVRASJE TENTATIVE TË KRYERA
2018 | 165 | 37 |
2019 | 142 | 31 |
2020 | 101 | 40 |
Janar-Korrik 2021 | 84 | 25 |
Siç shihet edhe në raportin e policisë, viti 2020 është viti me më së shumti vetëvrasje gjatë këtyre katër viteve të fundit në Kosovë, ndërkohë që viti 2021 ka të dhënat deri në muajin korrik.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi 700 mijë njerëz vdesin si pasojë e vetëvrasjeve çdo vit. Prej tyre, 77% e vetëvrasjeve globale ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Vetëvrasja është shkaku i katërt kryesor i vdekjes tek moshat 15-29 vjeç.
Sipas kësaj organizate disa nga këshillat që duhet të ndjekim për të shmangur vetëvrasjet janë: kufizimi në aksesin e mjeteve që shpien në vetëvrasje (për shembull: pesticide, armë zjarri e të tjera), ndërveprimi me mediet për raportim të përgjegjshëm të vetëvrasjeve, nxitja e aftësive jetësore socio-emocionale tek adoleshentët si dhe identifikimi i personave që kanë sjellje të çuditshme.
Anita Bakalli
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.