Komisioni Evropian shpalosi një paketë substanciale investimesh prej 3.2 miliardë eurosh për mbështetjen e 21 projekteve për ndërlidhshmërinë e transportit, digjitalit, klimës dhe energjisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të cilin Komisioni e miratoi në tetor 2020. Projektet janë dizajnuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon.
Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, përmes kombinimit të granteve, kredive preferenciale dhe garancive. Plani do të ndihmojë në mbylljen e hendekut zhvillimor mes Bashkimit Evropian dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani poashtu do të ndihmojë në vërjen në veprim të strategjisë së BE-së Global Gateway në këtë rajon.
Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha: “Me këtë paketë madhore të investimeve ne po e përshpejtojmë realizimin në terren të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. I kemi identifikuar këto projekte kryesore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Lidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, infrastrukturën digjitale dhe energjinë e ripërtërishme, do ta nxisin ekonominë, do të shtyjnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një mori mundësish për qytetarët dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë edhe integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”.
Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, përmes kombinimit të granteve, kredive preferenciale dhe garancive. Plani do të ndihmojë në mbylljen e hendekut zhvillimor mes Bashkimit Evropian dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.
Paketa e sotme financiare përfshin 1.1 miliardë euro grante të BE-së nga Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit 2021-2027 (IPA III), kontribute shtesë dypalëshe nga shtetet anëtare të BE-së dhe Norvegjia, si dhe kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare. Paketa e investimeve prej 3.2 miliardë eurosh kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) – një platformë investimesh me shumë donatorë e udhëhequr nga BE-ja dhe mjeti kryesor financiar për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në fushat e infrastrukturës publike dhe konkurrueshmërisë së sektorit privat.
Projektet në këtë paketë të parë mbulojnë sektorët prioritarë të Planit:
-
- Transporti i qëndrueshëm: Ndërtimi i lidhjeve kryesore rrugore dhe hekurudhore në rajon, duke përfshirë korridoret Mesdhetare, Lindje-Perëndim dhe Rin-Danub, si dhe korridorin hekurudhor mes Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe kufirit bullgar. Këto projekte do të lehtësojnë tregtinë rajonale, do të reduktojnë kohën e udhëtimit, si dhe do të nxisin rritje të qëndrueshme ekonomike, duke sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset lokale në rajon.
- Energjia e pastër: Zhvillimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë me ndërtimin e centraleve solare dhe Korridorit Transballkanik të Transmisionit të Energjisë Elektrike, çka është e domosdoshme për një tranzicion të suksesshëm drejt energjisë së pastër në rajon, si dhe do të kontribuojnë në heqjen graduale të qymyrit nga përdorimi.
- Mjedisi dhe klima: Ndërtimi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, të cilët janë thelbësorë për perspektivat e gjelbra të rajonit dhe do të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së njerëzve në Ballkanin Perëndimor.
- Digjitali: Zhvillimi i infrastrukturës rurale brezgjerë për të siguruar qasje universale në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
- Zhvillimi njerëzor: Ndërtimi i një ndërtese të re të një spitali universitar për fëmijë për të rritur kapacitetin e tij dhe për të përfshirë teknologji të reja për diagnostikim dhe trajtim.
Zbatimi do të nisë së shpejti pas nënshkrimit të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare, që pritet gjatë viteve 2022 dhe 2023, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Bashkimit Evropian.
Sfondi
Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë rimëkëmbjen afatgjatë, të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe konvergjencën me BE-në. Për Planin janë ndarë deri në 9 miliardë euro grante të BE-së nga IPA III, me çka do të mobilizohen 20 miliardë euro investime shtesë.
Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një platformë e përbashkët financiare e Komisionit Evropian, organizatave financiare, shteteve anëtare të BE-së dhe Norvegjisë, që synon të rrisë bashkëpunimin në investimet e sektorit publik dhe privat për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe të kontribuojë në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. WBIF është mjeti kryesor financiar për zbatimin e prioriteteve të politikave dhe projekteve madhore investuese të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanit Perëndimor.
Global Gateway është kontributi i BE-së për ngushtimin e hendekut global të investimeve në mbarë botën në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm. Me këtë strategji, BE-ja po e rrit ofertën e saj për partnerët e saj me investime madhore për zhvillimin e infrastrukturës në mbarë botën. Gjatë shtatë viteve të ardhshme, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare do të mobilizojnë deri në 300 miliardë euro për investime publike dhe private në sektorët digjital, klimë dhe energji, transport, shëndetësi, arsim dhe hulumtim. Global Gateway do të ofrojë projekte të qëndrueshme dhe me cilësi të lartë, duke marrë parasysh nevojat e vendeve partnere dhe duke siguruar përfitime të qëndrueshme për komunitetet lokale.
Për më shumë informacion
- Pasqyra e fakteve – përmbledhje e paketës së projektit
- Broshura e projektit WBIF
- Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF)
- Instrumenti për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA III)
- Pasqyra e fakteve – Instrumenti për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA III)
- Global Gateway