Build Skills with our trainings

Sign up now!

Bullizues e të bullizuar, fëmijët s’po gjejnë siguri në shkollë

Shk 24, 2022

Të mbyllur, të distancuar nga shoqëria, të paragjykuar e të frikësuar për të ardhmen e tyre. Ky është fati i shumë fëmijëve në vend, të cilët aty ku do të duhej të ndiheshin të sigurt, po ndjehen të rrezikuar.

E ajo që ata ndjejnë, nuk është asgjë më pak se bullizëm.

Institucionet arsimore në vend nuk po arrijnë të krijojnë ambiente të sigurta për fëmijët, të cilët po bien pre e bullizmit. Këtë e dëshmon edhe një sondazh i realizuar gjatë vitit të kaluar nga Pyper, rezultatet e të cilit tregojnë se bullizmi është i pranishëm në të gjitha institucionet arsimore në vend.

Pjesëmarrësit e këtij sondazhi, konsiderojnë se dukuria e bullizmit më së shumti është e pranishme në shkollat e mesme (58.31%) dhe shkollat fillore (31.94%) si dhe në një përqindje më të vogël në universitet/kolegj (4.37%).

Praninë e bullizmit në shkolla, e dëshmojnë edhe të dhënat e Policisë së Kosovës.

Zyra për Informim në Policinë e Kosovës ka bërë të ditur për KosovaLive se gjatë këtij viti në polici janë raportuar 100 raste të lëndimit të lehtë trupor, 13 raste të lëndimit të rëndë trupor dhe 13 raste të sulmit në shkolla dhe përreth tyre.

Nga policia tregojnë se gjatë këtij viti ata kanë zbuluar 13 raste me elemente të bullizmit, derisa deklarojnë se bullizmi ndodh si pasojë e ngacmimeve, sulmeve apo veprave të ndryshme penale të përsëritura.

Sektori për Parandalimin e Delikunces së të Miturve pranë DPBP-së, për këtë vit shkollor ka hartuar dhe implementuar projektin  ‘Së bashku kundër Bullizmit’. Projekti në fjalë është realizuar në bashkëpunim me DKA-të, kësisoj ligjeratat në shkolla janë mbajtur së bashku me psikologët shkollorë. Ideja e realizimit të ligjeratave në këtë formë ishte me qëllimin që të ofrohet qasje sa më profesinale nga të dyja përspektivat ajo policore dhe psikologjike”, kanë thënë zëdhënës për informim në Policinë e Kosovës.

Zahrie Podrimqaku, nënë e dy fëmijëve, thotë se ajo mundohet t’i këshillojë dhe t’u qëndrojë pranë fëmijëve të saj, pasi si shprehet ajo, ka shumë raste të bullizmit në shkolla.

Podrimqaku ka deklaruar se shpesh merr ankesa nga fëmijët e saj për raste të tilla në shkolla.

 “Është e vërtetë që ka shumë raste te tilla. Si prind më vjen keq për këtë që po ndodh me fëmijët tanë. Shpesh kam ankesa nga fëmijët për raste të tilla në shkollë apo në lagje. Në shkolla dhe lagje të ndryshme janë krijuar grupe fëmijësh të cilët sulmojnë fëmijët e tjerë. Mësuesit kanë rënë në pozitë të vështirë me nxënësit, edhe mësuesit shpesh sulmohen nga prindër të ndryshëm të papërgjegjshëm, të cilët u dalin në mbrojtje fëmijëve të tyre”, ka deklaruar ajo për KosovaLive.

Fakti se shpesh nxënësve në shkolla u gjenden thika e doreza të hekurit, sipas saj tregon më së miri për shtimin e rasteve të bullizmit.

Mendoj se bashkëpunimi prindër-mësues-polici duhet të jetë sa më i madh për të eliminuar rastet. Ne si prindër, burrë e grua, shpesh flasim me fëmijët dhe përpiqemi tu shpjegojmë dallimin e rasteve të ndryshme. Fëmijët tanë  na njoftojnë për çdo rast të tillë në shkollë apo lagje dhe ne u shpjegojmë se si t’u shmangen rasteve të tilla”, shton ajo.

Se ka fëmijë bullizues në shkolla, e pohon edhe mësimdhënësi në shkollën fillore “Dëshmorët e Qendresës” në Tërstenik, Hamdi Spahiu. Ai those mësimdhënësit duhet patjetër të bisedojnë me prindërit për raste të tilla.

