Situata aktuale politike dhe përkeqësimi i demokracisë në Bjellorusi, u diskutuan në takimin që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya.
Sviatlana Tsikhanouskaya ishte kandidatja e opozitës në zgjedhjet presidenciale të Bjellorusisë në vitin 2020. Ajo kandidoi në zgjedhje pas arrestimit të bashkëshortit të saj nga autoritetet bjelloruse, me shpresën se do të mund t’i ndihmojë atij dhe popullit të saj që ta largojë pushtetin antidemokratik.
Kryeministri Kurti e vlerësoi guximin dhe angazhimin e Tsikhanouskaya për një Bjellorusi demokratike. Ai tha se me vendosmërinë dhe përkushtimin e saj, ajo ka fituar mbështetjen e demokracive botërore.
Liderja opozitare bjelloruse tha që sikurse kryeministri Kurti që ishte arrestuar para më shumë se 20 vitesh në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, edhe bashkëshorti i saj po mbahet në burg padrejtësisht.
Ajo e falënderoi Qeverinë e Kosovës që u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Bjellorusisë dhe tha se populli bjellorus e çmon këtë solidaritet, thuhet në komunikatn për media e ZKM-së.