Në Kosovë deri më tani janë mbajtur qindra aktivitete të ndryshme kushtuar mjedisit dhe rëndësisë së mirëmbajtes së ambientit. Ekzistojnë organizata të ndryshme të cilat mirren me aktivitete të tilla e sidomos vetëdijesimit të qytetarëve për rolin e dëmshëm të plastikës. Kushtuar degradimit sistematik të mjedisit në veçanti dëmeve të shkaktuara nga plastika është mbajtur edhe ekspozita interaktive “Demistifikimi i Plastikës” në Europe House nga 29 nëntori deri në 1 dhjetor.
Lekë Cervadiku video/fotograf në Ojq DYVO në intervistë për KosovaLive ka treguar më shumë rreth kësaj ekspozite.
“Ideja për ekspozita të tillë na erdhi kur ishim së bashku në grup me shoqërinë time. Nga kjo ekspozitë 50 vizitorë patën mundësinë e përfimit të informacioneve të reja rreth plastikës. Në fillim përmes një pyetësori ata kanë treguar njohuri e deritanshme më pastaj janë njohur me mbi 7 lloje të plastikës, ndikimit të tyre, përhapja e tyre në dete e në fund janë njohur me ecurinë e reciklimit të produkteve nga plastika”, është shprehur ai.
Për dekompozimin e plastikës mund të duhen 20 deri në 500 vite, e gjithë kjo në varësi të materialit dhe strukturës. Me dekada bota është e rrethuar nga plastika dhe mbetjet e e saj. Çdo ditë për nevoja të ndryshme ne e shfrytzojmë atë pa i ditur efektet negative në mjedisin ku ne jetojmë. Bazuar në të dhënat e Institutit të Politikave të Tokës afro një trilion qese përdoren në vit në mbarë botën. Shishet për ujë, qeset për ushqim e bartje te gjërave që blejmë ose marrim diku, janë prej produkteve më të përdorura nga plastika.
Deri më tani në Kosovë janë të regjistruara rreth 475 organizata mjedisore ku më shumë se 30% e tyre janë aktive.
“Kosova ka nevojë që të ketë shoqëri civile më të informuar e të edukuar lidhur me mjedisin e sidomos me aktivstë që delegojnë nga komuniteti e deri tek vendim marrësit lidhur me brengat, problemet e nevojat e tyre. Nevoja për zhvillim të kapaciteteve humane dhe të avokimit adekuat është shumë e theksuar“, shprehet aktivistja mjedisore Egzona Shala e cila për mbi 10 vite merret me aktivitete vullnetare.
Lidhur me aktivitetet kushtuar dëmeve që bën përdorimi i plastikës, Egzona tregon se kanë pasur aktivitete të tilla në veçanti sensibilizuese për qeset e plastikës.
“Përdorimin e qeseve të plastikës e shoh si një të metë të vendit tonë ku ende nuk ka një kosto që do të reduktonte përdorimin e tyre një përdorimshe”, shton Egzona.
Ndërkaq, alternativën më të mirë e sheh sjelljen e produkteve shumë përdorimshe efektive të përbëra nga materiale tjera të ndryshme. Vendosjen e një takse për qeset e plastikës dhe inicimin e vendosjes shumë përdorimshe për të janë rekomandimet më të mira në këtë drejtim.
Si aktiviste, studiuese dhe drejtoreshë në Eco Z, Egzona lë këshillën: “Duaje dhe ruaje mjedisin”.
Plastika është bërë për t’i qëndruar provës së kohës, por fatkeqësisht shumica e artikujve plastike përdoren vetëm një herë. Në nivel global, tetë milionë tonë mbeturina plastike hidhen në oqeane mirpo tash e një kohë ka shumë biznese dhe organizata që kanë filluar të ndryshojnë lojën duke u larguar nga shitja e produkteve dhe shërbimeve të bëra nga plastika. Në vend të kësaj, ata kanë zgjedhur të bëjnë një ndryshim duke ndihmuar në nxjerrjen e plastikës nga oqeanet tona, nga landfillet dhe t’i kthejnë ato në produkte të ricikluara me një jetë të re dhe të qëllimshme. Në mesin e tyre janë çantat Onya e dizajnuar nga RPET me material plastik nga 10 shishe të emërtuara në bazë të diçkaje në natyrë. Përdorimi i plastikës është kryesisht i zakonshëm, dhe kështu duke thyer zakonet tona të zakonshme të përditshme mund të ketë ndryshim të vërtetë, hap pas hapi. E për këtë ekspertë të ndryshëm kanë menduar si masë lehtësuse zëvëndësimin e disa produkteve nga plastika në letër .Webfaqja e menaxhimit dhe reciklimit të mbeturinave në mesin e top 10shes së produkteve ka rënditur edhe qeset për pazare të ndryshme. Ky ndryshim është i thjeshtë dhe do të presë kaq shumë plastikë në vit. Në vend të plastikës, të përdoren qeset prej pëlhure – ose blerja e disave dhe thjesht të lahen ato kur ndoten.