Jo vetëm në shkollën tonë po në çdo shkollë të Kosovës ka raste të bullizmit. Ne si mësimdhënës nëse vërejmë raste të tilla duhet menjëherë të qasemi në ndodhi dhe të bisedojmë me prindërit e tyre që një gjë e tillë mos të ndodhë. Prindërit duhet që të bisedojnë me fëmijët e tyre dhe t’i bindin ata se nuk duhet të ketë bullizëm në klasë, në shkollë apo në rrethin ku ne jetojmë dhe të jemi si model për të tjerët”, shton ai.

Drejtori i Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka, tregon se ka pasur raste me tendencë të bullizmit në shkollat e kësaj komune, por se me t’u vërejtur këto raste, janë izoluar nga menaxhmenti i shkollës.

Sipas tij, siguria në këtë komunë është në nivel, bazuar në mekanizmat që i kanë në dispozicion për ofrimin e sigurisë.

Si DKA para 10 dite kemi realizuar një projekt në bashkëpunim me psikologun komunal dhe Policinë e Kosovës – stacioni në Drenas, ku janë mbajtur ligjërata në 12 shkolla me këtë temë me qëllim të vetëdijësimit lidhur me këtë dukuri”, shton ai.

Protokolli për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Para-Universitar thotë se detyrimet e Drejtorisë Komunale të Arsimit janë që të krijojë ambiente humane, tërheqëse dhe miqësore në çerdhe, kopshte dhe në shkolla me qëllim të garantimit të sigurisë dhe parandalimit të të gjitha formave të dhunës.

Sociologu Genc Xërxa përshkruan bullizmin si një dukuri që manifestohet me përçmim, tallje, kërcënim, dhunë, qoftë verbalisht apo fizikisht e që mund t’i kalojë suazat normale të një veprimi social duke lënduar ndjenjat ndaj atij që sulmohet.

Kjo ndodh ndaj fëmijëve mes një individi që nëpërmjet këtij veprimi sulmuesi të bie në sy të rrethit e të ndjehet si autoritativ, dominues, ndaj tjetrit apo tjerëve duke tentuar të krijojë grup apo klan si lider i tyre dominues. Shfaqja e bullizmit mund të vie edhe si rezultat i problemeve familjare të trashëguara që i bart pastaj ato në shkollë, shoqëri, aty ku fëmija nuk e ndjen veten të afërt aty dhe me këto sjellje mundohet të arrijë vëmendje ne rrethin e tij mes shokëve”, thotë ai në një bisedë për KosovaLive.

Xërxa shpreh shumë shqetësues bullizimin e fëmijëve, pasi sipas tij, kjo bën që fëmijët të izolohen nga shoqëria, të zemërohen e edhe të binjë në depresion.

Kjo dukuri është mjaft e rëndë për fëmijën në të cilën ushtrohet bullizmi, si në aspektin fizik duke i shkaktuar lëndime trupore nga dhuna apo aspektin psikik qofshin ato fizike apo verbale duke e bërë të izolohet nga shoqëria dhe humb vetëbesimin në shoqëri gjithnjë i përcjellur me depresion apo shenja zemërimi që mund të shfaqet pastaj edhe tek ai revolta dhe pakënaqësia qe mund te manifestohen ne zgjidhjen e tyre po ashtu me dhunë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Antigona Qenaj-Sejdiu, psikolo thotë se bullizmi tek fëmijët  shkakton probleme të mëdha psikologjike të cilët mund të jenë prezente në jetën e personit gjatë gjithë jetës. Bullizmi shkakton trauma të cilat manifestohen me rënie të vetëbesimit, probleme me gjumin, me oreksin, ankth, sulme të panikut, depresion, probleme me sjelljen, probleme në mësim.

Varësisht prej llojit të sjelljes bullizuese, kohës sa zgjatë bullizimi si dhe ndihmën që merr personi i bullizuar, mund të zgjasin edhe pasojat e bullizimit. Ato mund të jenë prezente edhe gjatë gjithë jetës”, ka thënë ajo.

Qenaj-Sejdiu thekson se prindërit janë hallka e parë dhe më e rëndësishme e edukimit dhe formimit të personalitetit të fëmijëve.

Prindërit dhe mësimdhënësit duhet të japin kontributin më të mirë të mundshëm në formimin dhe edukimin e personaliteteve sa më të formuar dhe edukuar. Gjithashtu, duke mbrojtur dhe forcuar viktimat e bullizimit si dhe duke ndëshkuar në baze të sjelljeve ata që bullizojnë”, shton ajo.

