Në ditën e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u takuan me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn.
Ringjallja ekonomike, sistemi dual i arsimit, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe liberalizimi i vizave ishin pikat qendrore të diskutimit përgjatë takimit. Kryeministri Kurti tha se Kosova ka shënuar përmirësim të madh të indikatorëve ekonomikë gjatë vitit të kaluar. Ekonomia e vendit i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë të mirë, tha kryeministri. Të hyrat vjetore janë rritur, qarkullimi vjetor i bizneseve është rritur, gjithashtu eksportet dhe investimet e huaja.
Një nga dy prioritetet kryesore të qeverisë është punësimi, sidomos i të rinjve dhe grave. Përveç investimeve të huaja, ulja e papunësisë te të rinjtë duhet të trajtohet edhe nëpërmjet reformave në sistemin e arsimit. Prandaj, edhe synim e tashmë edhe veprim i yni është zhvillimi i një sistemi dual të edukimit që do të mundësonte lidhje ndërmjet tregut të punës dhe sistemit arsimor, tha kryeministri Kurti.
Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, përkatësisht Tregut të Përbashkët Rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbështet Procesin e Berlinit dhe se Tregun e Përbashkët Rajonal e sheh si platformën e duhur dhe të vetme që mundëson zbatimin e plotë të katër lirive të Bashkimit Evropian. Ai tha po ashtu se bashkëpunimi rajonal si premisë duhet gjithmonë të ketë trajtimin e barabartë dhe reciprok në mes të gjitha palëve të përfshira.
Sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti përsëriti faktin, që edhe është evidentuar tashmë në raportin e Komisionit Evropian, se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave. Mos liberalizimi tanimë është e drejtë e mohuar.
Përmirësimet në indikatorët ekonomikë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe politikat reformiste në sistemin e drejtësisë dhe administratë publike e bëjnë Kosovën më meritore për mbështetje edhe më të madhe financiare nga Bashkimi Evropian, u shpreh kryeministri Kurti.
Ndërkaq, komisioneri Hahn tha se Bashkimi Evropian, përveç tjerash do të përkrahë teknikisht dhe financiarisht në projektet për arsim dhe aftësim profesional, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.