Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti iu është drejtuar deputetëve në lidhje me zhvillimet për dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti ka thënë se ne nuk e kemi shpallur pavarësinë që ta zëvendësojmë varësinë nga Serbia, me varësi nga njohja e saj. Kemi treguar që shteti i Kosovës dhe populli i Kosovës janë të përcaktuar në rrugën evropiane dhe euroatlantike, se ne e bëjmë shtetndërtimin demokratik, e bëjmë sundimin e ligjit dhe zhvillimin socio ekonomik.
Unë ju falënderoj për këtë mundësi që të debatojmë, mirëpo më lejoni të ritheksoj se edhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës edhe pozicioni i Kosovës në raport me Serbinë kurrë nuk ka qenë më i favorshëm sesa tani.
E kemi gati një vit pa asnjë koncesion. Prej kur ka filluar dialogu në vitin 2011 nuk ka pasur vite pa koncesione e kompromise, e ky viti i kaluar është një vit në të cilin kishim rritje ekonomike 9.9 për qind të bruto produktit vendor, kishim luftim të krimit e të korrupsionit, kishim menaxhim të mirë të pandemisë, top në Ballkan, dhe përkundër problemit me Serbinë pra ne kemi dëshmuar se jo vetëm që shteti i Kosovës është i suksesshëm, por në të njëjtën kohë ai nuk është i varur nga njohja e Serbisë.
Ne nuk e kemi shpallur pavarësinë që ta zëvendësojmë varësinë nga Serbia, me varësi nga njohja e saj. Kemi treguar që shteti i Kosovës dhe populli i Kosovës janë të përcaktuar në rrugën evropiane dhe euroatlantike, se ne e bëjmë shtetndërtimin demokratik, e bëjmë sundimin e ligjit dhe zhvillimin socio ekonomik, përkundër problemit që kemi me Serbinë dhe se Kosova nuk është problem, por Kosova ka problem. Brenda e ka korrupsionin dhe në raport me Serbinë e ka mosnjohjen e Serbisë.
Tash, unë ju falënderoj shumë për gatishmërinë që ta ndihmoni qeverinë. Një mënyrë shumë e qartë që të më ndihmoni është të mos flisni për njohjen e ndërsjellët me të cilën përfundon procesi, siç e tha njëri prej kryetarëve të partive opozitare apo siç e ka thënë tjetri, marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme e cila ka epilog njohjen reciproke. Kjo është shumë gabim. Ju ma dëmtoni mua pozicionin negociator me këso konstatimesh.
Që prej vitit të kaluar ka ndodhur një zhvendosje tektonike në kuptimin diplomatik të fjalës, e raportit tonë me Serbinë në bisedimet e Brukselit. Nuk është më njohja në fund, si epilog, por është në qendër, jo në fund. Ka zhvendosje prej kohës në hapësirë. Jo një proces që përmbyllet me njohjen reciproke, por një proces në të cilin njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes.
Këtë e thotë dhe Presidenti Biden, këtë e thotë edhe Sekretari Blinken, në letrën që ma ka dërguar në janar. Në qendër është njohja reciproke, jo në fund. Pra, ka marrë fund ajo ‘sallami taktika’ ku Kosova bën koncesione e kompromise në pritje të njohjes që na vjen në fund, e që s’vjen asnjëherë. Dhjetë vjet i kemi pas të kornizuara në një mënyrë të tillë. Në vitin e kaluar është bërë ndryshimi. Në vitin e kaluar jemi zhvendosur nga koha te hapësira, jo një proces kohor në fund të së cilit vjen njohja por një marrëveshje në hapësirën e së cilës në qendër është njohja reciproke.
Prandaj, ju kisha lutur, ju kisha lutur si kolegë që të më ndihmoni, mos thoni njohja reciproke vjen në fund, se i bëni dëm Kosovës. Njohja reciproke është në qendër, jo në fund. Jo të përmbyllet procesi ose epilogu njohja reciproke, njohja reciproke është në qendër, sepse ka ndodhë zhvendosja prej kohës në hapësirë. Kjo është e para, tejet e rëndësishme është.
E dyta, fjalia e parë e Sekretarit Blinken në letrën në Janar, lexojeni ju lutem me vëmendje thotë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova gëzojnë një marrëdhënie të rrënjëzuar në vlerat e përbashkëta demokratike dhe në përkushtimin për Kosovën e pavarur dhe sovrane, pikë. Kjo është fjalia e parë.
Pra, ne jemi të pavarur. Nuk është dialogu vetëm për neve. Dialogu është për raportin tonë me Serbinë, jo për Kosovën. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga vjeshta e vitit 2010, dy muaj pa u bërë plotësisht të mendimit këshillues të GJND-së, të 22 korrikut 2010, thotë që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është dialog mbi raportin, jo mbi qenien tonë a statusin tonë, ajo është kryer.
Por, gabimi i dialogut 10 vjeçar ka qenë që është diskutuar për qenien dhe statusin tonë. Unë nuk dialogoj për këtë gjë. Dialogu që na kërkohet neve është dialog për statusin e raportit me Serbinë, jo për statusin e Kosovës.
Edhe ajo rezolutë thotë se i ka katër qëllime dialogu. Paqen dhe sigurinë, bashkëpunimin, perspektivën në rrugën evropiane dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Pra, dialog mbi statusin e raportit, jo mbi statusin.
E në paragrafin e dytë të kësaj letre, katër gjëra i përmend Presidenti Biden, që janë shumë të rëndësishme për agjendën e tij në marrëdhënien tonë. E para, forcimi i sundimit të ligjit; e dyta, mbrojtja e të drejtave të pakicave; e treta, forcimi i rritjes ekonomike dhe e katërta, në renditje të fjalisë, sigurimi i një marrëveshje të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Jo në fund, jo në epilog, siç keni shkruar deputeti Haradinaj, pas takimit me Lajçakun dhe Eskobarin. Shumë gabim dhe dëm. Jo në epilog, në qendër.
Ju lutem, kurrë mos thoni më në epilog. Se nganjëherë mund të ndihmoni edhe duke mos folur. Dialogu ndërmjet Kosovës edhe Serbisë, është dialog i cili kurrë nuk është marrë më seriozisht se sa nga qeveria jonë, duke mos e vënë veten tonë në pikëpyetje. Duke mos e vënë veten tonë në pikëpyetje, përkundrazi duke provuar ta zgjedhim raportin tonë me Serbinë.
Dhe në paragrafin e tretë të letrës së Sekretarit Blinken thuhet qartë që natyra e pazgjidhur e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyra e pazgjidhur e raporteve, është e rëndësishme për integrimin tonë jashtë vetës në organizatën ndërkombëtare ku anëtarësohemi.
Pra, ky dialog që duhet ta zgjidh raportin tonë me Serbinë, nuk është i rëndësishëm për qenien tonë, sepse ajo është e pavarur dhe sovrane, e thotë në fjalinë e parë të letrës, por është i rëndësishëm për integrimet evropiane dhe euroatlantike.
Pra, për anëtarësime ndërkombëtare ky dialog është i rëndësishëm që të zgjidh raportet tona. Secila fjali është e rëndësishme dhe secila fjalë në secilën fjali. Është gjuhë e saktë matematikore e kirurgjike, që duhet ta ndjekni me vëmendje. Nuk keni nevojë që për Kosovën ta ulni pazarin edhe ma poshtë se Presidenti Biden e Sekretari Blinken. Pra, kurrë më mos thoni njohja reciproke vjen në fund apo është përmbyllëse.
Dhe, krejt në fund ka pas formulime më herët, bazohuni në këtë që e keni tani. Ne jemi serioz në dialog. Në bisedime jemi shumë serioz. E trajtojmë me urgjencë çështjen e të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, sepse familjet kanë më shumë ankth se pikëllim.
Gjithashtu, në letrën e Blinken përmendet edhe çështja e energjisë elektrike në veri të Kosovës. Edhe ajo është përmendur. Por, ky është paragrafi i katërt, jo tek njohja reciproke.
Dhe, ju deputeti Haradinaj keni qenë kryeministër. Dialogun ia patët lënë ish presidentit kur lulëzoi projekti i shkëmbimit territorial. Dhe çfarë bëtë ju. Na e patët krijuar një grup super teknik, me në krye Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin. A ju kujtohet. Ja çfarë grupi keni bërë ju. Me Fatmir Limajn e me Shpend Ahmetin e keni pas grupin. Dhe, dhatë dorëheqje sepse ju intervistuan në Hagë, e mandej dojshit mu ba president. Presidente është Vjosa Osmani. Presidente është zonja Vjosa Osmani- Sadriu, 300 mijë vota në popull të Kosovës e 82 këtu në Kuvend në sallë.
Pra, nuk mund t’ju marrë si dikush që e keni sinqerisht e seriozisht. Pra, përveç që bëni gabime e dëme nuk mund t’ju marrë sinqerisht e seriozisht. Keni qenë kryeministër, ja dhatë Malit të Zi 8.200 hektarë, më herët i keni marrë 200 për vete. Aman na kurseni tash nga leksionet.