Qeset plastike fillojnë si lëndë djegëse fosile dhe përfundojnë si mbetje vdekjeprurëse në deponitë dhe oqeanet. Kafshët – zogjtë, gjallesat detare, bagëtitë dhe më shumë – shpesh ngatërrojnë qeset plastike me ushqimin ose materialet për ndërtimin e foleve, gjë që çon në helmim, mbytje, ngatërrim dhe bllokim të zorrëve – të gjitha këto mund të rezultojnë në vdekje.
Meqenëse qeset plastike nuk mund të biodegradohen, ato zgjasin pothuajse përgjithmonë (sipas disa vlerësimeve 500+ vjet). Në vend të kësaj, ato ndahen në copa më të vogla (të quajtura mikroplastikë) që nxjerrin substanca toksike që ndotin tokën dhe madje edhe furnizimin me ushqim të njeriut. Për shkak të peshës së tyre të lehtë, qeset plastike mund të fryhen lehtësisht nga kontejnerët e plehrave apo edhe nga deponitë. Më pas ato bllokojnë rrugët ujore, dëmtojnë tokën bujqësore dhe sigurojnë terren ideal për shumimin e mushkonjave.
Evropa ka qenë aktive në luftën kundër qeseve plastike. Në vitin 1994, Danimarka ishte vendi i parë që filloi të vendoste një taksë për to. Pas futjes së taksës, përdorimi ra nga rreth 800 milionë në afërsisht 400 milionë çanta në vit. Irlanda, e cila filloi të tarifonte klientët për qeset plastike në vitin 2002, pa një reduktim prej 90% në përdorim dhe mbeturina pasi taksa u vendos në fuqi.Zogjtë shpesh ngatërrojnë qeset plastike të copëtuara me ushqimin, duke e mbushur stomakun e tyre me mbeturina toksike. Për breshkat e uritura të detit, është pothuajse e pamundur të bëhet dallimi midis kandil deti dhe qeseve plastike lundruese të blerjeve. Peshqit hanë mijëra tonë plastikë në vit, duke e transferuar atë në zinxhirin ushqimor te peshqit më të mëdhenj dhe gjitarët detarë. Mikroplastika konsumohet gjithashtu nga njerëzit përmes ushqimit dhe në ajër. Pritet që deri në vitin 2050 të ketë më shumë plastikë se peshq në det.
Së fundmi, Bashkimi Evropian ka thënë se dëshiron të shohë një rënie prej 80% në përdorimin e qeseve plastike deri në vitin 2019, që do të thotë se të gjitha vendet evropiane do të duhet të jenë në bord. Disa prej vendeve të tjera që aktualisht kanë masa: Anglia, Italia, Gjermania… Shtetet e Bashkuara nuk kanë vënë ende në fuqi një ndalim për qeset plastike. Megjithatë, Meksika dhe disa provinca dhe territore kanadeze kanë masa. Gjithashtu, një numër në rritje i shteteve dhe qyteteve të SHBA-së i kanë marrë gjërat në duart e tyre. Për shembull, në vitin 2014, Kalifornia u bë shteti i parë që ndaloi qeset plastike dhe tarifoi qeset e letrës.
Çanta letre ofron avantazhe të shumta eko-akomoduese për individët që i përdorin ato. Ato mund të trajtohen dhe të ripërdoren vazhdimisht. Ato janë me funksione të dyfishta të riciklueshme dhe të biodegradueshme.
Flutura Sogonjeva
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.