Petrit Tahiri, drejtori i Education Center ( KEC) vlerëson se secili institucion i arsimit parauniversitar duhet që në planet zhvillimore dhe ato të veprimit, të përcaktojë masat dhe aktivitetet që kontribuojnë në parandalimin e të gjitha llojeve të dhunës.

Dhuna është e sanksionuar nga të gjitha politikat, ligjet dhe aktetet nënligjore që rregullojnë sistemin e arsimit, thotë ai, andaj institucionet arsimore do të duhej të sigurojnë dhe garantojnë mirëqenien e fëmijëve.

 “Kjo nënkupton që institucionet të cilat punojnë me fëmijë do të duhej që të hartonin dhe zbatonin rregullore që sigurojnë dhe garantojnë mirëqenien e fëmijës. Një shembull pozitiv do të ishte sikur të gjitha këto institucione të kenë politikën për mbrojtjen e fëmijës. Dështimi për të krijuar një sistem të tillë të mbrojtjes së fëmijës, krijon situata të tilla, ku përdorimi i dhunës konsiderohet si mjet disciplinimi”, shton ai.

Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Kërkime e sheh bullizmin si dukuri tejet shqetësuese me raste që po rriten vit pas viti. Andaj, nga SIT kanë thënë se po e trajtojnë këtë dukuri, duke ngritur tema e duke punuar bashkë me të rinjtë.

Përmes hulumtimeve bazike që SIT i kryen para se të fillojë implementimin e programit në shkolla përkatëse, del se kjo dukuri është e pranishme në shkollat në të cilat ne punojmë. SIT në momentin që targeton një shkollë specifike për të punuar, punon deri në përmbyllje të të gjitha fazave të cilat zgjasin rreth 3 vjet. Pas hulumtimit bazik, SIT e sheh gjendjen e këtyre të rinjve/rejave dhe në atë mënyrë edhe punon me ta/o”, thonë nga SIT.

Për më tepër, përpos të rinjve, në SIT thonë se punojnë edhe me mësmimdhënës dhe i trajnojnë ata në tema fizike, seksuale, psikologjike por edhe barazinë gjinore, jetesën e shëndetshme dhe tema të tjera sociale.

SIT përmes strategjisë së vet 2020 – 2023, është duke zhvilluar dhe do të zhvillojë projekte dhe programe të cilat ndërlidhen edhe me aktivitete edukuese për të rinjtë/rejat. Njëra ndër qëllimet kryesore të SIT përgjatë këtyre viteve është edhe institucionalizimi i Programit Y – Rinia i cili implementohet në partneritet me CARE International në Ballkan identifikojnë bullizmin, si të jenë vet të vëmendshëm në këto çështje por edhe ne çështje të tjera si dhuna dhe mbështetet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni Oak”, thonë ata.

Në Udhëzuesin për Fëmijë “Siguria e Fëmijëve në Internet”, theksohet se ndikimi i teknologjisë në jetën e fëmijëve dhe adoleshentëve po rritet. Njëherësh thuhet se derisa fëmijët përdorin internetin, shpeshherë në faqet e lojërave në internet, rrjete sociale, youtube apo faqe të tjera, ku fëmijët kalojnë mjaft kohë, ata ekspozohen ndaj dhunës kryesore që bëhet nga fëmijët tjerë, shfaqja e materialeve me përmbajtje të përshtatshme, keqpërdorimi i të dhënave personale, e atakimi me viruse të ndryshme.

Ndërsa, përveç Kosovës, bullizmi është i përhapur edhe në shkollat në shtetet tjera.

Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për dhunën kundër fëmijëve thotë se bullizmi prek një përqindje të lartë të fëmijëve, duke rrezikuar shëndetin e tyre, mirëqenien emocionale dhe punën akademike dhe shoqërohet me pasoja afatgjata që vazhdojnë deri në moshën madhore.

Rritja e aksesit në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (TIK), sipas UN, i vë fëmijët në rrezik të abuzimit në internet, duke rritur cenueshmërinë e tyre ndaj bullizmit kibernetik.

Sipas UNICEF-it përgjithësisht fëmijët e mbajnë të fshehtë bullizmin. Ata kanë frikë se situata mund të përkeqësohet, ndjejnë turp ngase mendojnë që janë të dobët ose mendojnë se të rriturit nuk i kuptojnë. Mirëpo, edhe pse nuk flasin, ata lëshojnë sinjale alarmi. Ata kthehen në shtëpi të dëmtuar, iu mungojnë sendet personale, nxjerrin justifikime për të mos shkuar në shkollë ose kërkojnë të ndërrojnë shkollën ose lagjen.

Rinesa Spahiu

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM