Në pikë kalimin kufitar Jarinje me qëllim të luftimit dhe parandalimit të kontrabandës ne bashkëpunim në mes të Doganës dhe Policisë së Kosovës është zhvilluar një plan operativ i koduar “Luftimi kontrabandës”. Gjatë zhvillimit të planit operativ rreth orës 16;00 është ndaluar për kontroll automjeti me targa të Serbisë të cilin e drejtonte një qytetar i Republikës se Kosovës.
Për arsye të dyshimit të bazuar dhe informatave të siguruara përmes rrugëve operative, vetura në fjalë është selektuar për kontroll në vijën e dytë ku i është bërë kontrolli detal nga zyrtarët doganor dhe policor. Gjatë kontrollit të veturës janë zbuluar mjete monetare të pa deklaruara në shumën prej 34.720.00€. Për trajtim të mëtutjeshëm rasti në fjalë është trajtuar nga hetuesia e doganës dhe Prokurori i Prokurorisë Speciale.
Bazuar në nenin 33 paragrafi 5 i ligjit 05/L-096 (Ligji per pastrimin e parave dhe luftimin e financimit te terrorizmit), palës i janë konfiskuar 25% apo 8,680.00€ e mjeteve të pa deklaruar, ndërsa 75% apo 26,040.00€ e mjeteve janë ndaluar me urdhër të Prokurorit për hetime të mëtutjeshme, thuhet në komunikatën për media e Doganës së Kosovës.