Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në vend të prodhimit, theksi vihe tek kontrolli i produkteve të importuara ushqimore

Shk 23, 2022

Në vendin tonë përgjegjësinë për sigurinë e ushqimit e ka Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është cila funksionon nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë duhet të ofrojë siguri në ushqim përmes kontrolleve që u bëhen në kufi ushqimeve të importuara dhe brenda vendit përmes inspektimeve të organizuara në Zyrat Regjionale të vendosura në qytetet kryesore.

Sipas zyrtarit për Informim në AUV, Lamir Thaçi, të gjitha ngarkesat me produkte ushqimore, kafshë dhe bimë të cilat importohen ne mënyrë të rregullt i nënshtrohen kontrollit të inspektorëve të Agjencisë.

“Në kontrollin e produkteve nga importi veprojnë dy inspektorate – ai veterinarë dhe fitosanitar.  Procedura e kontrollit përfshin; dokumentacionin e ngarkesës,  i cili duhet të jetë origjinal, ku në të përfshihet certifikata shëndetësore, certifikata e origjinës së produktit si dhe dokumentacioni tjetër përcjellës që dëshmon sigurinë e produktit për konsum”, ka thënë Thaçi.

Ai gjithashtu thekson se në Kosovë konsumohen produkte po aq të kontrolluara sa edhe në vendet tjera duke u krahasuar edhe me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Këtë e argumentojmë përmes procedurave standarde të kontrollit kufitar dhe atij të brendshëm që ne aplikojmë. Përmes sistemit të kontrollit nga ferma-në-tryezë qe kemi punuar në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor duke filluar nga gjenetika, procesi i rritjes, përpunimi, paketimi, ruajtja shitja në treg deri në tryezë.  Prandaj, me plot përgjegjësi, mund të ju them se produktet ushqimore të plasuar në tregun kosovarë janë mirë të kontrolluara”, ka shtuar ai.

Sa i përket origjinës së produktit, Thaçi thotë se përmes mekanizmit të vlerësimit të rrezikut ata shtojnë frekuencën e kontrollit si dhe vigjilencën për produktet e caktuara apo vend të origjinës së caktuar. Kjo bëhet nga vlerësimet e tyre dhe ato ndërkombëtare.

“Disa lloje të produkteve me origjinë nga Serbia nuk importohen fare në Kosovë (kryesisht produktet me origjinë shtazore) për mungesë dokumentacioni. Probleme mund të ketë në secilin lloj të produkteve. Ne si autoritet punojmë çdo ditë për pengim të tyre.  Të gjitha situatat menaxhohen sipas procedurës dhe ligjeve”, ka treguar ai.

Ai thotë se kontrolli i brendshëm ne tërë territorin e Republikës së Kosovës  realizohet nga inspektorë e brendshëm sanitar, fitosanitar dhe veterinar të AUV-së të organizuar në zyre regjionale. Ata punojnë  në bashkëpunim me inspektorët komunal.

Mustafë Kadriaj, njohës i çështjeve ekonomike rikujton se raporti import-eksport nuk është në favor të Kosovës dhe kjo është një hendikep i ekonomisë kosovare.

Sipas Agjencisë së Statistikave në Kosovë, niveli i eksportit është shumë më i ulët se ai i eksportit që nga viti 2000-2020.

“Kosova që mbas luftës ka rritur bashkëpunimin tregtar por për fat të keq ende sillemi si importues. Kjo padyshim që ka efektet e veta negative, duke ngulfatur prodhimin vendor që kjo do të ishte alarm për qeverinë aktuale, njëherit thirrje për konsumatorin kosovar që si konsum primar të jetë prodhimi vendor njëherit bojkotim 100% të produkteve me origjinë serbe”,  thotë Kadriaj.

Edhe zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tregon se Kosova qëndron më prapa me eksport.

“Në aspektin e ushqimeve, Kosova ka bërë përparim pasi ka rritur ndjeshëm eksportin e produkteve ushqimore, por ende mbet më shumë import se eksport”, ka thënë Stavileci.

Ai poashtu theksoi se produktet ushqimore vijnë kryesisht nga rajoni, por nuk përjashtohet Turqia dhe Bashkimi Europian.

Kadriaj rikujton se Kosova kishte provuar “të vendos barriera ndaj Serbisë me plotë të drejtë”, por ka hasur në kundërshtim të miqve ndërkombëtar dhe se tani e vetmja spirale është fuqizimi i prodhimit vendor nga ana e qeverisë, njëherit vetëdijesimi i konsumatorit për të bojkotuar produktet serbe.

Dy nga industritë që dominojnë në aspektin e mallrave që Serbia eksporton në Kosovë janë ajo ushqimore dhe e ndërtimit.

“Institucionet krahas përkrahjes së prodhuesve vendor duhet të rritin vigjilencën në investigimin e prodhimit vendor për të ngritur cilësinë sepse kjo do i kishte dy anët e medales. Në mbrojtjen e shëndetit të qytetarit si dhe do rriste eksportin si rezultat i ngritjes së cilësisë për faktin që konsumatori europian nuk konsumon produkte me këtë nivel të cilësisë”, është shprehur ai.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qasja në sasi të mjaftueshme të ushqimit të sigurt dhe me vlera ushqyese është çelësi për ruajtjen e jetës dhe promovimin e shëndetit të mirë. Ushqimi i pasigurt që përmban baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të dëmshme, shkakton më shumë se 200 sëmundje, duke filluar nga diarreja te kanceret.

Ushqimi i sigurt është kyç për jetë të shëndetshme për secilin qytetar. Siguria në ushqim duhet të ofrohet nga organet shtetërore përmes kontrolleve që tregojnë se ushqimi në treg ka kaluar të gjithë hapat e kontrollit dhe është i gatshëm për konsum. Siguria e ushqimit përfshinë tërë zinxhirin ushqimor, nga faza e prodhimit/përgatitjes, trajtimin, transportin dhe ruajtjen e ushqimit me qëllim të parandalimit të rrezikut nga sëmundjet që vijnë nga ushqimi.

Sëmundjet që vijnë nga ushqimi pengojnë zhvillimin socio-ekonomik duke tensionuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe duke dëmtuar ekonomitë kombëtare, turizmin dhe tregtinë. Zinxhirët e furnizimit me ushqim tani kalojnë kufij të shumtë kombëtarë. Bashkëpunimi i mirë midis qeverive, prodhuesve dhe konsumatorëve ndihmon në sigurimin e sigurisë ushqimore.

Anita Bakalli

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM